Një shtetas shqiptar u kap në flagrancë me një sasi kanabisi me vlerë gati 120 mijë euro e dorëzuar në një kuti në banesën e tij në Sligo të Irlandës. Në seancën e Gjykatës së Qarkut u tha se si një bandë shqiptare droge e kishte dërguar pakon në Sligo me një korrier, por ajo u zbulua në Aeroportin e Dublinit dhe u organizua një plan ndjekjeje deri në dorëzimin e paketës tek shqiptari.
Kjo çoi në arrestimin e Ergis Metajt, 23 vjeç. Ngjarja u shënua në 22 mars 2023, vetëm një vit pasi ai kishte mbërritur në Sligo me gruan e tij duke kërkuar azil në Britaninë e Madhe. Metaj u deklarua fajtor për posedimin e kanabisit që kishte qëllime shitjeje ose furnizimi. Dënimi përfundimtar u dha të martën.
Në gjykatë u dhanë detaje të shumta se si pakoja me kanabis u zbulua dhe se si oficerët vendosën të bënin një dorëzim të kontrolluar. Në numrin e telefonit në pako u përgjigj shqiptari, i cili doli gjithashtu duke e marrë atë në dorëzim. Menjëherë janë prezantuar forcat e rendit që ndodheshin aty pranë dhe që arrestuan Metajn.
I pandehuri është marrë në pyetje në disa seanca. Ai pretendoi fillimisht se ishte i pafajshëm duke thënë se kishte dalë të merrte dorëzimin e një televizori të ri. Më vonë tha se i ishin ofruar 200 euro për të marrë kutinë dhe se kishte marrë kërcënime për ta bërë këtë nga shtetasit e tjerë. Edhe policia e konfirmoi se ai ishte nën kërcënim dhe se nuk ishte pronari i vërtetë i paketës.
Metaj u mbajt në paraburgim që nga momenti i arrestimit. Policia konfirmoi se kishte banda shqiptare të përfshira në tregtinë e drogës drejt Irlandës. U pranua gjithashtu që i pandehuri kishte bashkëpunuar dhe kishte dhënë një emër se me kë kishte të bënte dhe se ky emër ishte gjithashtu në etiketën e paketimit të drogës.
I pandehuri nuk ka pasur ndonjë dënim të mëparshëm as në Irlandë dhe as diku tjetër. Ai kishte ardhur në Irlandë me gruan e tij duke kërkuar azil. Prokurori tha se i pandehuri kishte hyrë në Irlandë me një pasaportë greke të falsifikuar. Metaj deklaroi se kishte shkuar në Irlandë në shkurt 2022. Gruaja e tij aktualisht jetonte në strehimin e refugjatëve në Sligo dhe ata kishin një fëmijë që tani ishte 8-muajsh.
Ai tha se kur erdhi për herë të parë në Sligo kishte punuar në një lavazh. Atij iu kërkua nga një bashkëkombës shqiptar që t'i merrte një pako. Ai e kishte kërcënuar për familjen e tij në Shqipëri. Metaj tha se i kishte borxh këtij burri 15 mijë euro për transportimin e tij dhe të gruas së tij në Irlandë. Ky borxh duhej shlyer duke marrë pakon. Gjykatësi pyeti se si do të merrte edhe 200 € për këtë veprim.
Metaj iu përgjigj se i duheshin para. Ai pranoi se nuk kishte rrëfyer fillimisht për borxhin prej 15 000 €. “Isha i frikësuar” - tha shqiptari. Një letër e shkruar me dorë nga i pandehuri i është dorëzuar gjykatës. Letra që u lexua në gjykatë shkruante se shqiptari dëshironte t'i kërkonte falje gjyqtarit, gjykatës dhe gjithë komunitetit. Ai thoshte se i vjen shumë keq.
Ai kishte një borxh prej 15 mijë eurosh dhe duhej të bënte atë që i thanë. Ai shtoi se nuk do të ndodhte më. I pyetur nga gjyqtari se cila ishte baza e tij për të kërkuar azil në Irlandë, Metaj u përgjigj se kishte një problem me njerëzit në Shqipëri lidhur me fenë e familjes së gruas së tij.
“Nën çfarë lloj kërcënimi jeni?" – pyeti gjykatësi. “Ka të bëjë me seksualitetin tim. Unë jam biseksual” – tha Metaj. Në gjykatë u tha se kishte një urdhër dëbimi për të pandehurin që të hynte në fuqi kur të përfundonin të gjitha dënimet për shqiptarin. Duke u lutur për një dënim të butë avokati tha se roli i të pandehurit kishte qenë ai i mushkës dhe se ai praktikisht a kishte vuajtur tashmë një vit dënim.
Gjykatësi tha se droga kishte një vlerë të konsiderueshme dhe se edhe pse disa njerëz mendojnë se kanabisi ishte një drogë e lehtë, ajo mbetej drogë. Ai deklaroi se 5% e përdoruesve të kanabisit vazhduan të vuanin nga skizofrenia. Ai vuri në dukje se një urdhër dëbimi ishte lëshuar tashmë. Gjykatësi tha se do të ushtronte diskrecionin e tij dhe nuk do ta dënonte me 10 vite burg.
I pandehuri kishte shprehur pendim, ndërkohë që po merrte parasysh, moshën e tij dhe faktin se ishte një i huaj në një burg irlandez. Gjykatësi tha se do të reduktonte dënimin 10-vjeçar me 7 vjet dhe se do të pezullonte 3 vjet të tij. I pandehuri duhet të zbatojë një detyrim për të mos shkelur ligjin për 6 vjet pas lirimit të tij. ©LAPSI.al