Flash

Euro zbret poshtë 103 lekëve, në nivelin më të ulët që nga 13 dhjetori

Lapsi.al 21 March 2024
Euro zbret poshtë 103 lekëve, në nivelin më të

Kursi i këmbimit Euro-Lek e thelloi më shumë rënien gjatë ditës së enjte dhe zbriti poshtë nivelit të 103 lekëve, për herë të parë që nga mesi i muajit dhjetor 2023.

Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 102.74 lekë, niveli më i ulët që prej datës 13 dhjetor. Kursi i Euros paraqitet në rënie me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Si zakonisht, lëvizjet e ndjeshme në një kah të caktuar të kursit të Euros përcillen edhe në kursin e këmbimit të monedhave të tjera kryesore.

Dollari Amerikan u këmbye të enjten me 94.12 lekë, niveli më i ulët që prej datës 29 dhjetor. Paundi Britanik gjithashtu shënoi nivelin më të ulët që prej fillimit të muajit janar, në vlerën e 120.2 lekëve.

Me daljen nga sezoni dimëror, Leku ka nisur një cikël të ri forcimi në kursin e këmbimit. Një tendencë e ngjashme (por që mori trajtë pak më vonë, në javën e fundit të muajit mars) u shënua edhe vitin e kaluar. Agjentët e tregut mendojnë se rikthimi i forcimit të Lekut është efekt i rritjes së prurjeve valutore nga jashtë, që tashmë lidhen kryesisht me turizmin, eksportin e shërbimeve në përgjithësi, por edhe me një interes të lartë të investitorëve të huaj për tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

Të dhënat e vitit të kaluar treguan rritje rekord të numrit të turistëve të huaj dhe të paktën deri në fund të 9-mujorit 2023 rezultatin më të mirë historik të bilancit të pagesave.

Pritshmëria e agjentëve financiarë është që trysnia mbi kursin e këmbimit të Euros të vijojë edhe përgjatë tremujorit të dytë të vitit.

Forcimi i mëtejshëm i Lekut nga njëra anë do të ulë edhe më shumë inflacionin e importuar në ekonomi. Në deklaratën e djeshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësonte se inflacioni i importuar ka dhënë kontributin kryesor në uljen e inflacionit gjatë pjesës së parë të vitit 2024. Nëse forcimi i Lekut do të vazhdojë, gjasat janë që kursi i këmbimit valutor të forcojë tendencën dizinflacioniste. Në një skenar të tillë, edhe Shqipëria mund të vendoset më shpejt nga sa pritej para dilemës për të ndryshuar kahun e politikës monetare, duke filluar uljen e normave të interesit.

Verën e kaluar, kursi i këmbimit të Euros preku nivelin më të ulët historik, shumë afër kufirit të 100 lekëve. Tendencat që po shfaqen këtë vit tregojnë se forcat e tregut e projektojnë si mjaft të mundshme thyerjen e këtij rekordi.

Forcimi i Lekut ka ndihmuar në uljen e inflacionit dhe ka ndihmuar ndjeshëm në ruajtjen e cilësisë portofolit të kredisë në valutë, duke amortizuar rritjen e normave të interesit në Euro. Por, nga ana tjetër Leku i fortë ka dëmtuar ndjeshëm sektorët eksportues të ekonomisë dhe sidomos fasonerinë. Shifrat tregojnë rënie të eksporteve të mallrave edhe në fillim të këtij viti. Një forcim i mëtejshëm i Lekut mund të godasë edhe më shumë sektorët eksportues të ekonomisë, duke filluar nga turizmi.

Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit, por në rastin kur forcimi i Lekut do të çonte në një rënie të mëtejshme të inflacionit poshtë objektivit, Banka e Shqipërisë do të ndodhej në një situatë ku ndërhyrja në kursin e këmbimit mund të jetë e justifikueshme. /Monitor 

Të këshilluara

Bullgaria çon trupa të tjerë në Kosovë

Bullgaria do të nisë një kontingjent ushtarak prej rreth 100 ushtarësh në Kosovë, në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR. Dislokimi, sipas agjencisë bullgare ...

11:32

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI