Ish-kryeministri Sali Berisha ka një version tjetër për arrestimin e drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. Sipas tij, SPAK ka vepruar me urdhër të vetë Ramës.
“Sot Edi Rama urdhëroi Damanin e tij për të arrestuar drejtorin e rrugëve, Berberi. Po ku qëndron poshtërsia e këtij akti? Berberi u arrestua vetëm për të fshehur miliardat e vjedhura në rrugë nga Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri dhe suita e tyre. Sot u njoftua se Berberi kishte blerë një kompani kaq dhe e shiti 1 milion e 700 mijë euro, e bleu prapë, etj.
Të gjitha pa diskutim, vepër penale. Por kjo vepër panele është identike me akuzën që i bëjnë Beqës për restorantin. Miqtë e mi, këto janë akte makabër, këto janë tallje, janë përçmime dhe poshtërime për shqiptarët. Berberi arrestohet për një vjedhje të sigurt prej 1.7 milion.
Por, ata që kanë vjedhur 80-90% të fondit prej rreth 9 miliardë euro të shpenzuara në rrugë dhe sheshe, ata janë me jahte, me konto bankare, Edi Rama, Erion Veliaj, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri etj me radhë” – tha Berisha që bëri një krahasim mes Berberit dhe arrestimit Taulant Tushës, drejtor në Bashkinë e Tiranës.
“Për të kuptuar se Berberi i Belindës është Taulanti i Erion Veliajt. Nuk është asgjë tjetër. Arrestohet Taulanti për të mbuluar vjedhjen gjer tani të 130 milionë euro me djegësin e Tiranës. Për të mbuluar zhdukjen e 130 milionë eurove në konton bankare të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, para të paguara për inceneratorin e Tiranës.
Në një kohë, kur inceneratorit nuk i gjendet nam as nishan. Kur asnjëri nga 5 objektet nuk ekziston. Por këtë krim të madh pasi Dumanët dhe Krajët kanë mbushur valixhet me euro, duan ta mbyllin me Taulantin dhe një drejtor tjetër të bashkisë. E njëjta gjë zhvillohet me rrugët. Vjedhjet në rrugë e tejkalojnë imagjinatën” – tha Berisha që bëri akuza të rënda për tenderët e rrugëve.
“Një km rrugë në Sheshin Shqiponja, jo e re, por e rindërtuar, ka kushtuar 30 milionë euro. Cilido nga ju le të lexojë sa ka kushtuar tre vite më parë autostrada Bjelli Manastir- Osijek në Kroaci, e gjatë 17 kilometra, e gjerë 29 metra. Ka kushtuar 27 milionë euro.
Po pse? Sepse standardi evropian nuk të lejon të ndërtosh me çmime false, që nuk i përmbajnë manualet. Sepse manualet e ndërtimit që llogarisin kostot e çdo materiali të përdorur për ndërtim, në vendet e BE e nxjerrin se në atë terren, ajo autostradë nuk kushton më shumë se 1.5 milionë euro kilometri.
Si mund të kushtojë 30 milionë euro rindërtimi i një kilometri rrugë në dalje të Tiranës? Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Miqtë e mi, ja pse arrestohet Berberi, për të mbuluar Edi Ramën dhe Belindën” – tha Berisha. ©LAPSI.al