Flash

Reportazhi/ "Reuters": Projekti i dhëndrit të Trump, frikë dhe shpresë në Vlorë

Lapsi.al 4 April 2024
Reportazhi/ "Reuters": Projekti i dhëndrit të Trump,

Agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters ka publikuar këtë të enjte një reportazh mbi projektin e dhëndrit të ish-Presidentit amerikan Donald Trump në ishullin e Sazanit. Të quajtur “Resorti i planifikuar i Jared Kushner në Shqipëri ngjall frikë dhe shpresë në qytetin bregdetar” ngre shqetësimet se një projekt i tillë do të cenojë natyrën, florën dhe faunën e kësaj zone.

Më poshtë reportazhi i plotë i Reuters.

Nëpërmjet dylbive, ornitologu Jon Vorpsi vëzhgon flamingot dhe pelikanët që ndalojnë përgjatë rrugëve të tyre të migrimit në një cep toke të mbrojtur në bregdetin jugor të Shqipërisë.

Vorpsi ka frikë se kjo pamje mund të marrë fund së shpejti nëse dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner vazhdon me planet për të ndërtuar një resort turistik në zonën pranë qytetit të Vlorës, i dashur nga vendasit për pyjet e tij të qeta me pisha, ullinjtë dhe shtigjet e ecjes, dhe ku lopët shihen ende përgjatë plazheve të shkreta të egra.

Kushner i zbuloi planet muajin e kaluar, si pjesë e një investimi më të gjerë nga kompania e tij Affinity Partners në Ballkan, që përfshin edhe një projekt tjetër në një ishull aty pranë në Shqipëri dhe një të tretë në një ish-seli të ushtrisë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Kushner, një ish-ndihmës i lartë i Trump kur ai ishte president, krijoi firmën e tij të investimeve pasi u largua nga puna në 2021. Projektet mund të nxisin ekonomitë lokale duke joshur vizitorët, por ato janë përballur me kundërshtimin e vendasve që kanë frikë se do të dëmtojnë mjedisin ose, në rastin e Beogradit, do të kërcënojnë vende me rëndësi kulturore.

Kushner i paraqiti planet disa javë pasi parlamenti i Shqipërisë ndryshoi një ligj që lejonte qeverinë të japë leje ndërtimi në zonat e mbrojtura për hotele ose resorte me 5 yje ose më shumë.

“Është një pikëllim i madh të dish se kjo zonë nuk do t'u shërbejë më brezave të ardhshëm” – tha Vorpsi, i cili punon për OJQ-në lokale mjedisore PPNEA.

“Për 10 vjet ky vend do të jetë një vend gri me beton”, - shtoi ai teksa po kërkonte specie të reja zogjsh përmes dylbive të tij pranë fshatit Zvërnec.

Kushner dhe Affinity Partners nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për një koment.

Që prej rënies së komunizmit në vitin 1990, Shqipëria ka luftuar me paqëndrueshmërinë ekonomike dhe politike dhe me emigracionin e përhapur, veçanërisht mes të rinjve. Por liqenet e saj alpine dhe vija bregdetare e paprekur kanë tërhequr një numër në rritje turistësh që kërkojnë një alternativë më të qetë dhe më të lirë për Greqinë dhe Kroacinë aty pranë. Vendi mirëpriti më shumë se 10 milionë turistë vitin e kaluar, 35% më shumë se në 2022.

“Vilat e Trump”

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha përshëndeti projektin e Kushnerit, i cili përfshin bankina jahtesh, pishina dhe vila ekskluzive, duke thënë se ai planifikon ta kthejë qytetin në një “destinacion turistik të nivelit të lartë” dhe zotohet që ai të mos dëmtojë mjedisin.

“Pa investime, si do t'i tërheqim gjithë këta njerëz që të vijnë këtu dhe të zgjedhin Vlorën?" - thotë Dredha. Projektin e Kushner, të cilin vendasit i quajnë “vilat e Trump”, tashmë po bën bujë.

Agjenti i pasurive të paluajtshme Flori Brahimaj thotë se çmimet për apartamentet me një pamje të mundshme mbi truallin e planifikuar të projektit tashmë janë rritur 100 - 200 euro për metër katror.

Në Serbi, Affinity planifikon të financojë një projekt luksoz në Beogradin qendror që do të përfshijë një hotel, apartamente, dyqane dhe hapësira zyrash në vendin ku qëndronte selia e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) deri në vitin 1999 kur NATO e bombardoi atë si pjesë e një fushate ajrore kundër mizorive serbe në Kosovë.

Më shumë se 26 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet për të mbrojtur dy ndërtesat që përbëjnë një vend të mbrojtur kulturor. ©Marrë nga Reuters, Përshtati në shqip LAPSI.al

Të këshilluara

Aksident në Shkodër, plagosen nënë e bir

Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, ku një kamion është përplasur me një automjet, duke lënë të plagosur dy persona. ...

18:21

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI