Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç janë përballur në Këshillin e Sigurimit në OKB, në një mbledhje të jashtëzakonshme të kërkuar nga Serbia për ndaljen e dinarit në Kosovë.
Në raportimin paraprak, Karolinë Ziedah shefe e UNMIK, deklaroi se masat që ka marrë qeveria e Kosovës nuk i shërbejnë uljes së tensionit mes dy vendeve.
“As rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, as këto operacione të fundit të policisë së Kosovës, nuk kanë kontribuar në deeskalim, siç kërkohet vazhdimisht nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë”, tha ajo në nisje të mbledhjes.

Në fjalën e tij, Vuçiç tha se ndalimi i dinarit synon ta bëjë të vështirë jetën e serbëve duke ndërprerë ndihmat financiare për ta, shërbimet spitalore, arsimore etj.
“Me vendimin për ndalimin e transaksioneve të pagesës me dinarë, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson çdo funksionim të të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të institucioneve tjera që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre dispozitat themelore për të pasur arsim, për të marrë trajtim mjekësor, për të blerë medikamente”, tha Vuçiç.
Në fjalën që mori në fund të seancës, Vuçiç mohoi akuzat që iu bënë si "dora e zgjatur e Rusisë në Ballkan".
"Si president krenar i Serbisë, po ju them që Serbia është një vend i pavarur, sovran dhe që e do lirinë. Nuk jemi kukulla e askujt, as e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe as të Rusisë" tha ai.
Vuçiç u mbështet edhe nga përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës që akuzuan Kosovën se me vendimin e dinarit po kryen “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë.

“Ideja se Kosova po kryen një fushatë spastrimi etnik apo përndjekje kundër komunitetit serb, është një gënjeshtër”, iu përgjigj Kurti ndaj këtyre akuzave.
Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës kujtoi edhe të shkuarën e Vuçiçit si ish ministër i Millosheviçit, i cili me politikën e tij udhëhoqi masakrat në Kosovë dhe në Srebrenicë.
"Që nga fundi i luftës, qeveria serbe, e cila drejtohet nga shumë njerëz që mbanin poste drejtuese në qeverinë e Millosheviçit, përfshirë edhe z. Vuçiç, ish-ministrin e propagandës së Millosheviçit, ka përdorur të gjithë fuqinë dhe imagjinatën e saj për të gjetur mënyra të reja për ta terrorizuar Kosovën" u shpreh Kurti.
“Qytetarët tanë serbë përballen me frikësim nga grupet kriminale që diktojnë veprimet e tyre nga protestat deri te votimi. Mosbindja rezulton në dhunë, djegie të veturave apo kërcënime të anëtarëve të tyre të familjes. Kjo duhet të ndalojë. Beogradi nuk duhet të lejohet që pafundësisht të financojë këta kriminelë dhe terroristë në Kosovë me dërgesa të padeklaruara të parave, që qarkullojnë lirshëm dhe në mënyrë të paligjshme për në shtetin tonë. Ky është burimi i histerisë së Beogradit për këtë rregullore bankare”, tha Kurti.
Në fund të mbledhjes së OKB-së, Albin Kurti u shpreh se "Dinari nuk është ndaluar në Kosovë. Mund të mbani dinarë, por euro është monedha zyrtare. Ne kemi bërë shumë subvencione, japim grante, rroga për serbët e Kosovës dhe më besoni se ata i marrin eurot. S'naë probleme. Nuk kemi asnjë rast, që një qytetar serb i Kosovës të thotë: Nuk i dua këto para se janë euro. Edhe në Malin e Zi një e treta e popullsisë vetëdeklarohen serbë. Përdorin euron. Qytetari serb nuk e urren euron".

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, përsëriti kërkesën e shtetit të saj që Kosova të pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së.
“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.
Përfaqësuesja amerikane në OKB gjithashtu përsëriti dënimin e sulmeve “të koordinuara, të dhunshme paraushtarake serbe ndaj policisë së Kosovës” në Manastirin e Banjskës më 24 shtator, gjatë të cili u vra një polic i Kosovës.
“Katër muaj kanë kaluar që nga ky sulm dhe Serbia ende nuk po i mban përgjegjës ata që janë të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e tij. Në fakt, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit mbetet i lirë në Serbi”, deklaroi ajo, duke i bërë thirrje Serbisë që “t’i mbajë plotësisht përgjegjës drejtuesit dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit”.
Gjithsesi sipas Thomas Greenfield, Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk është vendi për të zgjidhur një çështje të tillë dhe as gjetja e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjet mes dy vendeve. Në fund të mbledhjes Vuçiç u pa teksa kërkonte të merrte fjalën pas Albin Kurtit, gjë që iu mohua.
Çështja e ndalimit të dinarit vjen pas një serie masash që ka marrë Albin Kurti për të shtrirë ndikimin e shtetit në kontrollin e territorit në të gjithë Kosovën. Serbët nuk kanë arritur të hyjnë në komunat e veriut duke përdorur dhunën e protestave dhe as kur sulmuan me armë patrullën e policisë si në rastin e Banjskës. Po ashtu, serbët janë bindur për çështjen e targave dhe kanë pranuar të vendosin simbolet e Kosovës pavarësisht rezistencës që bënë në fillim. Edhe për çështjen e dinarit, duket se zgjidhja e vetme do të jetë shpërndarja e ndihmave nga Beogradi në euro./Lapsi.al