Flash

VOA: SPAK-u padit për shpërdorim detyre deputetin socialist Jurgis Çyrbja

Lapsi.al 12 October 2024
VOA: SPAK-u padit për shpërdorim detyre deputetin socialist Jurgis

Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK-u) i njoftoi sot akuzën e shpërdorimit të detyrës deputetit socialist Jurgis Çyrbja, për akte të 7 viteve më parë, kur ishte drejtor i Hipotekës së Durrësit, pas një padie ndaj tij prej Partisë Demokratike të opozitës. Zoti Çyrbja dorëzoi dje mandatin e deputetit, sipas tij, për arsye shëndetësore, dhe është shprehur se do të paraqitet para drejtësisë sa herë që të thirret.

Pas një padie dhe hetimesh mbi ngjarje të 7 vjetëve më parë, çështja e deputetit socialist Jurgis Çyrbja precipitoi në SPAK brenda 4 ditësh. Të martën ai u thirr në Prokurorinë e Posaçme, ku qëndroi mbi 7 orë, të enjten dorëzoi në Kuvend mandatin e deputetit dhe të premten iu komunikua akuza për shpërdorim detyre.

Ndryshe nga 4 ditë më parë kur hyri vetëm në SPAK, sot kur doli nga porta e Prokurorisë së Posaçme, teksa shoqërohej nga një avokate, zoti Çyrbja nuk bëri asnjë koment për shtypin, ndërsa u tha gazetarëve që informacionin ta kërkojnë nga SPAK-u.

Më herët ai është shprehur që mbetet i gatshëm të paraqitet në SPAK sa herë që të thirrej nga prej institucioneve të drejtësisë. Hetimet nisën nga një kallëzim prej Partisë Demokratike për shpërdorim detyre në hipotekën e Durrësit më shumë se 7 vite më parë.

Çështja e deputetit Çyrbja ka qenë nën hetim për një kohë të gjatë, ndërsa sot atij iu komunikua zyrtarisht akuza e shpërdorimit të detyrës gjatë viteve kur drejtonte Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qytetin bregdetar të Durrësit, ku edhe fitoi dy mandate si deputet i Partisë Socialiste në pushtet.

Akuza mbështetet, siç mësohet jozyrtarisht nga burime pranë SPAK-ut, mbi shkelje të dyshuara që gjenden në 4 praktika të ndryshme legalizimesh dhe certifikata pronësish kur ai drejtonte Hipotekën e Durrësit.

Opozita e paditi Çyrbjen edhe për shpërndarje leje legalizimesh për qëllime elektorale para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, kur ai mori edhe mandatin e parë të deputetit, por mesa duket kjo pjesë nuk është përfshirë dhe akuza ndaj tij është vetëm për shpërdorim detyre.

Dosja i përket çështjeve të mbartura në SPAK nga prokuroria e krimeve të rënda, e cila e ka marrë në pyetje zotin Çyrbja vite më parë.

39 vjeçari Jurgis Çyrbja, i lindur në Shijak, është prej dy mandatesh qysh nga viti 2017 deputet i Qarkut të Durrësit, deri dy ditë më parë, kur dorëzoi vet mandatin e deputetit. Ai tha se mandatin po e dorëzonte për arsye shëndetësore.

Megjithatë në informacionin e Kuvendit ai ende figuron deputet i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, anëtar i përhershëm i komisionit parlamentar për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, anëtar i sekretariatit për procedurat, votimet dhe etikën.

Pas studimeve për drejtësi në vitin 2010, Jurgis Çyrbja ka punuar si avokat dhe më pas pedagog në Universitetin e Durrësit. Ai ka drejtuar Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës në vitet 2013-2016, kohë kur edhe organi i akuzës ka hetuar shpërdorimin e detyrës./VOA

Të këshilluara

ide

Mbi kufinjtë politikë të protestës sociale

E vetmja mënyrë për ta vrarë potencialin e protestës sociale është nëpërmjet llogjikës së vjetër politike se qelbësira në pushtet rrëzohet vetëm me një aleancë të madhe qelbësirash në opozitë

09:48 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

90.84

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Kur një fjali në studio kushton 100 mijë lekë

Gjashtë vendime të firmosura nga AMA më 30 tetor, për shkelje të pretenduara të standardeve etike dhe transmetim të deklaratave që, sipas autoritetit, nxisin urrejtjen apo justifikojnë dhunën. Gjobat kanë hapur debat mbi kufijtë e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësinë e televizioneve, ndërsa gazetarët i shohin ato si një formë presioni që rrezikon të nxisë vetëcensurën në studio dhe redaksi.

20:47 Gisela Troplini

Me sytë katër

PAPARAZZI