Në filmimet që shikoni më poshtë, Hygerta Meta është vajza më maskë e rrethuar nga oficerët e policisë. Një punonjëse e policisë e mban për krahu, a thua se 19-vjeçarja mund t'i ikë 5 oficerëve të policisë që e kanë rrethuar dhe po e dëgjojnë të flasë. Vajza po rrëfen një krim të rëndë që u mësua sot në media; vrasjen dhe më pas groposjen e babait të saj, në fshatin Shënavlash.
Sipas rrëfimit të saj shkak i krimit, ishte presioni i të atit për t'u fejuar me një person që atij i dukej i përshtatshëm.
[video width="1280" height="720" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2024/02/Hygerta-Meta-1.mp4"][/video]
Historia e Hygertës, siç e ka rrëfyer ajo, është e njëjtë me qindra apo mijëra vajzave të reja që synojnë të largohen me çdo kusht nga fshati. Por ndërsa bashkëmoshatare të saj kapen pas një burri të fortë apo me para, Hygerta kishte ndjekur studimet. Me përpjekjet e saj, e reja kishte arritur të pranohej si studente në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, dega Administrim Biznes.
Por ëndrrat për një jetë larg punëve të fshatit kishin hasur në pengesën e të atit që i imponohej për ta fejuar me një emigrant në Itali. Sherret qenë të vazhdueshme brenda familjes.
“Babain e vrava se donte të më martonte me dikë që unë as nuk e doja. Kishim pothuajse përditë konflikte dhe përplasje. Më tha që kjo punë është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë" mësohet të ketë thënë Hygerta policëve.
Në kushtet e një presioni të madh brenda familjes, kur në peshore ishte jeta e saj, vajza ka menduar t'i marrë jetën të atit. Ajo thotë se e ka planifikuar vrasjen dhe 10 ditë më parë, e ka qëlluar të atin për vdekje.
[caption id="attachment_895975" align="alignleft" width="321"]
Hygerta Meta, studentja që vrau të atin në Shënavlash[/caption]
"Unë planifikova se si mund të shpëtoja nga kjo fejesë. E vetmja mënyrë ishte ose të arratisesha nga shtëpia ose të vrisja babain. Një ditë nisëm të debatonim prap kur ishim në shtëpi. Nëna ishte në arë. Mora pistoletën dhe e qëllova. Më pas kisha frikë mos më fusnin në burg dhe mendova të fshihja trupin e babait. Pasi e varrosa në afërsi të banesës mendova se edhe policia e besoi se ai ishte zhdukur. Unë e kam kryer e vetme krimin, nuk më ka ndihmuar askush”, mësohet të ketë deklaruar ajo në dëshminë e dhënë pas arrestimit.
Policia nisi kërkimet për Pëllumb Metën pas denoncimit të djalit 25-vjeçar Hysen Meta. Një javë më parë u gjet mjeti i tij i parkuar në Shënavlash. Rrethi i të dyshuarve u ngushtua deri kur vajza e Pëllumb Metës tregoi krimin.
Kthesa në hetime, vëllezërit vranë babain
Trupi i Pëllumb Metës u gjet i mbështjellë me qese dhe i groposur në një kasolle pranë shtëpisë sot paradite. Edhe pse ishte Hygerta që i tregoi policisë se ku e kishte groposur të atin, ajo nuk i ka bindur policët. Pikëpyetjet janë të shumta.
Si e qëlloi ajo të atin me pistoletë dhe asnjë nga familjarët e tjerë nuk kuptoi asgjë? A mund ta transportonte ajo e vetme trupin e 50 vjeçarit pas vdekjes dhe më pas ta varroste pa bashkëpunuar me askënd?
Krushku i 50-vjeçarit, tha për mediat se Hygerta ishte një vajzë e brishtë. "Nuk vriste dot një pulë, e jo më një njeri" është shprehur ai për gazetarët, kur ka mësuar për hetimet e policisë.
Ngjarja u zbardh e plotë disa orë pas rrëfimit të vajzës 19-vjeçare. Policia arrestoi dy vëllezërit e Hygertës, Hysenin dhe Amarildon.
Mendohet se në vrasjen e Pëllumb Metës, të gjithë familjarët, si fëmijët edhe bashkëshortja e tij janë pjesëmarrës në krim.
Në një konferencë për mediat, drejtori i policisë së Durrësit, Skënder Hitaj tha se vrasësi i vërtetë ishte një nga vëllezërit e Hygertës, Hyseni. është ai që e kishte qëlluar me pistoletë të atin, pas sherreve të vazhdueshme në familje. Vendimi i 50-vjeçarit për ta fejuar Hygertën me një emigrant ishte pika që derdhi gotën.
"Ekzekutori e ka pranuar akuzën. Secili ka shpjeguar rolin e tij. Motra në momentin e parëm, e pranoi "E kam kryer unë krimin", por hetimet çuan në zbulimin e autorëve të tjerë. Motra e mori autorësinë për të larguar vëmëndjen nga vëllezërit" ka shpjeguar drejtori i policisë së Durrësit, Skënder Hitaj.
Në pranga është vënë 25-vjeçari Hysen Meta si dhe djali tjetër 21-vjeçar, Amarildo. Njëri kreu krimin. Tjetri fshehu armën. Shenjat e gishtave në qesen me të cilën ishte mbështjellë trupi i pajetë i 50-vjeçarit ishin prova që rrëzoi alibinë e motrës së tyre, Hygertës../Lapsi.al