Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në fjalimin e së premtes se ekspertët ligjorë ishin kundër shpalljes së pushtimit të Kosovës. Pak ditë më parë në mediat serbe thuhej se kreu i shtetit serb do të deklaronte një gjë të tillë.
“Ne nuk duhet t’u japim atyre statusin e një force të armatosur legale. Ne nuk do t’u japim atyre ligjshmëri dhe legjitimitet sepse ata nuk e kanë atë. Vetë njohja e pushtimit është vepër kriminale”, shpjegoi ai.
Ai pretendoi se policët shqiptarë provokojnë serbët nga kafenetë dhe më pas u nxjerrin atyre distinktivët.
“Ne nuk do ta heqim qafe Kosovën, por do të ndihmojmë popullin tonë dhe të gjitha këto po i bëjmë. Ne nuk duam luftë, ne duam t’i realizojmë të drejtat tona në paqe. Nuk do të jetë e lehtë, do të jetë e barabartë.
Do të hapin urën në Ibër, kjo është dëshmi se ata duan konflikte dhe do të sulmojnë shkollat dhe spitalet, ata do të sulmojnë gjithçka, ne do të mbijetojmë dhe do të bëjmë më shumë për njerëzit tanë, dhe ata nuk do të munden.
Për të na ndalur ata ëndërrojnë për anëtarësimin e tyre dhe e kanë ëndërruar për dhjetëra vjet, ata nuk kanë dashur të flasin seriozisht, vetëm duan të persekutojnë serbët”, u shpreh ai.
Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç për Kosovën.
Në një adresim para kombit, Vuçiç ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
"Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut". Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para adresimit të Vuçiqit, Parlamenti serb do të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. ©LAPSI.al