Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku është pyetur mes të tjerash edhe për çarjen e Partisë Demokratike pasi ai përjashtoi Sali Berishën nga kjo parti.
I pyetur për përgjegjësitë e tij për këtë veprim, apo edhe i vënë përballë faktit se Berisha mbledh shumicën e votuesve dhe deputetëve rreth vetes, Lulzim Basha refuzon ti njohë shifrat kokëforta.
Më poshtë pjesë nga intervista e Bashës në VOA.
Zëri i Amerikës: Pas shpalljes non-grata të zotit Berisha ju e përjashtuat atë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por ju nuk arritët të mbanit partinë të bashkuar. Si e shpjegoni faktin që sot shumica e Partisë Demokratike mbështet zotin Berisha?
Lulzim Basha: Unë nuk do të futem në një debat numerik, i cili gjithësesi bazohet mbi perceptimet e një pale, apo një tjetre. Dua të them se të luftosh për të vërtetën, të luftosh për të drejtën vjen me sakrifica dhe me kosto të mëdha. Por të mos luftosh për to është krimi më i madh kur je në shërbim publik, në shërbim të qytetarëve, kur je në politikë, sepse praktikisht dëmton interesat e tyre, varros shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri. Politikanët kryesorë në një teatër të sinergjizuar me njëri tjetrin, faktikisht kanë vrarë shpresën në Shqipëri, dhe problemi kryesor i shqiptarëve është që sot ata nuk besojnë tek institucionet demokratike dhe tek proceset zgjedhore. Ndaj misioni ynë kryesor është që të kthejmë besimin tek politika, si një instrument ndryshimi për të mirë, tek politika me fytyrë njerëzore, tek politika që mbron dhe promovon interesat e njerëzve dhe jo të një grushti politikanësh, që kanë 34 vjet, që nga rënia e komunizmit që urdhërojnë shqiptarët dhe vendosin për fatet e tyre.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, shifrat nuk mund të anashkalohen lehtë. Numri i deputetëve, që iu mbështetin ju është më i vogël se numri i deputetëve, që mbështesin zotin Berisha. Siç u pa edhe me zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, numri i votave për këtë krah të Partisë Demokratike ishte më i madh se pjesa tjetër…
Lulzim Basha: Prandaj nuk dua të futem në debate numrash, sepse në rastin e Partisë Demokratike, ajo nuk kandidoi në 51 bashki…
Zëri i Amerikës: Pyetja është …
Lulzim Basha: … ndërkohë që përsa i takon numrit të deputetëve, ata janë individë, që janë aty, sepse kanë qenë në një listë të mbyllur emërore të renditur nga kryetari i partisë, prandaj mendoj që t’i ikim debatit mbi numrat.
Zëri i Amerikës: Zgjedhjet e përgjithshme po afrojnë. Ato janë vitin e ardhshëm. Cila është oferta juaj për mbështetësit?
Lulzim Basha: E para dhe kryesorja është që të heqim dorë nga kjo telenovelë e shëmtuar që luhet në kurriz të shqiptarëve. Ditë për ditë shikojmë një teatër me akuza e kundërakuza, që pastaj natën shuhen apo kthehen në pazare. Kjo është mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve u ka kushtuar shumë. Hapja e një dialogu të drejtpërdrejtë me qytetarët për ne do të thotë në radhë të parë, jo thjesht që të tregojmë me gisht se çfarë po ndodh në kurriz të tyre, sepse këtë shqiptarët e provojnë vet, por çfarë ofrojmë ne dhe a është kjo një ofertë e besueshme, dhe a ka një rrugë të besueshme për ta realizuar këtë? Që nga sistemi i taksave, i cili po rëndon gjithmonë e më shumë mbi sipërmarrjen e ndershme, mbi profesionistët, tek gjendja e fermerit shqiptar, e cila është më e rënda se e çdo fermeri në Ballkan, më e keqe se fermeri në Kosovë apo në Maqedoni të Veriut për shkak të mungesës së subvencioneve, investimeve dhe për shkak të mungesës së aksesit në treg. Gjendja e rinisë, ku lidhet gjithçka me situatën në arsim, në universitete, në tregun e punës. Gjendja e pensionistëve shqiptarë, që është më e dobëta nga gjithë pensionistët e Ballkanit perëndimor. Pra, një ofertë realiste, sepse do të bazohet mbi realitetin dhe mundësitë që ka Shqipëria dhe një ekip të besueshëm, që ta realizojë këtë program, pra të mos mbetet në një program elektoral, por të kthehet në një program qeverisës.
Zëri i Amerikës: Ju kritikuat udhëheqësit politikë, që janë aty për një kohë të gjatë, por edhe ju vet jeni në politikën shqiptare për shumë vite. Që nga përjashtimi i zotit Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, ju keni kërkuar ndjesë për gabimet tuaja, por nuk keni përmendur konkretisht se për çfarë. A mund të ndani me elektoratin tuaj dhe me ne disa nga ato gjëra, që sot do t’i bënit ndryshe?
Lulzim Basha: Në gjithë rastet që kam patur, së fundi edhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, e kemi shteruar se çfarë është bërë gabim. Kurrë nuk duhet të kemi hezitim për të kërkuar ndjesë për atë që është bërë gabim, por e rëndësishme për shqiptarët është se çfarë ofrojmë ne sot. Pse ata duhet të drejtojnë sytë nga Partia Demokratike? Dhe unë ju them se ka dy arsye: E para sepse ajo është e vetmja forcë politike, që ka hartuar një program të qenësishëm, jo parrulla elektorale, jo diçka për t’iu përgjigjur shijes apo kërkesave të momentit, por një program, i cili bazohet në një njohje të thellë të realitetit, të problemeve, që Shqipëria ka, si dhe të mundësive për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Ky program është produkt i një ekipi ekspertësh, jo politikanësh, me asistencë nga ekspertë perëndimorë, evropianë dhe të SHBA-ve. Arsyeja e dytë, të cilës po i afrohemi me shpejtësi; nuk jemi ende aty, është ekipi i Partisë Demokratike, i cili do të përbëhet nga njerëz me reputacion, të kenë besim në komunitet, jo njerëz që e shohin politikën si një profesion për veten e tyre, por si një shërbim ndaj njerëzve. Jam i bindur se me përfundimin e porcesit të riorganizimit të Partisë Demokratike, shumë shpejt në një dialog, në një debat, jo në kulisa, do t’u japim shqiptarëve një ekip prej 140 kandidatesh dhe kandidatësh, të cilët do të jenë një pasqyrë e më të mirës, ku shqiptarët të kenë vërtet besim se do të përfaqësohen dhe mbrohen interesat e tyre dhe jo interesa klaneshm, tarafesh apo personash të caktuar.
Lexo më tej: Basha ia lë përgjegjësinë Berishës: Nuk kam dhënë asnjë urdhër për 21 Janarin