Shpallja fajtor e Fredi Belerit është një vendim i marrë shumë kohë më parë jashtë sallës së gjyqit, por sot gjykata finalizoi procesin, duke i dhënë dënimin me 2 vite burg , kandidatit grek të opozitës për Himarën. Për bashkëpuntorin e tij Pandeli Kokaveshin gjykata vendosi dënimin me 2 vite burg, por të konvertuar në 3 vjet shërbim prove.
Në momentin kur trupi gjykues i përbërë nga Erjon Çela, Flora Hajredini dhe Irena Gjoka shpalli vendimin, salla e mbushur me votues dhe mbështetës të Belerit në himarë shpërtheu në thirrjet "Turp! Turp!".
Vendimi për Belerin nuk pati asnjë surprizë. Madje vetë i pandehuri në mesazhin që kishte përgatitur për ta lexuar në sallën e gjyqit e paralajmëron këtë.
Lexo edhe: Arrestimi i kandidatit minoritar të opozitës për Himarën/ Çfarë duhet të dini
"Kërkesa e prokurorisë nuk ka aspak qëllim për të bërë drejtësi. Qëllimi I saj i vetëm është dënimi im me burg për aq kohë sa i duhet Kryeministrit të bëjë zgjedhje të reja në Himarë" deklaroi Beleri duke parashikuar se edhe në zgjedhjet e reja, rezultati do të jetë i njëjtë në Himarë.
Paralajmërimet e Ramës "do merrem personalisht me ju" në fushatë

Nga fillimi i majit të vitit 2023, në kulmin e fushatës për zgjedhjet lokale, kandidati i opozitës Fredi Beleri u shndërrua në targetin kryesor të etiketimeve dhe ofendimeve të kryeministrit Edi Rama, kur ai konstatoi një pjesëmarrje të ulët në takimet e Partisë Socialiste dhe kuptoi se në Himarë e priste humbja.
Rama i nisi ofendimet si "gdhë", "dru", "analfabet", që në takimin e Himarës dhe i vazhdoi ato në Lushnjë, Fier, Vlorë dhe Tiranë. Madje në intervistat që dha në ditët e fundit të fushatës paralajmëroi se do të merrej personalisht me Belerin dhe mbështetësit e tij, duke e shndërruar një prej kandidatëve të opozitës në synimin kryesor të fushatës së tij si kryetar i Partisë Socialiste.
Më herët, Beleri kishte pasur një mbështetje të konsiderueshme edhe nga kryeministri i Greqisë, Qirjako Micotaqis që gjatë një vizite në Himarë kishte zgjedhur të shoqërohej nga Fredi Beleri. Të dy u panë të koordinuar kur folën për "helenizmën" në Himarë, si një emërtim për qytetarët që vetëdeklarohen me origjinë greke dhe që kishin pasur probleme me pronat e tyre.
Duke qenë se Himara është një nga bashkitë me më shumë investime të biznesit të madh dhe duke parë sponsorizimin e shtetit grek për kandidaturën e Fredi Belerit, Rama angazhoi të gjitha mekanizmat shtetërore për të bllokuar fitoren e tij. Në operacion u përfshinë forcat operacionale të policisë, prokuroria e Vlorës, SPAK-u dhe gjykatat e posaçme.
Arrestimi i Belerit nga forcat operacionale
[video width="640" height="368" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2024/03/Arrestimi-i-Belerit.mp4"][/video]
Arrestimi i kandidatit të opozitës për Himarën ndodhi në hyrje të lokalit të tij pranë shëtitores së qytetit mesnatën e 12 Majit. Dy ditë para zgjedhjeve, Beleri ishte në shoqërinë e avokatit të tij, kur u tha se u kap "në flagrancë" dhe përfundoi në qelitë e paraburgimit në Vlorë. Menjëherë pas arrestimit u tha se dosja ishte e "kopsitur" dhe se policia kishte arritur të siguronte prova të padiskutueshme video dhe audio që tregonin se ai kishte blerë vota nga një person në Himarë.
Me gjithë arrestimin, Fredi Beleri u shpall fitues me 19 vota i bashkisë së Himarës dhe nisi të kërkojë leje për betimin si kryetar bashkie.
Me kalimin e muajve nuk doli asnjë video dhe asnjë audio që të provonte përfshirjen e kandidatit të "Bashkë fitojmë" në blerjen e votave. Në vend të kësaj, u pa se policia dhe prokuroria kishin "qepur" keq një kurth për Belerin duke përdorur të infiltruar të paguar nga policia, përgjime të paautorizuara nga prokuroria dhe një sërë dokumentash që rezultonin të falsifikuara.
Presioni i Greqisë për Belerin

Që pas arrestimit të kandidatit të opozitës në Himarë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë përmbysur përmes qëndrimesh dhe deklaratash të forta. Qeveria greke reagoi ashpër duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Fredi Belerit nga burgu dhe duke fajësuar direkt Ramën për burgosjen e tij.
Micotakis e quajti një ngjarje të shëmtuar, ndërsa në Himarë u zhvillua një protestë ku morën pjesë disa kryetarë bashkishë të Athinës dhe të Selanikut që kërkonin lirimin e Fredi Belerit.
Në gusht të vitit të kaluar, kryeministri i Greqisë, Qirjako Micotakis organizoi një samit informal në Athinë duke shpërndarë ftesa për të gjithë liderët e rajonit, përveç Ramës. Shkak ishte çështja Beleri.
Edhe kur Rama inauguroi bustin e babait të Micotakisit kryeministër në Derviçan, sërish Kirjakos Micotakis refuzoi ftesën duke e lënë vetëm kryeministrin e Shqipërisë. Më vonë në samitin e Procesit të Berlinit që u zhvillua në Tiranë, Micotakis paralajmëroi qëndrimin ekstrem të bllokimit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian duke e kushtëzuar me betimin e Fredi Belerit.
Në nëntor, Greqi vuri për herë të parë veton për çëljen e negociatave të Shqipërisë, pavarësisht kërksave të Gjermanisë dhe Francës për zhbllokimin e procesit. Gjatë të gjithë procesit të Belerit, zyrtarët grekë e kanë ndjekur me rigorozitet zhvillimin e gjyqit.
Një proces mbajtjen në burg të Belerit
Shkeljet në procesin e Fredi Belerit kanë qenë të shumta, që nga sajesat që futën në kurth kandidatin e opozitës e deri nga mënyra se si u zhvillua procesi i tij gjyqësor. Duhet thënë se për ta futur në kurth Belerin u gjet një person që ishte i dënuar më parë për mashtrim dhe që ishte përdorur edhe më parë nga policia si informator. Në sallën e gjyqit polici që kishte bindur të infiltruarin për shitjen e votave, të quajtur Arsen Rama ka pranuar se e kishte paguar atë por nuk mbante mend se sa e kishte paguar. Edhe kur u kërkuan dokumentat dhe faturat shtetërore me të cilat ishte paguar ky person këto nuk u paraqitën.
Akuza për shitblerje e votave është në kompetencën e SPAK, por në rastin e Belerit, hetimi ka nisur tek prokurorët e Vlorës, Aurel Zarka dhe Matilda Peza. Edhe pse nuk e kishin në kompetencë ata autorizojnë ndjekjen, përgjimin e deri tek arrestimin e Belerit. “Dyshimi është se SPAK, pak më skrupuloz, mund ta shtynte hetimin për pas zgjedhjeve, kur politikisht Beleri duhej ekzekutuar para tyre”, ka thënë për Lapsi.al avokati i çështjes Edmond Demo.
Lexo edhe: Kathimerini në 10 pika/ Manipulimet më të mëdha të procesit Beleri
Lexo edhe: Ekskluzive/ Antenat e celularëve që shkatërruan provat e fabrikuara të procesit Beleri
Lexo edhe: Skandali/ Për burgosjen e Belerit u përdor një dokument i rremë
Por edhe në kontraktimin e të infiltruarit ka disa anomali. Një prej tyre e publikuar nga Lapsi.al është se ditën që Arsen Rama thotë se shkoi të firmosë në Vlorë në prokurori për përgjimin e Belerit, antenat e Vodafone tregojnë se ai ka qenë në Himarë. Kjo forcon dyshimet se dokumentat për procesin janë bërë më vonë, pasi Beleri ishte arrestuar, sepse urdhri ishte që ai të burgosej menjëherë para zgjedhjeve.
Pavarësisht shkeljeve, edhe SPAK dhe Gjykata e Posaçme ishin në të njëjtën linjë me policinë dhe prokurorië e Vlorës duke vazhduar programin që e ndalonte kandidatin e opozitës të merrte detyrën si kryetar bashkie. Pas disa proceseve ku Beleri kërkonte leje pak minuta për t'u betuar sot ai u dënua me 2 vite e 6 muaj burg.
Një ditë para vendimit mediat greke publikuan një skandal tjetër, atë se kryetarja e gjykatës së posacme Irena Gjoka kishte qenë e arrestuar në Greqi për falsifikim dokumentash, por këtë e ka mbajtur të fshehtë gjatë vetingut.
Po merr formë kështu një skenar që kryeministri Rama e ka paralajmëruar shumë kohë më parë, sipas të cilit Fredi Beleri dënohet me vendim të formës së prerë dhe kësisoj në Himarë ka zgjedhje të reja. Ajo që duhet kuptuar është se për t'u përmbushur ky skenar, u vunë në shërbim të Ramës të gjitha institucionet e drejtësisë së re, që nga prokurorët e SPAK dhe deri tek Gjykata e Posacme Antikorrupsion./Lapsi.al