Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se takimi i Ramës në Athinë u bë për të mbuluar skandalin e vjedhjeve në bashkinë e Tiranës. Ajo që i ka bërë më shumë përshtypje është se në takim nuk foli asnjë prej emigrantëve.
“Në kulmin e betejës tonë për çlirimin e bashkisë së Tiranës, për marshin e pandalshëm drejt qeverisë teknike, Edi Rama zgjodhi të mbulojë me propagandën e tij “koprolalike”, me organizimin e një takimi me emigracionin tonë në Athinë.
U bënë shpenzime kolosale, u kontraktuan çartera dhe u shpërndanë 2-300 litra naftë për person. U shpenzuan pothuajse 1 mln euro për shoën e Edi Ramës me të cilin kërkonte që të mbulonte superskandalet, vjedhjet e veta, të Erion Veliajt dhe suitës së tij.
Por çfarë ndodhi? Çdo shqiptar duhet të ndihet krenar me emigracionin tonë në Greqi, se nuk doli një vajzë nëne, nuk doli një bir nëne, se nuk doli një shqiptar, se nuk doli një shqiptare, një grek apo grek mik i tyre, të përshëndetë Edi Ramën, por mbeti me përshëndetjen e Elisës së tij, Spiropali.
Ky refuzim, ky përçmim me heshtje të plotë, ky qëndrim përbuzës për të mos i dhënë një përshëndetje minimale, dëshmon se zëri juaj dëgjohet çdo natë. Dëshmon se Edi Rama është më i përçmuari, udhëheqës, kryeministër i Ballkanit, Europës dhe më gjerë.
T'u biesh tam tameve se do vij e do vij, të mbledhësh soj e sorollop, trafikantë, delinkuentë, kriminelë, me Pirina e Bufëra etj., e të shkosh atje e të mos gjesh një njeri të vetëm të të thotë; faleminderit që erdhe, të të japë një përshëndetje në emër të familjes së tij, të komunitetit, por të mbetesh në përshëndetjen e Elisës nuk ka mjerim më të madh, nuk ka turpërim më të madh.
Edi Rama të rezervuan përshëndetjen që meriton, armiku i tyre. Të lanë në mëshirën e Elisës të të thotë dy fjalë ngushëlluese. Ata përfaqësuan kombin sot me dinjitetin më të madh” – tha Berisha.
“Edi Rama nuk doli një njeri të të bëjë përshëndetjen më të vogël. Një refuzim të tillë nuk mban mend historia. Të gjithë e dinin se ti shkoje për sherr aty, ti shkoje për të mbjellë sherre për të mbuluar vjedhjet tuaja, të mbulosh bëmat dhe gjëmat e narkoshtetit tënd. Harrove ti se ke vendosur në Shqipëri narkoshtetin, se ke rrënuar votën e lirë, se ke bllokuar rotacionin, se do të shkatërrosh pluralizmin, se mban në arrest politik kundërshtarët e tu.
Se për pronat e Olta Xhaçkës dhe Olsi Ramës u vë kazmën marrëdhënieve me fqinjin shekullor. Edhe njëherë mendove se do ti joshësh ata, siç josh këtu ndonjë lake tëndin që lëpin kockat që u hedh çdo ditë me çështjen Beleri. Ata kanë vite e dekada në një vend të lirë dhe demokratik. Ata e dinë siç duhet ta dijë çdo shqiptar se prezumimi i pafajësisë është ligj universal pa të cilin nuk ka liri dhe se ti ja mohon këtë parim kundërshtarëve të tu politik.
E bën këtë se Beleri në detyrë do të nxjerrë të gjithë defterët e pista të tuat dhe të hajdutëve të tu, plaçkitje që u ke bërë pronave të himarjotëve dhe qytetarëve të bregut. Fole e stërfole, të dëgjoi Pirini, të dëgjuan bashkëhajdutët e tu. Krahasove emigrantët shqiptarë me çamët, banorë shekullorë të Çamërisë. Gjer sot nuk kisha dëgjuar kurrë. Vetëm një mendje e sëmurë si e jotja mund të bëjë një krahasim të tillë” – tha Berisha. ©LAPSI.al