Me eksperiencën që ka për t'i bërë për vete gazetarët, është e vështirë që Rama të lëshojë mufka të paqëllimta sinqeriteti, aq më tepër me të huajt, që shpesh i përcjell të mahnitur nga pasionet e tij për vizatimin apo për bojatisjen e pallateve të Tiranës, edhe 20 vjet pasi kjo ka ndodhur. Por gazetari i La Repubblica, Gerardo Greko (Lexo ketu artikullin e plote) ka shkruar për një moment konfidencialiteti mes tij dhe Ramës në rrëfimin që i mori kryeministrit të Shqipërisë në kafen e një hoteli në Tiranë dhe kur, Rama i vuri në dyshim funksionimin e qendrave të refugjatëve në Shëngjin dhe në Gjadër, për të cilat Xhorxhia Meloni mori përsipër të shpenzojë mbi 800 milion euro nga taksat e italianëve.
Nga shkrimi në gazetën La Republica, që ka në qendër të tij bisedën mes Ramës dhe gazetarit italian, del se as vetë kryeministri i Shqipërisë nuk e beson se projekti do të funksionojë. Madje, se problemi sipas Ramës nuk qëndron te projekti në vetvete, por tek emri i kryeministrit të Italisë.
Shkrimi i "La repubblica" nis me mesazhet që shkëmben gazetari italian me kryeministrin shqiptar. Pastaj prezantimi, dy batuta në kafe për vonesat e punimeve në Gjadër dhe "Papritur,-shkruan gazetari italian,- Rama bëhet konfidencial".
"Miku im, qendra (e refugjatëve, shën. i Lapsi.al) gjithsesi pas ca muajsh do të jetë gati. Kjo (vonesa shën i Lapsi.al) nuk është asgjë. Problemi do të jetë si ta vësh në punë. Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat; si do t'i xhirosh 3000 mijë persona në 28 ditë me burokracinë italiane dhe me rregulloret europiane?" ka thënë Rama.
Rama, shkruan La Repubblica parashikon ankimime, beteja të tjera politike dhe e merr parasysh se ligjet në Itali nuk janë ato të Shqipërisë.
Fill pas kësaj, gazetari bën një shpjegim në shkrim, që ky ndryshim kursi i kryeministrit të Shqipërisë e ka një logjikë politike në prapavijë. Dihet se marrëveshja me Melonin për refugjatët është shoqëruar me një ftohje të Ramës me të majtën europiane. Në mars ai nuk ishte as në Kongresin e radhës të PSE dhe një nga arsyet ishin qendrat e refugjatëve që ka pranuar me kërkesë të Melonit, projekt që nuk shihet me sy të mirë nga socialistët europianë. "Për pasojë, po kërkon të lëshojë ndonjë sinjal përafrimi" shkruan gazetari italian.
"Edhe ky plani Mattei, -citohet Rama me mosbesimin e tij për nismat e qeverisë së Melonit,- si do ta vësh në punë? Po, mund të bësh marrëveshje, të hapësh qendra në Tunizi, ose në Libi. Por e di sa para duhen investuar për trafikun e refugjatëve në ato brigje? Organizimi i tyre qëndron shumë lart"
Këshilla e radhës për italianët vjen natyrshëm, pas gjithë këtyre probleme që sheh kryeministri i Shqipërisë në marrëveshjen mes tij dhe Melonit. "E di kush ju duhet? Ju duhet D'Alema!" citon Ramën gazetari italian.
"Kryeministër, po D'Alema ku hyn këtu?" e pyet gazetari italian. Dhe Rama kthehet pas në kohë për t'i treguar se çfarë bëri D'Alemma kur gjirin e Vlorës në vitin 1998 e kontrollonin skafistët.
"Deri kur erdhi Massimo, që vuri një radar në ishullin Saseno, në kanalin e Otrantos, u hapën kanale për kalimin e lehtësuar të trafikantëve dhe pak nga pak, gjithçka mbaroi; sot janë gjysëm milioni shqiptarë që jetojnë në Itali" shpjegon ai.
Nga ky moment, gazetari sheh se diçka nuk shkon në marrëdhënien mes Ramës dhe Xhorxhia Melonit. E paralelizon këtë situatë edhe tek selfiet që turistët italianë i kërkojnë Ramës, por që falë gjatësisë së tij dalin me një paradoks. Kryeministri gjigand dhe tjetri në foto, shumë më i shkurtër. "Të zhgënjyer, shohin foton dhe thonë: "është si me Melonin... në disproporcion" citon La Repubblica.
Shkrimi me titull "Rama shkarkon Melonin "Qendra do jetë dështim" të bën të mendosh se marrëdhëniet mes Ramës dhe Melonit kanë nisur të krisen, por që në orët e para të mëngjesit, Rama mohon gjithçka. "As kam ndryshuar ide, as kam dhënë intervistë" shkruajti ai në X.
Për atë që ka thënë në bisedën me gazetarin Gerardo Greko, nuk e mohon admirimin për zgjidhjen që i dha D'Alema fluksit të refugjatëve nga Shqipëria.
"Folëm për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësore dhe, sigurisht, edhe për marrëveshjen dhe historinë e imigracionit klandestin nga Shqipëria drejt Italisë, të cilit qeveria D’Alema arriti t’i jepte fund me një logjikë dhe largpamësi strategjike" shkruan ai.
Por pas kësaj hedh poshtë citimet e drejtpërdrejta, që i ka bërë gazetari italian.
"Kurrë, ama, nuk e kisha menduar që do të përfundoja edhe njëherë në batakun e luftës politike italiane, duke më cituar me fjalë që nuk i kam thënë kurrë, të llojit “do jetë një dështim” ose “do duhej D’Alema” nën titullin “Rama heq dorë nga Meloni”, ku nuk e gjej aspak veten" përfundon ai.
Problemet që Rama përmend për qendrat e refugjatëve janë të njëjtat që media italiane i ngre prej muajsh për të treguar se 800 milion euro rrezikojnë të jenë një investim i kotë. Por që Rama t'u këshillojë italianëve një kryeministër të majtë për krizën e emigrantëve, kjo do të ishte një kthesë e fortë në raportet me "motrën e madhe" Xhorxhia Melonin, në prag të zgjedhjeve europiane dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali./Lapsi.al