Flash

Identitete për 2 dollarë/ REL: Brenda tregjeve ilegale të drejtuara nga Ballkani

Të dhëna të vjedhura që mund të përdoren për mashtrime në anën tjetër të botës, shiteshin për vite në tregje të drejtuara nga persona nga Ballkani. Rastet e zbuluara në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut flasin për mijëra shitblerës dhe ndërmjetës që mundësojnë tregtinë. Sipas ekspertëve, mundësia për fitim dhe vështirësitë e ndjekjes penale e bëjnë këtë veprimtari tërheqëse, ndërsa mbyllja e një tregu nuk e ndal domosdoshmërisht tregtinë.

21:36

Ish-diplomatja amerikane: Mos prisni marrëveshje finale nga Vuçiç dhe Kurti

Lapsi.al 13 February 2024
Ish-diplomatja amerikane: Mos prisni marrëveshje finale nga

Ish-diplomatja amerikane, Jennifer Brush, e cila më herët ka shërbyer si zv.shefe e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, nuk është optimiste se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë duan zgjidhje në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo thotë se, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “e sheh veten si president të ‘botës serbe’, ai nuk mund të jetë negociator i ndershëm në asnjë tryezë”.

“Sa i përket [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, ai nuk është zgjedhur për të bërë marrëveshje me Serbinë; ai është zgjedhur për të luftuar për Kosovën. Ai ka obligime ndaj elektoratit të tij dhe do të shkojë në një raund të ri zgjedhjesh së shpejti”, - thotë Brush.

Brush, e cila ka shërbyer edhe si zëvendësshefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, thotë se Perëndimi duhet ta rrisë më tepër presionin mbi Serbinë, sepse, sipas saj, është Serbia ajo që mund të bëjë më shumë për të destabilizuar rajonin, dhe jo Kosova.

“A ka Serbia kontroll mbi veriun? E, kush e kontrollon Serbinë? A është interes i Rusisë për ta mbajtur situatën të paqëndrueshme? Unë do të thosha: Po. Pse? Për të na destabilizuar neve, Perëndimin.

Për mua nuk është aspak e qartë nëse palët janë të interesuara për zgjidhje. Të mos harrojmë se Vuçiq ka qenë zëdhënës i Millosheviqit. Ai do që ta mbajë Kosovën kështu siç është. Nëse e përcillni shtypin në gjuhën serbe, Kosova është pjesë e ‘botës serbe’.

Derisa Vuçiq mendon se nuk është vetëm president i Serbisë, por i kësaj ‘bote serbe’, unë nuk e shoh atë si negociator të ndershëm në asnjë tryezë. Unë e di se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se ai është personi që mund të bëjë marrëveshje, sepse e ka mbështetjen e popullit dhe kushdo që është më i dobët se ai, nuk do të ishte në gjendje ta vuloste marrëveshjen. Por, unë nuk pajtohem. Ashtu, edhe shumica e vëzhguesve ndërkombëtarë besojnë se zgjedhjet parlamentare në Serbi nuk kanë qenë të ndershme.

Vuçiq mendon se është një Tito i ri, me idenë e të ulurit në tri karrige - edhe neutral, edhe në rrugë drejt BE-së, edhe me marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Kjo mund të ketë funksionuar në vitet ’40 apo ’50, por nuk mendoj se në botën tonë aktuale funksionon si politikë e qëndrueshme.

Sa i përket Kurtit, ai nuk është zgjedhur për të bërë marrëveshje me Serbinë; ai është zgjedhur për të luftuar për Kosovën. Ai ka obligime ndaj elektoratit të tij dhe do të shkojë në një raund të ri zgjedhjesh së shpejti.

Marrëveshja për të do të thoshte krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E di se i janë prezantuar modele të ndryshme. Por, kjo situatë mund të përshkruhet në këtë mënyrë: “cila është më e vjetër - pula apo veza”, pra ta formojë njëherë Asociacionin dhe pastaj të kërkojë njohje nga Serbia, apo ta sigurojë njohjen dhe pastaj ta themelojë Asociacionin. Gjëegjëza e pulës dhe vezës nuk është zgjidhur kurrë. Kështu që, nuk e di se çfarë mund të presim nga ky dialog me këta lojtarë” – thotë ajo. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

90.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI