Flash

Analiza/ Rreziku i bashkimit. Çfarë e kërcënon tani PD-në?

Lapsi.al 6 March 2024
Analiza/ Rreziku i bashkimit. Çfarë e kërcënon tani

Ndonëse bashkimi i PD është real dhe i ka dhënë përfundimisht fund dilemave se kujt i takon sigla dhe vula, ai mund të shihet në mënyra diametralisht të kundërta. E para është ajo e celebruar nga Flamur Noka, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së këshillit kombëtar, i cili vendosi për ti dhënë postet e nënkryetarëve dy prej ish kundërshtarëve të Berishës, Bardhi dhe Gjekmarkaj dhe një gjysëm duzine vendesh në kryesi mbështetësve të tyre.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje Noka shpalli se kjo lëvizje ishte dëgjesë ndaj kushtrimit të militantëve demokratë dhe se tani të sapobashkuarit do të zbrisinin në bazë për të vijuar komunikimin me ta.

Por paralelisht me të u ngritën zëra, ndonëse të zbehtë, që kritikuan një "deux ex machina", që shmangte votën, një fuzion mekanik në kurriz të ideve dhe parimeve dhe mbi të gjitha një bashkim që nuk shtonte perimetrin opozitar, përtej një rrethi të ngushtë.

Nëse qasja e parë ka në themel të saj vështrimin nga e shkuara, pra zgjidhjen e një padrejtësie të financuar nga pushteti, për ta mbajtur varur me rrugë gjyqësore përfaqësimin e PD, e dyta e vë theksin më shumë tek e ardhmja, pra nëse ky bashkim, është shpresdhënës për shumicën anti Rama që ekziston sot në vend. Pra, a ngjall shpresë? A afron të pa angazhuarit? A zgjon kërshërinë e idndiferenëtve?

LEXO ME TEJ:

Enigma/ Çfarë synon protesta e bashkimit të PD

Këto pyetje mbeten në ajër dhe pa përgjigje. Për të shkuar tek to ndoshta duhej ndjekur një rugë, më e vështirë, më me telashe, por që mund të tregonte dritë në fund të tunelit. Ajo do të mbështetej tek ajo çka Sali Berisha premtoi që në foltoret e tij të para, kur kishte pas vetës vetëm një grusht deputetësh. Atëherë Berisha u zotua për një parti plurale, për krijimin e fraksioneve të mendimit ndryshe, gjë që më vonë u çertifikua edhe nga forumet e rithemelimit e u shkrua edhe në statut.

Pyetja që shtrohet është: në gjendjen ku ndodheshin dy grupet, të parët me idhujtari për Berishën dhe të dytët të bindur se ai nuk i çon në fitore; disa të dëshpëruar se kriza e opozitës e ka gjenezën në vendimet e gabuara të Uashingtonit dhe të tjerët më katolikë se papa në mbështetje të Amelikës; njëra palë që denoncon nga mëgjesi në darkë drejtësinë e re dhe SPAK-un dhe tjetra që vijon të thotë pa komplekse se e mbështet atë; ata që ka votuar kundër zgjatjes së vetingut dhe të kundërtit që bashkuan votat me Ramën për ta realizuar atë; për ti rënë shkurt: dy grupe aq të kundërt sa morën hunjtë ndaj njeri-tjetrëit, a mund të "bashkoheshin" thjeshtë përmes disa ndryshimeve sipërfaqësore staturore?   

Shpjegimin më koherent dhe më logjik të asaj që ka ndodhur deri më tani e ka dhënë Gazmend Bardhi në një deklaratë të kohëve të fundit. "Unë isha kundër Berishës, unë nuk besoj se ai është prijësi që na çon në fitore, por idetë e mia nuk u bënë shumicë, unë e humba betejën dhe iu binda vullnetit të pjesës dërrmuese të demokratëve".

Enigmat e bashkimit të dy grupimeve “armike” në PD 

Po, nëse këtë version e marim të mirqenë, a nuk do qe më mirë që kjo pjesë "e mundur", të ingranohej me pjesën e madhe, duke ruajtur identitetin, mendimet pse jo dhe anti berishizmin e vet? A nuk do të ishte më efikase që ata ti merrnin postet e nëkryetarëve, vëndet në kryesi dhe përqindjet në listën e ardhshme të deputetëve, si përfaqësues së një rryme të kristalizuar fraksioni? Një zgjidhje e tillë do ti ruante të njëjtën peshë politike,  por mbi të gjitha do ti garanatonte edhe koherencën në qëndrime.

Nga ky version, i cili në pamje të parë mund të duket si një herezi përçarëse, nuk do të fitonte vetëm grupi i 'ish disidentëve", por krejt partia më e madhe opozitare në vend.

PD-ja falë dhuratës së helmuar që i erdhi me non gratën, nga Amerika, do të kishte mundësi të bëhej e para parti vërtet plurale në vend. Ajo do të kishte debat të brendëshëm, do të vijonte të mbante zgjuar interesin e publikut, të lodhur nga partitokracia, për ngjarjet e brendëshme të saj dhe do të arrinte të mblidhte rreth vetes edhe ata që nuk kishin më besim te lideri i përjetshëm. 

Në dy rsatet e vetme kur e ka kaluar PD-në nga opozita në pushtet Berisha ka ditur ta rrisë atë përtej perimetrit të fanatikëve pro tij. Në '92 me shprehjen: "të gjithë bashkëvuajtës të gjithë bashkëfajtorë", ai arriti të sigurojë edhe një pjesë të votave të atyre që e shikonin si tropojanin bukëshkalë, që tradhëtoi idealet e shokut Enver. Në 2005, me pajtimin me armiqtë e betuar Pashko, Imami, Zogaj dhe me hapjen ndaj shoqërisë duke krijuar KOP-in, ai arrit të bëhet fitues.

Gjithëkush e di se ajo që konsiderohet si e djathta shqiptare, është në pjesën me të madhe berishiste, por ka dhe një brez me identitet të fortë që është i gatshëm të shkojë në shtrat me mullixhiun, vetëm se nuk duron dot këtë shumicë.

Pikërisht këtë pjesë do të garantonte dhe do të afronte me opozitën një "fraksion jo berishsit", që do federohej në PD-në e madhe. Prandaj zgjidhja e bashkimit përmes fraksionit, do të ishte tejet më efikase se ajo mes trukeve statuore. Ajo do të prodhonte një PD më demokratike dhe mbi të gjitha do të mbante përreth globosferës së kësaj partie edhe ata që duan të militojnë si kundërshtarë të Ramës, pa qenë detyrimisht fanatikë të Berishës.

Andi Bushati: Opozita, nuk ka bashkim në hipokrizi 

Duke e shmangur këtë obsion,  duke i pranuar Bardhin, Gjekmarkajn dhe 20 të tjerët, jo si rivalë fraksionistë, por duke i rekrutuar brenda grupi të madh, ka rrezik që shumica të zbehë deri në zhdukje identitetin e tyre. Dhe kjo nuk e forcon, por e zvogëlon PD-në.

Pra rreziku i bashkimit mekanik, në dëm të federimit të identiteteve, ideve dhe parimeve të ndryshme, mund ta bllokojë PD në kufijtë elektoralë që kishte Rithemelimi i pa unifikuar.

Ai mund të garantojë një një fitore të padobishme, ndaj palaçove që enede vazhdojnë të luajnë lojra me vulë, por nuk jep asnjë garanci se do bindë një shumicë dërrmuese kundër Ramës.

©Lapsi.al

  

 

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI