Flash

Himara, guri i fundit kilometrik i votës dhe demokracisë

Lapsi.al 5 August 2024
Himara, guri i fundit kilometrik i votës dhe demokracisë

Grabitja e bashkisë së Himarës nga Edi Rama, nëpërmjet një procesi zgjedhor të imponuar me dhunë pas humbjes me votë në 14 majin e kaluar, i dha fund shkapërdhimit publik të një shteti të tërë në funksion të interesave të kryeminstrit.

Ky proces i degraduar, për t’i dhënë legjitimitet grabitjes së vullnetit të himariotëve një vit më parë, shënoi disa rekorde që do të mbeten si shenja të pashlyeshme të ekzekutimit përfundimtar të demokracisë përfaqësuese dhe votës së lirë. Për herë të parë, hapur dhe botërisht, Edi Rama nuk e mori përsipër personalisht gjithë mëkatin e vrasjes së zgjedhjeve. Ai bëri bashkëfajtorë çdo hallkë të shtetit shqiptar, që presupozohej si garanci për qytetarët dhe si kontroll e balancë e ekzekutivit. Në rrëmbimin e mandatit të Fredi Belerit u investuan policia e shtetit, prokuroria e Vlorës, SPAK, Gjykata Speciale, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, KQZ dhe President Bajrami.

Sfida e kryeministrit për të mbajtur me çdo çmim Himarën, u shndërrua në nënshtrim për të gjithë shtetin që nuk guxoi në asnjë rast të reagonte përballë precedentit më të rrezikshëm për demokracinë dhe zgjedhjet e lira. Himara, e kthyer tashmë në një minierë floriri për Rilindjen, do të ketë të njëjtin kolonizator, ndërsa himariotët do të vijojnë të këmbejnë “arin” e tyre me copat e pasqyrës në facebook-un e kryeministrit.

Zyrtarizimi i vjedhjes së mandatit të Belerit, do të mbahet mend edhe për fundin e iluzioneve të opozitës se regjimi mund të mposhtet me votë dhe kotësinë e zgjedhjeve në një vend ku i gjithë shteti është nën urdhërat e një njeriu të vetëm. Pjesmarrja e opozitës në procesin e montuar të Himarës, i bëri të duken si zgjedhje një palë votime të paracaktuara që natën kur Fredi Belerit iu hodhën prangat. Të flasësh më pas për manipulim votash, kur përdhunimi i gjithë sistemit kishte ndodhur ditën për diell, nuk ka asnjë vlerë. Pas Himarës, opozita nuk mund të ketë më objektiv proceset zgjedhore, por rezistencën.

Lexo edhe: Tavo fiton thellë bashkinë, por humbet Himarën

Që nga ndryshimi i hartës territoriale në vitin 2015, kur Rama i bashkëngjiti Himarës fshatrat e Lumit të Vlorës dhe Lukovën, dhe batërdia që ndodhi më pas me pronat dhe betonizimin e jugut, u pa qartë se në thelb nuk ishte përpjekja për flamurin por grykësia për fitimin. Sot, “patriotët” e motivit të çjerrë se Himara nuk është minoritet, do të kenë kryetar një minoritar të njohur zyrtarisht si të tillë. Sepse për Ramën, që i ngre bust Kostandin Micotaqisit në Shqipëri, nuk ka pikë rëndësie ngjyra e flamurit, por miniera e arit ku ushqehen interesat e tij. Njerëz të afërt të kryeministrit, eksponentë të rilindjes, oligarkë që zgjidhin thesin në fushata, banditë të devotshëm në zgjedhje dhe mercenarë që janë të gatshëm të shërbejnë në gjunjë, janë ata që sot gëzojnë copat e dhuruara të Himarës, ndërkohë që banorët nuk ngrenë dot një mur për të rrethuar shtëpitë e tyre.

Lexo edhe: Media greke: Rama i kërkon Vangjel Tavos të drejtojë Bashkinë e Himarës

Pjesa më e bukur dhe më e shtrenjtë e bregdetit shqiptar, do të vijojë të administrohet nga Edi Rama, nëpërmjet Vangjel Tavos si kukull e një mandati të grabitur. Për herë të parë, Himara do të ketë në krye një jo himariot dhe, ironia më e madhe që, megjithë dhunën shtetëore, humbi thellë pikërisht aty ku është bërë batërdia rilindase, në Dhërmi dhe Himarë. Një statistikë, si shenjë e fundit për të rezistuar ndaj valës së babëzisë, por që nuk ka asnjë vlerë pas rrëzimit të përdhunshëm të një shteti të tërë. Me bashkëfajësinë e drejtësisë së re dhe me votat e Lumit të Vlorës, kryeministri do të vijojë të ndajë llokmat e bregut njësoj sikur t’i kishte në letrat e Petro Kolekës.

Himara shërbeu dje si guri i fundit kilometrik i një udhëtimi iluziv në demokracinë shqiptare. Aty u gdhend nënshtrimi i një shteti të tërë, grabitja me burg e një mandati, tallja me vullnetin e qytetarëve dhe përdorimi i votës si letër higjenike, nga një njeri që dikur erdhi si iluminist dhe përfundoi si kambist. Kambist i interesave që i garantojnë pushtetin absolut./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI