Flash

BIRN: Gjykata e Lartë i cilësoi hipotetike pretendimet e KPK për pasojat që do të sillte transparenca për sponsorin privat

Lapsi.al 27 May 2024
BIRN: Gjykata e Lartë i cilësoi hipotetike pretendimet e KPK për

Pretendimet e Komisionit për ekzistencën e një dëmi të menjëhershëm dhe të pariparueshëm që mund të pasjellë ekzekutimi i vendimit gjyqësor i formës së prerë i Apelit Administrativ – i cili e detyron publikimin e emrit të sponsorit privat që i financoi një aktivitet luksoz në bregdet, vlerësohen nga Gjykata e Lartë si hipotetike, pa ndonjë argument ligjor.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i ka cilësuar si hipotetike parashtrimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ardhjen e pasojave të rënda e të pariparueshme nga ekzekutimi i vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Administrativ, që e detyron të publikojë emrin e sponsorit të një aktiviteti në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë, në shtator të vitit 2021.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Lartë, parashtrohet gjithë ecuria e procesit, prej paraqitjes së kërkesës për informacion që BIRN i drejtoi Komisionit lidhur me burimet e shpenzimeve të këtij aktiviteti; procesi pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale që urdhëroi vendosjen në dispozicion të kopjes së plotë të marrëveshjes së sponsorizimit; vendimarrjen e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë që i dha të drejtë KPK-së duke marrë në konsideratë pasojat financiare për këtë institucion; vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ që detyron me formë të prerë vendosjen në dispozicion të të dhënave të plota; si dhe parashtrimet e detajuara të Komisionit në kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi, që duket se janë të ngjashme me pretendimet e paraqitura në rekursin që pritet të shqyrtohet më 11 qershor.

“Kolegji konstaton se kërkuesi nuk ka paraqitur ndonjë argument ligjor në funksion të kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit. Shkaqet e parashtruara në kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit në thelb synojnë të kundërshtojne ligjshmërinë e kësaj vendimarrje”, vlerëson Kolegji Administrativ, i kryesuar nga gjyqtari Sokol Sadushi dhe me anëtarë gjyqtarët Gentian Medja dhe Sokol Ngresi.

Ata arsyetojnë se, për caktimin nga gjykata të masave të përkohshme procedurale ligji kërkon ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm, se e drejta subjektive apo interesi i ligjshëm i subjektit paditës apo ankues cenohet nga veprimet apo mosveprimet e palës kundërshtare apo vendimi i gjykatës. Ata shtojnë, se kërkohet që në rrethanat e çështjes të ekzistojë një rrezik i atëçastshëm dhe i njohur për shkaktimin e një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm nëse masa e përkohshme nuk merret nga gjykata.

Sipas Gjykatës së Lartë, argumentet e parashtruara të palës kërkuese duhet të jenë konkrete dhe të referuara edhe në fakte dhe prova që vërtetojnë ekzistencën e tyre.

“Si rregull i përgjithshëm nuk janë të mjaftueshme vetëm shkaqet ligjore të përmbajtjes së rekursit për të pranuar kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, pasi shqyrtimi në themel i rekursit ndryshon nga shqyrtimi i kërkesës për pezullim,” shprehet Gjykata e Lartë.

“Mungesa në kërkesën e paraqitur e këtyre argumenteve ligjore passjell mospranimin e kërkesës për pezullim”, vlerëson Kolegji Administrativ dhe nënvizon se vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për t’u zbatuar.

“Lidhur me rastin konkret Kolegji evidenton se kërkuesi në mënyrë hipotetike parashtron mundësinë e ardhjes së pasojave të rënda e të pariparueshme duke lidhur qëndrimin e tij me çështje që nuk i përkasin procedurës së pezullimit të ekzekutimit të një vendimi të formës së prerë, por një faze tjetër që lidhet me bazueshmërinë në ligj të shkaqeve të rekursit”, evidenton Gjykata e Lartë dhe bazuar në këto arsyetime ka vendosur të mos pranojë kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit që e detyron KPK-në të vendosi në dispozicion kopje të plotë të dokumentit të kërkuar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është institucion kushtetues, i krijuar në kuadër të Reformës në Drejtësi për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim final rikthimin e besimit të publikut te drejtësia.

Përgjatë mandatit të tij, qindra magjistratë kanë dhënë llogari përballë KPK-së dhe janë penalizuar me shkarkim për dhuratat apo sponsorizimet e përfituara nga personat e tretë, të cilat janë vlerësuar në dritën e konfliktit të mundshëm apo në dukje të interesit. Vetë anëtarët e KPK-së refuzojnë t’i nënshtrohen të njëjtit standard, duke mbajtur të fshehtë emrin e një sponsori që u financoi një aktivitet në vitin 2021.

“[…]Mbi ç’bazë standardi i transparencës, zbatuar tashmë gjatë procesit të vettiung-ut të gjyqtarëve në detyrë, nuk duhet zbatuar edhe për komisionerët quasi gjyqtarë?”, shtron pyetje trupi gjykues i Apelit Administrativ./BIRN

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI