Flash

Protestë për librat shqip/ Si i gënjeu Rama shqiptarët e Preshevës

Lapsi.al 12 August 2024
Protestë për librat shqip/ Si i gënjeu Rama shqiptarët e

Premtimeve nga Tirana, se Vuçiçi do të vërë dorën në zemër dhe do të lejojë mësimin me libra shqip në shkollat e Luginës, u ka dalë boja. Prandaj, në Preshevë shqiptarët u bënë bashkë për të ngritur zërin kundër diskriminimit serb, që paralel me ndalimin e librave, ka intensifikuar përpjekjet për pasivizimin e adresave.

Protesta u thirr për identitet dhe dinjitet. Me këto dy qëllime qytetarë të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dolën në tubim me flamujt kuqezi dhe nën tingujt e himnit kombëtar, ndërsa mbajtën një minutë heshtje për dëshmorët e luftës.

Kërkesat modeste, s'kanë ngjashmëri me asnjë vend tjetër të Ballkanit; libra shqip nëpër shkolla dhe ndalim i pasivizimit të adresave të shqiptarëve, si një formë moderne e spastrimit etnik.

Takimi nisi me fjalimin e deputetit shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, që ishte një nga organizatorët e tubimit.

"Pse po ndodh diskriminimi? Sepse piromanët e djeshëm janë shndërruar në zjarrfikës të sotëm. Kanë veshur petkun e reformatorëve demokratikë, por nuk kanë arritur asnjëherë të bëjnë shkëputjen me të kaluarën. Nuk arritën që të heqin dorë nga politikat e kaluara. Aq më keq, me projekte si "bota serbe" po synojnë realizimin e synimeve të viteve 90 kudo që jetojnë" tha ai.

Kamberi solli shembuj jashtë kufijve të shtetit serb, kur bëri krahasimin mes shqiptarëve të Luginës dhe minoriteteve serbe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai vuri në dukje se si serbët ankohen kur shkelen privilegjet e bashkëatdhetarëve të tyre jashtë vendit, ndërkohë që refuzojnë respektimin e të drejtave për pakicat brenda Serbisë.

"Beogradi po luan me standarte të dyfishta. Kërkon për serbët në shtetet e Ballkanit Perëndimor të drejtat e tyre, por refuzon t'i japë pakicave brenda territorit të vet. Kjo politikë e standarteve të dyfishta duhet refuzuar, jo vetëm për hir të shqiptarëve, por për hir të paqes së qëndrueshme" u shpreh deputeti shqiptar.

Mësues dhe studentë treguan se si u mohohen tekstet shqip në shkolla para protestuesve që mbanin në duar pankartat ku shkruhej "Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”.

Profesori i gjuhës shqipe, Llukman Misini tha se nxënësev shqiptarë po u ndalohen tekstet e historisë dhe të gjeografisë, për të mohuar historinë e Kosovës.

"Ne po vazhdon të na mohohet sigurimi i teksteve shkollore nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë dhe po tentohet të na imponohet vetëm përkthimi i teksteve ekzistuese nga gjuha serbe. Po na ndalohet historia si lëndë dhe libri i historisë ku përshkruhet historia shqiptare. Po na mohohet gjeografia si lënë dhe gjeografia si libër për shkak të përshkrimit të Kosovës shtet" tha mësuesi i shkollës së mesme.

Studenti Enis Fejzullahu preku çështjen e mosnjohjes së diplomave. "Studentin e Luginës së Preshevës gjatë kohës së studimeve e pas diplomimit e përcjell barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se pas përfundimit të studimeve e frika që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij, në vendin e tij” u shpreh ai.

Një nga organizatorët, Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, tha se shqiptarët janë etnia më e urryer nga shteti serb, megjithëse në këtë vend jetojnë 24 pakica të ndryshme kombëtare.

Librat shqip për shqiptarët e Preshevës janë një shqetësim i vjetër, me të cilin dikur po merrej Kosova. Por që kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u afrua me presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai mori përsipër ta zgjidhë këtë çështje duke provokuar edhe xhelozi mes shqiptarëve të Kosovës për anashkalimin që po u bëhej.

Në kohën kur Rama nisi të premtonte librat shqip për shkollat në Preshevë, 100 mijë libra prisnin në kufi të dërguar nga qeveria e Kosovës.

Por asokohe Rama e rrëmbeu kauzën e librave shqip dhe nën pozitat e liderit mbarëkombëtar u premtoi shqiptarëve të Luginës se furnizimit me libra do t'u hapej rruga shumë shpejt. Fjalën ia kishte dhënë Vuçiçi në takimin e Nishit.

Statusi që shihni më poshtë është shkruar rreth 8 vite më parë nga Rama, i cili sapo kishte nisur projektin e Nishit, të njohur ndryshe si "Minishengeni ballkanik" apo "Ballkani i Hapur".

"Sot kryeministri Vuçiç, në takimin e përbashkët të zhvilluar në Nish me të njëjtën përfaqësi, u angazhua se do ta mundësojë kalimin e teksteve tona shkollore në Luginën e Preshevës" ka shkruar Rama.

Bashkë me 4 mijë pëlqime për premtimin në rrjetet sociale, Rama mori edhe vlerësimin “Personaliteti i vitit”, nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.

“Edi Rama është i vetmi Kryeministër i Shqipërisë, i cili vizitoi shqiptarët të diskriminuar në Luginën e Preshevës për të përmirësuar gjendjen e tyre" shkruhej në vlerësimin që i bëhej Ramës.

Kuptohej se preshevarët, të lodhur nga diskriminimi i gjatë, panë dritë në fund të marrëdhënies së re që Rama nisi të ketë me Vuçiçin. Kryeministri i Shqipërisë ia ushqeu më tej shpresën me deklaratat e tij.

Çështja e librave shqip në shkollat e Luginës ka qenë një temë për të cilën ai ka premtuar zgjidhje vazhdimisht.

“Për të kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që ne bëjmë me Serbinë si Shqipëri, shkoni pyesni shqiptarët e Preshevës" shprehej ai në një intervistë në Klan Kosova.

Pastaj, për ta bërë më të qartë se sa e mirë ishte marrëdhënia e re me Serbinë, vazhdonte: "Më kanë kërkuar që unë të flas me kryeministrin e Serbisë, për librat. Kjo nuk kishte lidhje me librat e historisë. Por janë libra tanë të rinj, të sistemit të reformuar arsimor" shprehej Rama.

Marrëveshja që Rama arriti me Vuçiçin, sipas mediave të Kosovës ishte problematike. Sepse i lejonte Tiranës të furnizojë nxënësit shqiptarë në komunat Preshevë, Bujanoc e Medevgjë me tekste mësimore në gjuhën shqipe, kryesisht të shkencave ekzakte, por jo të shkencave shoqërore.

Problemi mbetej, sepse konteksti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndronte tek historia, gjeografia dhe gjuha e letërsia shqipe.

Në vitin 2019, kur zv.ministër i jashtëm ishte Gent Cakaj, qeveria shqiptare njoftoi se kishte bërë gati buxhetin për librat shqip të shkollave të Preshevës. Në vitin 2020, kur ministre e arsimit ishte Besa Shahini, tema ngacmohej sërish, kësaj radhe me një video-montazh shoqëruar me titrat përkatëse. Shiko më poshtë:

“LIBRA SHKOLLORË SHQIP për shqiptarët në Serbi për arsimin parauniversitar. Shumë më pranë shqiptarëve të Luginës me qëllim ofrimin e arsimit sa më cilësor në gjuhën shqipe❤️”, shkruante Rama në 2020.

Por ende sot librat shqip në shkollat e Preshevës mungojnë. Historia dhe gjeografia thonë mësuesit merren ende me shënime, ndërsa vendet fqinj kanë kaluar në mësimdhënien e kompjuterizuar. Premtimet e Ramës janë harruar, ndërsa kamionët me 100 mijë libra që qeveria e Kosovës kishte parkuar në kufi me Serbinë u kthyen mbrapsht.Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI