Këtë të shtunë ish-kryeministri, Sali Berisha ka zgjedhur të flasë për protestën e 20 shkurtit me mbështetësit e tij. I gjendur përpara simpatizantëve për të shumtën herë pas vendosjes në "arrest shtëpie”, Berisha ka nisur fjalimin duke thënë se 20 shkurti që do të shënojë fundin e narkodiktaturës, fundin e Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Ai i është drejtuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë gjithë shtresave të shoqërisë duke u ndalur edhe te fermerët. Këtyre të fundit u ka bërë thirrje të zbarkojnë në kryqytet me gjithë mjetet që kanë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta!
Mirënjohje të pakufishme ju misionarëve të vërtetë të shpresës së shqiptarëve, luftëtarëve të pamposhtur për dinjitet njerëzor, për drejtësi sociale, për interes kombëtar. Protesta juaj ka një rrezatim të fuqishëm në të katër anët e vendit.
Kudo në Shqipëri sot zien pakënaqësia e madhe ndaj narkoregjimit të Edi Ramës. Por miqtë e mi, kjo protestë ka tmerruar Edi Ramën, i cili çdo natë lën çdo gjë dhe ngulet para protestës me shpresë se do gjejë ndonjë ngushëllim.
Sonte do ju rrëfej një gjë që më kanë informuar disa ditë më parë. Çdo natë, dërgonte hafijet dhe maste rrugën që mbushni ju, përpiqeshin të numëronin, por nuk arrinin ndonjëherë, pjesëmarrësit, qëndrestarët në Rrugën e Shpresës.
E vërteta është se raportet që i shkonin, e tmerruan. Raportet flisnin për mijëra e mijëra protestues. Në fakt, ai nuk i zvogëlonte, por i zmadhonte me bashkëbiseduesit.
Disa vite më parë, ish-udhëheqësi i rëndësishëm i UÇK, Fatmir Limaj më tregon: Isha në Hagë, në burg aty ishin gjeneralë kryesorë serbë. Një ditë, njëri prej tyre më pyet, Fatmir, në muajin mars të vitit 1998, sa forca të UÇK-së gjendeshit në Klinë? Fatmiri i thotë, ne ishim tre kompani, rreth 300 luftëtarë. Fatmir, i thotë, ne na raportonin se ishin 6 mijë luftëtarë.
Ua thashë këtë shembull se çfarë bën frika, se sa e keni tmerruar ju Edi Ramën.
Imagjinoni ju se ç’ndodh me 20 shkurt, kur t’i kujtohen pamjet e zvarritjes së babait të tij shpirtëror.
T’i kujtohet udhëtimi me familjen e tij prej bllokmeni që bëri drejt bunkerëve të Zall Herrit.
Pra, 20 shkurti po afron. Është dita juaj, dita e shqiptarëve, dita e fitores. Është fundi i narkodiktaturës, fundi i Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Mos të harrojmë, Shqipëria në Europë është vendi me peshën më të madhe në ekonomi nga bujqësia. Dhe bujqësia e saj po shkatërrohet nga viti në vit në mënyrë të pandalshme.
I garantoj fermerët se PD me programin e saj do ndalojë rrokullisjen, do stopojë të keqen që i ka kapur ata, do shënojë kthesën e vërtetë. Do rrisë subvencionet, të paktën nga e sotmja me 8 herë.
Do garantojë shërbimet, do garantojë cilësinë e inputeve, do garantojë taksën e ndershme të barabartë në blerje dhe shitje, do garantojë subvencionin për njësi prodhimi, do nxisë eksportet e tyre, do mbrojë prodhimet e tyre. Fermerë shqiptarë, 20 shkurti është dita juaj, është dita të zbrisni në Tiranë me të gjitha mjetet që keni, është dita të fitoni ju, të fitojë Shqipëria.