Flash

KFOR: Situata e sigurisë në veri, e qetë por edhe delikate

Lapsi.al 9 September 2024
KFOR: Situata e sigurisë në veri, e qetë por edhe delikate

Zyrtarë të KFOR-it e kanë përshkuar si të qetë, por të brishtë situatën e sigurisë në vend, posaçërisht në veriun e populluar kryesisht me serbë. Veç patrullimeve të pavarura, ata thanë se janë duke kryer patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, si dhe patrullime paralele me forcat e armatosura serbe përgjatë vijës kufitare, në funksion të garantimit të sigurisë.

Patrullime në formate të ndryshme është duke realizuar KFOR-i në të gjitha pjesët e Kosovës, kanë konfirmuar zyrtarë të kësaj force përmes një zëdhënësi. Tek kanë treguar se patrullimet mbështeten në mandatin që u buron prej OKB-së, zyrtarë të KFOR-it thanë se situata vazhdon të jetë e brishtë, posaçërisht në veriun e populluar kryesisht me serbë.

Veç në veri, KFOR-i përmes komunikatave të ndryshme javët e fundit ka njoftuar për patrullimet e bëra edhe në qytete të tjera.

“Ne e zbatojmë mandatin tonë të OKB-së në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, përmes aktiviteteve të ndryshme. Këto përfshijnë patrulla të rregullta, të cilat kryhen në formate të ndryshme, si patrullimet e pavarura të KFOR-it në të gjithë Kosovën dhe përgjatë vijës kufitare administrative, patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe patrulla të sinkronizuara, paralele me forcat e armatosura serbe në anët përkatëse të vijës kufitare administrative”, kanë thënë nga Zyra për informim e KFOR-it përmes një përgjigjeje me shkrim.

Në komunikatat e publikuara së fundi, u tha se pjesëtarë të KFOR-it kanë kryer patrullime përgjatë vijës administrative të kufirit në Prishtinë dhe Istog, në funksion në konsolidimit të stabilitetit rajonal.

Në KFOR kanë shtuar se, këto patrullime si dhe angazhimet me të gjitha komunitetet lokale – përfaqësojnë një demonstrim konkret dhe të prekshëm të përkushtimit afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe për stabilitet të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën. Ne kemi një prezencë të dukshme, fleksibile dhe të përshtatshme, që na mundëson të trajtojmë çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në mënyrë efektive, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në përgjigje.

Të pyetur për situatën e sigurisë pas paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, në KFOR thanë se situata është e qetë, por e brishtë.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por ajo mbetet e brishtë, veçanërisht në veri të Kosovës. Ne po monitorojmë nga afër zhvillimet dhe mbajmë një prani të dukshme dhe të përshtatshme përmes patrullimeve të rregullta dhe angazhimeve me komunitetet lokale”, thuhet tutje në përgjigje.

Në KFOR shtuan se vijojnë të operojnë në Kosovë si reagues i tretë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

“Ne vijojmë të përmbushim mandatin tonë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i operon si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë, respektivisht”, kanë deklaruar në KFOR.

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI