Flash

Arrestimi në Dubai/ Ç'po ndodh mes organizatës së Bajrave dhe organizatës socialiste

Lapsi.al 27 February 2024
Arrestimi në Dubai/ Ç'po ndodh mes organizatës së

Nuk dihet se çfarë priste grupi "Bajri" në këmbim të ndihmës që i dhanë Partisë Socialiste për bashkinë e Shkodrës, por një vit pas zgjedhjeve, njëra organizatë ka pushtetin e plotë në qytet, ndërsa anëtarët e organizatës tjetër janë sulmuar fort nga SPAK.

Këtë paradite, kur policia njoftoi arrestimin e Denis Brajoviqit në Emiratet e Bashkuara u ngritën menjëherë pikëpyetje mbi mundësinë e ekstradimit të tij. Dihet se Dubai është shndërruar në një strehë të sigurt për shqiptarët e shpallur në kërkim, ndërsa Brajoviq mundi t'i arratisej policisë, duke ngritur dyshime për dekonspirim.

36-vjeçari njihet si ekzekutor i grupit Bajri dhe përgjimet e zbardhura të SKY ECC në dosjen "Metamorfoza" e kanë gozhduar për eleminimin e Gjin Boriçit në Shkodër.

Gjin Boriçi, ose Gjin Ndoji është i riu që shihni në foton më lart. Ai u vra në gusht të vitit 2020.

Ishte 38 vjeç kur u ekzekutua. Mbi supe mbante autorësinë e një masakre me 3 të vrarë në Shkodër. Një jetë e shenjuar nga gjakmarrja, ku kishte humbur të atin dhe vëllain, Gjin Ndoji sapo i ishte futur biznesit fitimprurës të lojërave të fatit në të zezë.

Si nje djalë me reputacionin e të fortit në Shkodër, ai shpërfilli kontrollin që Vis Martinaj kishte mbi biznesin e kumarit. Dhe meqënëse bosi i lojërave të fatit s'mund ta toleronte që Shkodra t'i dilte nga kontrolli, porositi vrasjen e Gjin Ndojit tek Pëllumb Gjoka.

Në këmbim të ekzekutimit të Gjin Ndojit, sipas përgjimeve të SKY ECC, Pëllumb Gjoka i kërkoi Vis Martinajt vrasjen e Kleanti Musabelliut, një ish polic i burgjeve, që jetonte në Tiranë dhe me të cilin biznesmeni kishte pasur një sherr për fëmijët.

Ndërkohë në Shkodër, Pëllumb Gjoka kontraktoi grupin e Bajrave për vrasjen e Gjin Ndojit. Ekzekutori i tyre ishte pikërisht personi i arrestuar sot në Emiratet e Bashkuara, Denis Brajoviq.

Ai është i njohur për raportimin që bëri pas vrasjes së Gjin Ndojit natën e 9 gushtit të vitit 2020 kur i shkruan Behar Bajrit në aplikacionin SKY: "Gjoks e kry kapedan, mu blloku se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka".

Kuptohet se arma i kishte ngecur pas disa të shtënave në gjoks dhe në kokë të viktimës, që para se të ndërronte jetë e kishte sharë.

Kjo më lart është e vetmja pamje në publik nga Denis Brajoviq. Ai është personi që po qëndron në mes duke qeshur.

Foto është shkëputur nga filmimet e një kamere sigurie në një nga qendrat e votimit të 14 Majit në Shkodër.

Në krahun e djathtë të Denis Brajoviq qëndron Enver Bajri, një tjetër emër i njohur i grupit, por që nuk kishte lidhje me dosjen "Metamorfoza".

Filmimi është kryer ditën e zgjedhjeve lokale, kur grupi i Bajrave u angazhua në shërbim të Partisë Socialiste, që kandidoi në Shkodër Benet Becin. Të fortët e Shkodrës qarkullonin me një autokolonë makinash duke "inspektuar" qendrat e votimit, të shoqëruar nga një anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, Erald Bushi.

Fitorja e socialistëve në Shkodër ishte e para në 30 vite pluralizëm. Pavarësisht se për ta marrë bashkinë e Shkodrës iu deshën muskujt dhe paratë e krimit, kryeministri Rama premton t'i rikthejë qytetit hijeshinë e dikurshme.

Vëmëndja e qeverisë për Shkodrën është rritur pas zgjedhjeve. Fasadat e godinave shohin ngjyra të tjera, ndërsa investimet urbane po marrin financime që nuk i kishin njohur prej 10 vitesh që socialistët janë në pushtet.

Edhe prania e Ramës është më e shpeshtë në qytet. Këtë fundjavë, kryeministri Rama udhëtoi drejt Shkodrës me familjen e tij për të marrë pjesë në festën e karnavaleve. Gjithsesi syrit të vëmëndshëm nuk i shpëton një detaj i pazakontë; Rama u pa të lëvizë në qytet nën survejimin e rreptë të një grupi badigardësh që garantojnë sigurinë e kryeministrit.

Afërmendsh mes dy organizatave diçka nuk ka funksionuar. Sepse në njërën anë, Partia Socialiste po shijon frytet e pushtetit në Shkodër. Në anën tjetër, grupi i Bajrave po tenton të rikuperohet nga goditjet e prokurorisë.

Përveç Denis Brajoviqit që u arrestua në Dubai, disa muaj më parë u arrestua dhe u ekstradua nga Franca, Behar Bajri. Në burg ka përfunduar edhe kontakti i tyre me drejtësinë, prokurori Xhevahir Lita, por edhe pagatori Pëllumb Gjoka, që kishte lidhje me nivelet më të larta të qeverisë.

Lexo edhe: Akuzat/ Ekstradohet nga Franca i shumëkërkuari Behar Bajri

Lexo edhe: Filmimet e 14 Majit/ Si i kontrolluan Bajrat votimet në Shkodër

Lexo edhe: “Jeta ime prokurori-polici-kishë” flet gruaja që akuzon Pëllumb Gjokën për vrasje

Gjithsesi zgjedhjet e radhës afrojnë shpejt. Behar Bajri është në qeli, por për të nuk ka ende një vendim të formës së prerë. Ndërkohë ekstradimi për Denis Brajoviqin është një lojë e hapur. Organizatat e kanë gjetur një herë gjuhën e përbashkët në 14 Maj. Asgjë nuk i pengon ta gjejnë përsëri./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI