Flash

Edhe Trump nën plumba/ Historia e gjatë e dhunës kundër presidentëve të SHBA

Lapsi.al 14 July 2024
Edhe Trump nën plumba/ Historia e gjatë e dhunës kundër

Vrasjet politike në Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë dhe shqetësuese.

Tentativa për vrasjen e Donald Trump, i cili i shpëtoi për pak vdekjes kur një plumb i preku veshin e djathtë ndërsa po fliste në një takim fushate në Pensilvani të shtunën, nxjerr në pah rrezikun e atyre që kërkojnë vota në një vend, kushtetuta e të cilit u garanton qytetarëve të drejtën për të mbajtur armë.

Lexo më tej: Atentat ndaj Donald Trump, të shtënat me armë në mitingun në Pensilvani 

Trump i bashkohet një klubi jo dhe aq ekskluziv të presidentëve, ish-presidentëve dhe kandidatëve presidencialë të SHBA-së, të cilët kanë qenë objektiv i plumbave. Nga 45 personat që kanë shërbyer si president, katër janë vrarë gjatë kohës që ishin në detyrë.

Duke pasur parasysh statusin thuajse mitik të presidentëve të SHBA-së dhe rolin e superfuqisë së vendit, vrasjet politike godasin në zemër të psikikës amerikane.

(Në këtë foto të 22 nëntorit 1963, Presidenti John F. Kennedy udhëton në një autokolonë me gruan e tij Jacqueline pak çaste përpara se të qëllohej dhe vritej në Dallas, Teksas)

Vrasja e Abraham Lincoln në 1865 dhe ajo e John F. Kennedy në 1963 janë momente kyçe në historinë e Shteteve të Bashkuara. James Garfield (1881) dhe William McKinley (1901) mbahen mend më pak, por megjithatë vdekja e tyre tronditi kombin në atë kohë.

Pas vrasjes së McKinley-t, Shërbimit Sekret të SHBA-së iu dha detyra për të ofruar mbrojtje me kohë të plotë për presidentët.

Presidenti i fundit amerikan që u qëllua ishte Ronald Reagan, i cili u plagos rëndë dhe iu desh një operacion urgjent në 1981.

Reagan po largohej nga një hotel në Uashington pasi mbante një fjalim kur John Hinckley Jr. qëlloi me një pistoletë të kalibrit 22. Një nga plumbat bëri një rikoshetë tek limuzina e presidentit dhe e goditi atë nën sqetullën e majtë. Reagan kaloi 12 ditë në spital para se të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

(Në këtë foto të 30 marsit 1981, Presidenti Ronald Reagan, në qendër, shfaqet duke u futur në limuzinën e Presidentit nga agjentët e shërbimit sekret pasi u qëllua jashtë një hoteli në Uashington)

Është qëlluar edhe ndaj presidentëve të tjerë, por për fat të mirë nuk janë plagosur.

Në vitin 1933, një person i armatosur qëlloi pesë të shtëna në makinën e Presidentit të atëhershëm të zgjedhur Franklin D. Roosevelt. Roosevelt nuk u godit, por kryetari i bashkisë së Çikagos, Anton Cermak, i cili po fliste me Roosevelt pasi presidenti i sapozgjedhur kishte bërë disa komente të shkurtra për publikun, u plagos dhe vdiq 19 ditë më vonë.

Në shtator të vitit 1975, presidenti Gerald Ford i mbijetoi dy atentateve të veçanta, të dyja nga gra. E para erdhi më 5 shtator kur Lynette (Squeaky) Fromme, një ndjekëse e liderit të kultit Charles Manson, u përpoq të qëllonte Fordin teksa po ecte nëpër një park në Sacramento, Kaliforni, por arma e saj nuk u shkrep. Më 22 shtator, Sara Jane Moore, një grua me lidhje me grupet radikale të krahut të majtë, qëlloi në drejtim të Ford-it teksa po ai largohej nga një hotel në San Francisko, por s'e goditi dot Presidentin.

Kandidatët presidencialë nuk janë përjashtuar nga tentativat për vrasje, duke përfshirë më së shumti senatori Robert F. Kennedy, i vrarë në 1968, dhe George Wallace, që u qëllua dhe mbeti i paralizuar në 1972.

Në vitin 1912, ish-presidenti Theodore Roosevelt u godit në gjoks nga një plumb i kalibrit .38 teksa po bënte fushatë për të rifituar Shtëpinë e Bardhë. Por pjesa më e madhe e goditjes së plumbit u zbut nga objektet në xhepin e gjoksit të xhaketës së Roosevelt. Edhe pse u qëllua, Roosevelt vazhdoi të mbajë një fjalim fushate me plumbin ende në gjoks.

Figura të tjera me pushtet politik të rëndësishëm, nëse nuk janë zgjedhur, gjithashtu u është ndërprerë jeta nga të shtënat me armë zjarri, veçanërisht Martin Luther King Jr. në vitin 1968, vetëm disa muaj para vdekjes së Bobby Kennedy.

Në një vend me më shumë armë se sa njerëz dhe me armë zjarri lehtësisht të disponueshme, nuk është për t'u habitur të shtënat janë mjetet e preferuara për të vrarë ose tentuar për të vrarë mbajtësit e posteve politike.

Ashtu si Trump, shumica e tentativave për vrasje ndodhin kur kandidatët dhe politikanët janë në hapësira publike me turma njerëzish aty pranë. Ka një histori të gjatë të politikanëve që këmbëngulin, kundër këshillës së këshilltarëve të tyre të sigurisë, të marrin pjesë në tubime që rrezikojnë sigurinë e tyre. Trump ishte jashtëzakonisht me fat që shpëtoi vetëm me lëndime të lehta.

©Lapsi.al 

Të këshilluara

Sulm izraelit në Gazë, νriten 71 persona

Një sulm izraelit në jug të Gazës ka vrarë 71 persona të shtunën, më 13 korrik, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazë, duke shtuar se dhjetëra të tjerë janë plag...

19:50

ide

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

94.22

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI