Flash

Ndalimi i dinarit serb, reagon Kurti: Do ketë një periudhë tranzicioni

Lapsi.al 6 February 2024
Ndalimi i dinarit serb, reagon Kurti: Do ketë një periudhë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me një reagim të dytë ditën e sotme mbi vendimin e BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb. Kjo temë ka ngjallur reagimin e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Përmes një deklarate, Kurti pranon se duhet një periudhë tranzicioni për çështjen e ndalimit të dinarit serb. Ai thotë se gjatë këtij muaji do të ofrohen të gjitha informacionet e nevojshme për këtë çështje. Kryeministri ka përgëzuar Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) për profesionalizmin, duke i dhënë mbështetje rregullores së re. “Unë e shkruaj këtë deklaratë duke theksuar se Zyra e Kryeministrit mbështet plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe profesionalizmin me të cilin ajo kryen detyrat e veta. Në këtë cilësi, ndihem i obliguar që të mbroj profesionalizmin e trupave publike. Në fund të vitit të kaluar, Banka Qendrore nxori rregulloren e saj mbi pagesat me paratë e gatshme. Rregullimi i mënyrës se si monedhat e huaja operojnë në një vend është, natyrisht, një kompetencë thelbësore e Bankës Qendrore. Kjo rregullore nuk e targeton Dinarin e Serbisë. Banka Qendrore ka kërkuar, me të drejtë, që transaksionet joformale që kryhen në Dinarë të Serbisë të formalizohen; prandaj, ekzistenca dhe vazhdimi i tyre kishin qenë të kundërligjshme. Monedha zyrtare e Kosovës është Euro dhe rregullorja vjen thuajse 16 vjet pas deklarimit tonë të pavarësisë”, - thuhet në komunikatë. Më tej, Kurti thotë se mungesa e kësaj rregulloreje mund të ndihomjë pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe aktivitete të tjera të kundërligjshme. “Ky vendim është përgjegjësi themelore e Bankave Qendrore, duke synuar rregullimin e hyrjes së monedhave të huaja brenda territorit. Mungesa e një rregulloreje të tillë mund të rezultojë në pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe aktivitete të tjera të kundërligjshme. Në këndvështrimin praktik, ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me Euro. Natyrisht, posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm”, - ka thënë Kurti. Kurti deklaron se pothuajse 35% e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria e Kosovës me valutën euro. “Meqenëse Qeveria jonë shpërndan para publike në formë të subvencioneve dhe mjeteve të tjera për mbrojtje sociale, të cilat janë marrë njëkohësisht nga komuniteti serb në lllogaritë e tyre bankare në Euro, ka dëshmi të forta se këto llogari bankare kanë përdorim të gjerë. Pothuajse 35% e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria jonë në llogaritë e veta në Euro. Pensionet që marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari, si plotësim dhe jo si zëvendësim të skemave ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve bankare zyrtare, ka 15 institucione të tjera financiare ku pensionet nga Serbia mund të ndahen, në mungesë të llogarive bankare. Për më tepër, hapja dhe mirëmbajtja e llogarive të reja bankare në Euro do të jenë pa pagesë. Përpjekjet tona të vazhdueshme synojnë ta thjeshtësojnë këtë proces. Periudha e tranzicionit ka filluar tashmë dhe përpjekjet e përbashkëta do të sigurojnë shpejtësinë dhe lehtësinë e saj. Ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë. Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik. Kjo periudhë ndryshimi bëhet më e vështirë jo përmes zërave të komunitetit serb këtu, por përmes nxitjes së frikësimit, kur ne, në fakt, do të duhej të ushtronim maturi dhe qetësi Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë. Është mendimi i të gjithëve që e duan Kosovën, që jemi në progres dhe ka progres për t’u realizuar. Në këtë rrugëtim, veprimet tona gjykohen mbi dy baza: (1) qëllimet dhe (2) shkronja e ligjit. Një veprim që synon të forcojë demokracinë duke zbatuar ligjin, duhet të interpretohet për atë çka është. Ndërsa vendi ynë është duke u rritur në fuqinë e vet demokratike, atij me gjasë do t’i duhen ca përshtatje. Për palët e shumta që janë fuqishëm të investuara në prosperitetin e vendit tonë, të njëjtën e inkurajoj: përshtatjet le të ndodhin, që të arrijmë hapin tjetër, drejt të cilit të gjithë punojmë me zell”, - thuhet në deklaratën e Kurtit. /LAPSI.al

Të këshilluara

Aksident në aksin Pogradec-Qafë Plloçë

Një aksident automobilistik është shënuar rreth orës 18:15 në aksin rrugor Pogradec- Qafë Plloçë në afërsi te fshatit Rëmenj. Mësohet se një nga automjetet i...

19:15

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI