Flash

Projektet e dhëndrit të Trump/ Investimi që ndryshoi ligjin e zonave të mbrojtura

Lapsi.al 15 March 2024
Projektet e dhëndrit të Trump/ Investimi që ndryshoi ligjin e

Media amerikane Bloomberg News njoftoi sot se dhëndri i Donald Trump, Xhared Kushner synon të investojë në Shqipëri qindra miliona dollarë nëpërmjet dy projekteve turistike me kompaninë e tij, Affinity Partners. Bashkë me një projekt tjetër në Beograd, vlera e investimit mund t'i kalojë 1 miliard dollarët.

Projekti i i parë në Shqipëri do të jetë një resort luksi në ishullin e Sazanit të markës së hoteleve Aman, që është një nga markat më të shtrenjta në botë.

“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë” citon Bloomberg dhëndrin e Trump që ka shërbyer edhe si këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të vjehrrit të tij.

Projekti i dytë do të jetë në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, ku planifikohet ndërtimi i disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila.

Përgjigjia e qeverisë shqiptare

Lajmi i Bloomberg News u mor brenda ditës nga Zëri i Amerikës, që pyeti brenda ditës qeverinë shqiptare, që u përgjigj po brenda ditës. Në përgjigje, ku citohet Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit konfirmohet se kompania e zotit Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit".

Gjithsesi Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit shton se për Sazanin ka pasur edhe kërkesa të tjera që janë refuzuar sepse nuk kanë qenë "në perputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën". Ky projekt sipas përgjigjes duhet t'i nënshtrohet shqyrtimit nga disa institucione dhe të arrijë më pas tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Për rastin e Zvërnecit, ministria tha se nuk ka dijeni për një projekt të tillë.

Por në përgjigje bie në sy një paragraf i fundit, ku lihet të kuptohet se investimi amerikan i Jared Kushner shihet me sy pozitiv dhe se me gjasë qeveria shqiptare do ta miratojë. Kjo saktësohet në fjalitë e mëposhtme ku thuhet: “Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”.

Investimi që ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura

Herën e parë në Shqipëri, Jared Kushner erdhi me bashkëshorten, Ivanka Trump në verën e vitit 2021. Nga Durrësi në Himarë ata qëndruan në jahtin e tyre duke shijuar bregdetin shqiptar. Bashkë me ta ishte edhe sheiku Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSG-së. Në Butrint, i shoqëroi Auron Tare që bëri edhe ciceronin.

Herën e dytë, në verën e vitit të kaluar Jared Kushner erdhi edhe për punë Ai shoqërohej jo vetëm  Ivanka Trump, por edhe nga Richard Grenell, ish-i dërguar i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor dhe Asher Abehsera ortaku i tij në biznes.

Në prononcimin për Bloomberg News, Kushner pranon se sinjalet e para për të investuar në Shqipëri i mori pikërisht nga këta dy persona, Richard Grenell dhe Asher Abehesera. Ky i fundit është personi në të djathtë të fotos, që qëndron pranë kryeministrit Edi Rama.

Në foton më lart, grupi sapo ka dalë nga muzeu "Shtëpia e gjetheve" në Tiranë, të cilën e vizituan në verën e vitit të kaluar.

Pavarësisht se çfarë thotë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që projekti për Sazanin duhet të ende të shqyrtohet, apo se projekti për Zvërnecin nuk ka ardhur ende në ministri, është e qartë se dy biznesmenët nuk ia kanë lënë rastësisë investimin prej qindra miliona dollarësh.

Dyshimet se projekti është miratuar nga të dyja palët përforcohen edhe nga një lëvizje tjetër e mazhorancës, siç ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura dy javë më parë.

Investimet private në parkun kombëtar detar në Sazan dhe në peisazhin e mbrojtur në Zvërnec, deri pak kohë më parë pengoheshin nga ligji. "Ky detaj i vogël" ndryshoi me votën e socialistëve në parlament dhe i dha të drejtë privatit të hyjë si investitor strategjik edhe në zonat e mbrojtura për të ndërtuar hotele apo vila luksi, posaçërisht si ato që synon të ndërtojë dhëndri i Trump në bregdetin shqiptar.

Një shans i artë për Edi Ramën

Kur kryeministri i Shqipërisë i fal tokë dhe taksa investitorëve arabë, sigurisht që asgjë nuk e ndal të jetë bujar edhe me investitorët amerikanë.

Rama ka pasur rastin ta takojë vetëm një herë Donald Trump, pak sekonda në një samit të NATO-s në Kroaci. Një pamje flu e kapur shpejt ishte për të "Photo of the day". Ky investim i Jared Kushner në Shqipëri, duket një rast i artë për të pasur një kontakt me familjen Trump.

Kandidati i republikanëve për president, Donald Trump ka thënë se nuk do që e bija, Ivanka dhe dhëndri i tij Jared të përfshihen në fushatën presidenciale për Shtëpinë e Bardhë, por sërish Jared është komentuar në mediat amerikane si këshilltari i tij i preferuar, që ende e ka një rol në prapaskenë.

Për Ramën, që sapo është cilësuar një "udhëheqës i shquar" nga administrata Biden, ky kontakt me Kushner duket një "plan B", që garanton mbështetje të palëkundur, edhe nëse qytetarët amerikanë votojnë ndryshimin e administratës Biden.

Jared Kushner, së fundmi mori një investim prej 2 miliardë dollarësh nga fondi i pasurisë sovrane i kontrolluar nga Princi Mohammed,  i Arabisë Saudite. Kur opinioni publik në Shtetet e Bashkuara i kujtoi rolin e princit në vrasjen e gazetarit Xhemal Kashogi, dhëndri i Trump tha se nuk i kishte lexuar raportet e inteligjencës.

"Ajo që ndodhi ishte e tmerrshme. Por sërish, po ju them: Roli jonë është të përfaqësojmë Amerikën dhe të bëjmë që gjërat të ecin mirë në Amerikë" u shpreh ai./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI