Partia qeverisëse e Gjeorgjisë ka ruajtur pushtetin në zgjedhjet e kontestuara parlamentare në një goditje ndaj aspiratës së gjatë të vendit për anëtarësim në BE, mes akuzave për frikësim dhe shtrëngim të votuesve.
Opozita pro-perëndimore e Gjeorgjisë refuzoi të pranonte humbjen, duke akuzuar partinë në pushtet për një "grusht shteti kushtetues" dhe duke premtuar se do të shpallte protesta, duke krijuar kështu terrenin për një krizë të mundshme politike që mund të polarizojë edhe më tej vendin e Kaukazit.
Sipas komisionit zgjedhor partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane (GD) kishte fituar 54% të votave, me më shumë se 99% të zonave të numëruara.
Rezultati për GD-në do prish shpresat e opozitës për një koalicion pro-perëndimor prej katër blloqesh dhe në fakt do të pengojë aspiratat e vendit për integrimin në BE.
Votuesit në vendin me pothuajse 4 milionë banorë iu drejtuan kutive të votimit të shtunën në një zgjedhje për të vendosur nëse partia gjithnjë e më autoritare GD, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2012 dhe e ka drejtuar vendin në një kurs konservator larg nga perëndimi dhe më afër Rusia, duhet të marrë edhe një mandat katërvjeçar.
Bidzina Ivanishvili, miliarderi i dyshimtë, themeluesi i GD, shpalli fitoren menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, në ato që janë quajtur zgjedhjet më të rëndësishme që nga pavarësia nga Bashkimi Sovjetik në 1991.
Lexo më tej: Moment kritik i Gjeorgjisë: Zgjedhjet vendosin mes Perëndimit dhe Rusisë
"Është një rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë, ky është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian," tha Ivanishvili, i konsideruar gjerësisht si figura më e fuqishme e vendit.
Në një konferencë për shtyp të shtunën vonë, drejtuesit e koalicionit opozitar i quajtën rezultatet e zgjedhjeve një "grusht shteti kushtetues".
"Fitorja iu vodh popullit gjeorgjian... Ne nuk i pranojmë rezultatet e këtyre zgjedhjeve të falsifikuara," tha Tinatin Bokuchava, kreu i partisë më të madhe opozitare, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare (UNM).
Një mision vëzhgues ndërkombëtar njoftoi të dielën se zhvillimi i zgjedhjeve ishte dëshmi e "rrëshqitjes demokratike" në vend.
Një raport paraprak nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) tha se “vinin në dukje raporte të frikësimit, shtrëngimit dhe presionit ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik dhe grupeve të tjera, duke ngritur shqetësime në lidhje me aftësinë e disa votuesve për të votuar pa frikë nga ndëshkimi”.
Megjithatë, OSBE nuk tha se zgjedhjet ishin vjedhur ose falsifikuar, një pretendim që opozita e përsëriti të dielën.
Opozita, e cila pritet të shpallë lëvizjen e saj të radhës vonë të dielën, e ka akuzuar GD-në se është mbështetur në "burimet e saj administrative" gjatë zgjedhjeve, një term ombrellë që përfshin presionin e punonjësve të shtetit për të votuar dhe ofrimin e parave cash për votuesit kryesisht ruralë.
Një grup prej 2,000 vëzhguesish zgjedhor të quajtur "Vota Ime" tha se nuk besonte se rezultatet paraprake "reflektojnë vullnetin e qytetarëve gjeorgjianë" duke pasur parasysh shkallën e mashtrimit të votuesve dhe dhunës.
Të shtunën në mëngjes, disa video qarkulluan në internet që shfaqnin manipulime votash dhe frikësim të votuesve në qendra të ndryshme votimi në të gjithë Gjeorgjinë.
"Bandidët e Bidzina Ivanishvilit janë të dëshpëruar për t'u kapur pas pushtetit dhe do të përdorin çdo gjë për të përmbysur procesin zgjedhor," tha Bokuchava, kreu i UNM-së, ndërsa votimi ishte duke u zhvilluar.
Të dhënat e komisionit zgjedhor treguan se GD-ja fitoi me diferencë të madhe deri në 90% në disa zona rurale, megjithëse nuk performoi mirë në qytetet më të mëdha.
Gjatë tre dekadave të fundit, Gjeorgjia ka mbajtur aspirata të forta pro-perëndimore, me sondazhet që tregojnë se deri në 80% e njerëzve të saj favorizojnë anëtarësimin në BE. Megjithatë, vitet e fundit, qeveria është larguar gjithnjë e më shumë nga perëndimi në favor të Rusisë , duke treguar hezitim për të dënuar Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë.

GD-ja është akuzuar gjithashtu nga kritikët për plane për ta çuar vendin në një drejtim autoritar pasi Ivanishvili u zotua të ndalojë të gjitha partitë kryesore të opozitës dhe të largojë ligjvënësit e opozitës nëse partia e tij rizgjohej.
Shumë prisnin që GD do të bëhej partia më e madhe, por mund të mos kishte një shumicë dhe të luftonte për të formuar një qeveri, me të gjitha blloqet e tjera që refuzonin të bashkëpunonin me të.
GD po përballej me një bashkim të paprecedentë të katër forcave opozitare pro-perëndimore që ishin zotuar të formonin një qeveri koalicioni për ta rrëzuar atë nga pushteti dhe për ta rikthyer Gjeorgjinë në rrugën e duhur për t'u bashkuar me BE.
Forca më e madhe e opozitës është UNM e qendrës së djathtë, një parti e themeluar nga Mikheil Saakashvili, ish-presidenti i cili është në burg me akuza për shpërdorim të pushtetit që aleatët e tij thonë se janë të motivuar politikisht.
GD e zhvilloi fushatën e saj me akuzat se opozita pro-perëndimore po përpiqej të tërhiqte Gjeorgjinë në një konflikt të stilit të Ukrainës. Në vitin 2008, Gjeorgjia zhvilloi një luftë me Rusinë që zgjati pesë ditë dhe la plagë të thella, dhe pushtimi i Ukrainës ka bërë që një pjesë e gjeorgjanëve të jenë të kujdesshëm ndaj pasojave të mundshme të provokimit të Rusisë duke u afruar më pranë perëndimit.
Të shtunën mbrëma, votuesit në Tbilisi dukeshin të ndarë mbi kursin e ardhshëm të vendit. "Ne kemi humbur vendin tonë sot," tha Ana Machaidze, një studente 25-vjeçare. “Nuk e di çfarë të bëj më pas. Shpresoj se mund të dalim në rrugë, por nëse humbasim, ndoshta do të jetoj jashtë vendit”.
Mbështetja për grupet e opozitës pro-perëndimore në përgjithësi erdhi nga votuesit urbanë dhe më të rinj, të cilët parashikojnë të ardhmen e tyre politike me BE-në.
Irakli Shengelia, 56 vjeç, një punonjës restoranti, tha se ishte i kënaqur që GD do të mbetej në pushtet sepse partia garantonte "paqe dhe stabilitet" me Rusinë dhe ndante vlerat e tij konservatore.
Qeveria, e lidhur me kishën ortodokse thellësisht konservatore dhe me ndikim, ka kërkuar të nxisë ndjenjat anti-liberale duke bërë fushatë mbi "vlerat familjare" dhe duke kritikuar ato që ajo i portretizon si teprime perëndimore.
Në verë, parlamenti miratoi legjislacionin që vendos kufizime gjithëpërfshirëse për të drejtat e LGBTQ+ , një lëvizje që kritikët thonë se pasqyron ligjet e miratuara në Rusinë fqinje, ku autoritetet kanë zbatuar një sërë masash represive kundër pakicave seksuale.
BE i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit për anëtarësim vitin e kaluar, por e ka pezulluar aplikimin e saj në përgjigje të një projektligji të diskutueshëm të "agjentëve të huaj" të miratuar në maj, që kërkon që mediat dhe OJQ-të të marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si "agjentë të ndikimit të huaj”.
Projektligji, i cili shkaktoi javë protestash masive në pranverë, është etiketuar si një "ligj rus" nga kritikët, të cilët e krahasojnë atë me legjislacionin e paraqitur nga Kremlini një dekadë më parë për të heshtur mospajtimet politike në media dhe gjetkë.
The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL