Flash

Bardhi: Ambasadorët të pranishëm në aktivitetet politike të Ramës dhe Ballës

Lapsi.al 27 October 2024
Bardhi: Ambasadorët të pranishëm në aktivitetet politike

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me pjesëmarrjen e ambasadorëve shqiptarë në aktivitetet politike të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Taulant Balla.

Bardhi në një postim të cilin e shoqëron edhe me fotot e ambasadorëve në aktivitetet, e ka cilësuar praninë e tyre si shkelje të ligjit. Demokrati thotë se shkrirja e shtetit me partinë në zgjedhje dhe përdorimi i Trupit Diplomatik si trupë elektorale e partisë në pushtet, është një cënim i rëndë i zgjedhjeve dhe një rast unik në botë.

Në përfundim të postimit të tij, kreu i grupit të PD-së i bë thirrje SPAK-ut dhe Presidencës të marrin masa për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe "për të ndëshkuar secilin zyrtar të shtetit që dhunon kaq brutalisht ligjin, për interesa të pushtetit personal të Edi Ramës".

POSTIMI I BARDHIT:

Aktivitetet politike të Edi Ramës dhe Taulant Ballës jashtë vendit gjatë kësaj kohe kanë provuar jo vetëm braktisjen nga shqiptarët, por edhe një fenomen kriminal, atë të shkrirjes së shtetit me partinë. Kjo është aq evidente, saqë edhe Ambasadorët në SHBA, Kombet e Bashkuara, Itali, Gjermani, Greqi, Çeki, etj., në dhunim brutal të ligjit, marrin pjesë në aktivitete partiake me qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, duke shpërdoruar funksionin, duke përdhosur figurën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar (jo partisë) në botë, si dhe duke cënuar barazinë e palëve në zgjedhje.

Shkrirja e shtetit me partinë në zgjedhje dhe përdorimi i Trupit Diplomatik si trupë elektorale e partisë në pushtet, është një cënim i rëndë i zgjedhjeve dhe një rast unik në botë. Kurrë, askund, Trupa Diplomatike nuk merr pjesë në aktivitete partiake dhe aq më pak nuk shërben si trupë elektorale e partisë në pushtet. Funksioni kërkon paanësi politike dhe përfaqësim me dinjitet të Shqipërisë në Botë.

Sipas ligjit nr. 23/2015, Shërbimi i Jashtëm është pjesë përbërëse e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, integritetit, dhe PAANËSISË POLITIKE. Përveç detyrimeve të parashikuara nga ligji për nëpunësin civil, Ambasadorëve dhe stafeve të tyre NUK U LEJOHET me ligj të bëjnë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike apo TË MARRIN PJESË në veprimtaritë e organizuara prej tyre. Shkelja e këtyre detyrimeve ligjore passjell shkarkimin nga detyra.

Në mënyrë të vazhdueshme OSBE-ODIHR ka rekomanduar ndalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore për të krijuar avantazhe të konsiderueshme të partisë në pushtet në zgjedhje, si dhe ka rekomanduar që organet ligjzbatuese të veprojnë në kohë dhe me vendosmëri për të ndëshkuar këtë fenomen.

I kërkoj Presidentit të Republikës z. Bajram Begaj, si autoriteti kushtetues përgjegjës për dekretimin e Trupit Diplomatik të Shqipërisë kudo në botë, që të mbajë qëndrim publik për t'u distancuar nga aktiviteti i paligjshëm politik i Ambasadorëve dhe stafeve të Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën, në organizimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetet partiake të Kryetarit apo Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste me shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Gjithashtu, me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji, Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë për që të ndërhyjë menjëherë për të mbajtur përgjegjës përpara ligjit secilin Ambasador që në shkelje brutale të ligjit ka organizuar dhe merr pjesë në veprimtari politike të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik për Diasporën të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Pa dyshim që ky është një KRIM që dënohet me 3 vjet burg nga Kodi Penal, sipas paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 328/a të Kodit Penal “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Përgjegjësi penale sipas ligjit kanë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri Taulant Balla, për përdorimin e burimeve njerëzore shtetërore për zgjedhje, dhe Ambasadorët e stafet e tyre diplomatike, për pjesëmarrje në aktivitete politike. Për këtë qëllim, kam udhëzuar përgatitjen menjëherë të një kallëzimi penal në SPAK ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Ambasadorëve që janë evidentuar deri më tani në aktivitete partiake/zgjedhore dhe stafeve të tyre përkatëse diplomatike.

Apeloj Presidentin e Republikës dhe Prokurorinë e Posaçme të përmbushin në kohë, pa hezitim, misionin e tyre kushtetues, sipas përgjegjësive, për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe për të ndëshkuar secilin zyrtar të shtetit që dhunon kaq brutalisht ligjin, për interesa të pushtetit personal të Edi Ramës!

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI