Flash

Edi Rama, pensionistët dhe Noc Rroku

Lapsi.al 1 November 2024
Edi Rama, pensionistët dhe Noc Rroku

Kurrë më parë nuk janë harxhuar kaq shumë fjalë – sa ç’përdori Edi Rama mbrëmë përpara një grupi pensionistesh – për të thënë diçka fare të thjeshtë: “Qeveria ime nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asgjë për ju.”

Edi Rama dha një lëmsh shifrash për arritjet makroekonomike të qeverisë së tij, duke mos kuptuar se nëse e marrim seriozisht mbi-dyfishimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto etj. – barra e përgjegjësisë mbi të është edhe më e madhe se pse në këtë lloj ekonomie nuk pikon asgjë për mbi 700,000 pensionistët shqiptarë.

Edhe më qesharak është krahasimi i rritjes dhe masës së këtij prodhimi me vendet e rajonit, pa krahasuar nivelin e pensioneve. Për shembull, ndonëse Kosova e ka PBB për frymë 540 dollarë më të ulët se Shqipëria e arritjeve galaktike, pensionin mesatar e ka 48 euro më të lartë se Shqipëria. Vazhdojmë më tutje. Bosnje-Hercegovina, me PBB për frymë 19% më të lartë se Shqipëria, e ka pensionin mesatar 89% më të lartë se Shqipëria. Maqedonia e Veriut, me PBB për frymë po 19% më të lartë se Shqipëria, e ka pensionin mesatar 125% më të lartë se Shqipëria. Serbia, me PBB për frymë 111% më të lartë se Shqipëria, e ka pensionin mesatar 144% më të lartë se Shqipëria. Mali i Zi, me PBB për frymë 123% më të lartë se Shqipëria, e ka pensionin mesatar 150% më të lartë se Shqipëria.

Këto shifra janë indikatorë të disa të vërtetave të mëdha strukturore të Shqipërisë nën sundimin e Edi Ramës. 1. Rritja ekonomike është në një përmasë të madhe fiktive (nominale, pasi nuk merr në konsideratë inflacionin dhe forcimin e lekut, si dhe e bazuar në aktivitete joproduktive si pastrimi i parasë dhe spekulimi). 2. Edhe aty ku ekziston realisht, rritja ekonomike përvetësohet nga oligarkia ekonomike dhe një pakicë e vogël të privilegjuarish. 3. Qeveria ka përparësi të tjera dhe nuk e çan kokën fare për pensionistët.

Kur vjen puna te përparësitë e qeverisjes, mbrëmë Rama luajti me ndjenjat e pensionistëve duke i vënë të zgjedhin midis vetes dhe nipërve/mbesave të tyre. “Paratë e taksave nuk janë për ju, por për fëmijët. Juve do t’ju rriten pensionet kur të ketë më shumë kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore.” – u tha. Përveçse skandaloze - sepse paratë e taksave duhet të jenë për të gjithë njerëzit në nevojë, dhe pensionistët e sotëm janë më nevojtarët, madje në kushte të emergjencës humanitare - Edi Rama u tregua edhe gënjeshtar. Në çdo vend të botës së sotme buxheti i shtetit mbulon një pjesë të kostos së pambuluar të skemës së sigurimeve shoqërore pasi me ndryshimet demografike dhe sheshimin e rritjes ekonomike, skemat PAYG kanë vështirësi ta mbajnë veten. Në teori, Shqipëria e mrekullive ekonomike të Edi Ramës do ta kishte më të thjeshtë për shkak të bumit ekonomik, por ja që e vërteta del në pah në fillim të çdo muaji.

Vijmë tani te plaga më e madhe dhe faji më i rëndë i qeverisë së Edi Ramës: numri tejet i ulët i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe masa e pamjaftueshme e kontributit. Si të ishte opinionist i paguar nga TV Klani, Edi Rama nisi të fliste për gropën e thellë të kontributeve dhe ua hodhi fajin punëtorëve dhe punëdhënësve të tyre. Harron – i zëni me presh në duar – se përgjegjësi kryesor për formalizimin e marrëdhënieve të punës është shteti, ose më saktë ekzekutivi që ai kryeson. Sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare, sot në Shqipëri midis 50% deri në 56% e të punësuarve nuk janë të regjistruar gjëkundi, nuk kanë kontratë pune dhe nuk u paguhen sigurimet shoqërore e shëndetësore. Inspektorati i Punës, që do të duhej ta luftonte këtë proces, fle prej dekadash. Ministria e Punës, që do të duhej të hartonte politika të luftimit të informalitetit në punë dhe krijimit të mundësive ekonomike të përballimit të kostove të formalizimit nga çdo biznes, është zhdukur që në ditën e parë të sundimit të Ramës. Sindikatat e fuqishme që do të bënin atë që nuk do ose nuk bën dot shteti për të formalizuar marrëdhëniet e punës, nuk ekzistojnë. Madje Edi Rama mburret me inekzistencën e tyre. Edhe atëherë kur ngrenë krye, si me minatorët e bashkuar të Bulqizës, shtypen nga oligarkët me bashkëpunimin e qeverisë dhe heshtjen e mediave. Për të gjitha këto ka kryefajtor: Edi Rama.

I zënë ngushtë nga pyetjet e pensionisteve në studio – si të jetoj unë me 10,000 lekë pension?! – Edi Rama u orvat ta kamuflonte korrupsionin dhe paaftësinë e qeverisë së tij duke u hequr si strateg, që kishte pritur mbi 11 vjet, sa të shëndoshej ekonomia, për të nxjerrë nga kapela në një të ardhme të papërcaktuar lepurin që presin të gjithë. “Ende po studiojmë mundësitë e rritjes së pensioneve.” – u tha pensionisteve. 11 vjet e 2 muaj studim?! Për më tepër, nga një qeveri që sot që flasim nuk ka as institucionet, as kapacitetin intelektual për ta kuptuar, lere më zgjidhur çështjen e pensioneve.

Duke parë se planet afatgjata të trajtës “Do t’i rrisim pensionet kur ju të mos jetoni më” nuk i ecën, Edi Rama, i zënë në cep të ringut, tentoi lëvizjen e fundit. “Gjendja është keq. Është shumë keq. Unë e di që e vetmja arsye pse ju nuk vdisni për bukë janë fëmijët tuaj, jo pensioni që ju jep shteti. Por vetëm Partia Socialiste (!) mund t’ju nxjerrë nga kjo gropë. Të tjerët – duke nënkuptuar Lëvizjen BASHKË – janë shalqinj pa provë që ju premtojnë pension minimal 400 euro.”

I gjori! Bën sikur nuk e kupton përgjegjësinë e tij në thellimin e gropës së pensioneve, p.sh. duke e çuar raportin kontribues-pensionist në 1.17-1, një nga më të ultit në botë, simptomë e informalitetit të frikshëm në punë dhe emigrimit masiv të popullsisë në moshë pune. Prapëseprapë, nuk i ndahet vesit të gënjeshtarit. Lëvizja BASHKË nuk ka premtuar kurrë pension minimal 400 euro. Nuk jemi ne ata që premtojnë autobusë falas apo Vatikan turistik në mes të Shqipërisë.

Qëndrimi i Lëvizjes BASHKË është që pensioni minimal duhet të vendoset në nivelin e minimumit jetik prej rreth 200 eurosh në muaj dhe çdo pension tjetër të rritet sipas shkallëve të kontributit. Ka kosto? Sigurisht. Është e lartë. Po. Është e arritshme? Po. Veçse me disa kushte që Edi Rama as i ëndërron dot, jo më t’i realizojë. 1. Me një qeveri të ndershme që lufton deri në poret më të vogla të shtetit korrupsionin dhe shpërdorimet ekonomike. 2. Me një qeveri të aftë që lufton evazionin fiskal dhe informalitetin në punë e në paga. 3. Me një qeveri zhvillimore që nxit investimet produktive të kapitalit, ngjit Shqipërinë në zinxhirin ndërkombëtar të vlerës, rrit punësimin, produktivitetin e punës, pagat dhe nivelin e kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore.

Sot, nesër dhe në të ardhmen e parashikueshme, Lëvizja BASHKË mbetet jo vetëm flamurtarja e vetme politike e kauzës së pensionistëve, por edhe njohësja më e mirë e vështirësive dhe rrugëdaljes prej tyre.

Edi Rama nuk lodhej mbrëmë së përmenduri Noc Rrokun. Ua drejtoi kundërshtarëve të tij politikë, madje edhe amerikanëve. Çka është e sigurt është se në zgjedhjet e ardhshme pensionistët do t’i përgjigjen me të njëjtën gjuhë neglizhencës së tij kriminale: duke i dhënë Noc Rrokun.

Të këshilluara

Protokolli

Nëse ish Presidenti do të thirrej për t'u paraqitur në Prokurori apo polici dhe aty t'i komunikohej masa e ndalimit, koha televizive mbrëmë do të shpenzohej për...

20:44

Kush janë katër tradhtarët e Tërbaçit?!

Zgjedhjet në Himarë provuan edhe njëherë tjetër se çdo votë është e sh(tr)enjtë, por edhe këto zgjedhje nuk kaluan pa probleme. Dhe problemi më i madh u shfaq n...

15:25

A shihemi fundjavën tjetër djema?

Spiromilot kanë djegur tërësisht tre fshatra të Himarës (15% të fshatrave të zonës) dhe dhjetra shtëpi në fshatra të tjera, përveçse kanë vrarë dhejtra dhe dëbu...

12:42

Çka më tha Ramiz Alia për Ismail Kadarenë

Nga Adriatik Kelmendi (Në vjeshtën e vitit 2006, ish-udhëheqësi i Shqipërisë Ramiz Alia kishte ardhur për herë të parë në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botëror...

19:31

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI