Flash

Komentet/ Çfarë e solli Entoni Blinken në Tiranë

Lapsi.al 14 February 2024
Komentet/ Çfarë e solli Entoni Blinken në Tiranë

Po ta lexosh me vëmëndje mesazhin e mirëseardhjes që Edi Rama ka shkruar për Entoni Blinken, duket sikur kryeministri nuk ka qenë shumë i qartë se përse avoni i Sekretarit të Shtetit bën një ndalesë prej 8 orësh në vendin tonë, para se të vazhdojë udhëtimin drejt konferencës së sigurisë në Mynih.

Rama kalon degë më degë në tekstin e tij, duke përmendur sa miqësinë me vendet e rajonit, problemet mes Kosovës dhe Serbisë, po aq edhe angazhimin në NATO; sa mbështetjen për Ukrainën, aq edhe rezultatet e reformës në drejtësi. Nga fundi kalon deri tek kujdesi i qeverisë për barazinë gjinore, pa harruar ta mbyllë statusin me investimet amerikane në Shqipëri.

Për të kuptuar më shumë në këto raste, hulumtohet mes rreshtave të njoftimit zyrtar. Por edhe frazat e rrumbullakosura të zëdhënësit të DASH, Metju Palmer nuk shkojnë përtej "riafirmimit të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri", "mbështetjes për Ukrainën" apo falenderimit për "mandatin të Këshillit të Sigurimit". Pak a shumë në këto linja ishte edhe ish-ambasadorja Juri Kim, që shton si qëllim të vizitës së Blinken edhe një falenderim për pritjen e afganëve disa vite më parë.

Në Shqipëri, shpjegimet janë po kaq evazive. Në opinion u hodh edhe një ide se Blinken do të ketë një takim kokë më kokë me kreun e SPAK, Altin Dumanin, por deri tani kjo mbetet një spekullim.

Publicisti Preç Zogaj në një shkrim me titull "Ç’mesazhe do të sjellë Sekretari Blinken për opozitarizmin në Shqipëri" e sheh vizitën e sekretarit të shtetit nën optikën e opozitës së sotme.

"E vërteta është se Sekretari Blinken vjen dhe gjen në Shqipëri një opozitë të dobët, në krizë, në konfuzion dhe inkoherencë qëndrimesh në raportet me SHBA, të krijuara edhe nga vakumet në komunikim" shkruan ai me shpresën se gjatë vizitës së Blinken nuk do të mungojë një mesazh për opozitarët e sotëm.

Në fakt, në vizitën prej 8 orësh nuk është parashikuar asnjë kontakt me partitë e opozitës, qofshin këto me të dëshiruar apo të padëshiruar nga DASH. Axhenda e sekretarit të shtetit në Tiranë duket një ekskluzivitet për kryeministrin Rama. Megjithatë, për Zogajn një mesazh nga Blinken për opozitën do të ishte i mirëpritur.

"Demokracia përkufizohet nga ekzistenca e një opozite të suksesshme dhe të fortë. Miqtë amerikanë na e kanë thënë gjithmonë këtë. Nga kjo pikëpamje, mesazhet e Sekretarit Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranë për opozitën dhe opozitarizmin në Shqipëri do të ishin shumë e mirëpritura dhe me vlerë të veçantë për të ardhmen demokratike te vendit tonë" shkruan ai.

Në raportet me opozitën ka vendosur ta shohë edhe Mero Baze vizitën e Blinken, por me një shije tjetër. Në shkrimin me titull "Nxitimi për të mos e “përzier” Blinken në politikën e brendshme" Baze i qëndron lajmit se Blinken do të ketë një takim me kreun e SPAK, Altin Dumanin dhe duke u bazuar edhe tek mesazhi i Edi Ramës del në përfundimin se qëllimi i vizitës së Blinken është të mbrojë reformën në drejtësi nga sulmet e politikës.

"Vizita e Sekretarit Blinken ka një dimension që rrezaton fort në politikën e brendshme të Shqipërisë, pasi ai po vjen ti jap mbështetje drejtësisë së re dhe prokurorisë speciale antikorrupsion, që është edhe një investim direkt I politikës së SHBA, që ka trazuar më shumë se kushdo tjetër politikën në Tiranë" shkruan Baze.

Sipas botuesit të gazetës Tema, është "Antony Blinken do të takojë Prokurorin Altin Dumani, që është në epiqendër të sulmeve politike të opozitës së Sali Berisha duke u anatemuar çdo natë si kriminel, bandit dhe atentator I demokracisë".

Thënë këtë, Baze ngacmon deputetët që ndoqën Gazment Bardhin dhe kaluan në krah të Berishës, gjithnjë duke mos pranuar se i kanë braktisur porositë e ambasadës amerikane.

"Kush rri poshtë Ballkonit,- shkruan Baze,- dhe dëgjon mallkimet për Altin Dumanin, nuk ka pse shqetësohet se mos Blinken përzihet në politikën e brendshme. Ashtu siç ata janë rreshtuar në mbështetje të Sali Berishës, Sekretari Blinken është rreshtuar në krah të SPAK dhe drejtësisë së re. Ndaj mos të lodhen kot duke bërë sikur janë dhe me Berishën dhe me Blinken. Blinken ka zgjedhur me kë është".

Andi Bejtja, në një shkrim me titull "Që Blinken mos vijë si një Papë për të larë mëkatet e Aferës McGonigal" e shfaq menjëherë përbuzjen për propagandën e Rilindjes që vari një poster të madh te sekretarit të shtetit në fasadën e Universitetit Politeknik.

Për Bejten, ky veprim konfirmon qëllimin e Ramës që me këtë vizitë të dalë i larë nga hetimet e dosjes McGonigal, që është hapur në SPAK.

"Rama dhe të tijët e duan Sekretarin e Shtetit si Papë, jo thjesht për t’i rrëfyer mëkatet të cilat Blinken i gjen kollaj tek raporti i fundit i Departamentit të Shtetit, ku indeksi I korrupsionit, parave të pista dhe blerjes së mediave dhe votave, është në ditën më të zëzë: Rama dhe të tijët e duan Blinken si Papë për të larë pikërisht këto mëkate të përshkruara në Raport, për të larë mëkatin e korruptimit të Zyrtarit të lartë të FBI Mg Gonigal, që më shumë turpëroi Amerikën se Shqipërinë, për t’i shtuar tulet oligarkisë dhe për të betonizuar autokracinë" shkruan Bejtja në shkrimin tek Syri.net.

Me shpresën se Blinken do të tregojë ndonjë ndjeshmëri për fenomenet që po gërryejnë shoqërinë shqiptare, Bejtja përshkruan një seri episodesh imagjinare që e ndërgjegjësojnë sekretarin e shtetit për vizitën në Tiranë, gjithnjë në të mirë të popullit shqiptar.

Dikush në imagjinatë i citon paraardhësin e tij, Xhon Kerrin që foli për paratë e oligarkëve që po blejnë median dhe dobësojnë gjyqësorin; një tjetër ndoshta mund t'i kujtojë doktrinën e Biden me titull "Demokracia përballë autokracisë"; pse jo një tjetër mund t'i kujtojë shprehjen e një zyrtari amerikan Jonathan More sipas të cilit “Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që ata që kanë pushtetin sot, të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”.

Por Bejtja është i qartë se këto këshilla ëndërrimtare, siç i quan ai "Made in USA", janë thjesht një përpjekje që vizita të mos përfundojë ai ajo e një Pape që lan mëkatet e pushtetit.

Ndaj, që në paragrafin e dytë të shkrimit e ka saktësuar se "Unë nuk jam naiv të besoj, se për herë të pare një zyrtar i Lartë Amerikan, kur bëhet fjalë për një vend të vogël si Shqipëria, në raportin mes Stabilitetit dhe Demokracisë, dhe sidomos në këtë kohë të trazuar jo vetëm për rajonin tonë po për të gjithë botën, do të anojë në zgjedhje nga DEMOKRACIA në vend të STABILITETIT".

Bie në sy që të tre analistët e vendosin fokusin në politikën e brendshme të vendit dhe janë të vëmëndshëm se ku do të anojë peshorja ditën e premte pas ikjes së Blinken; nga ana e pushtetit apo nga ana e opozitës?

Gjithçka në fakt, do të varet se sa do të zbulojë sekretari i shtetit në konferencë me kryeministrin Edi Rama.

Nuk përjashtohet aty përsëritja e komplimentave dhe gjuha e drunjtë për qëndrimin e shtetit shqiptar në raport me çështjet e nxehta të rajonit dhe me aleatët në NATO-s.

Por në anën tjetër, nuk është çudi të ngrejë krye diku pakënaqësia për vendimet e drejtësisë së re që amerikanët e financuan bashkë me europianët, por që u keqpërdor deri në masën që sot ka bllokuar negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI