Privilegjet që serbët e Kosovës i kanë gëzuar si qytetarë të dorës së parë në dëm të procesit të shtetformimit, po i vjen fundi. Qeveria e Albin Kurtit në një fushatë të koordinuar me Bankën Qëndrore ka ndërmarrë disa aksione që duket se kanë për synim ta tkurrin ndikimin e Beogradit në Kosovë, duke u përballur me kritika të ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Por cilat janë këto masa?
Së pari ishte vendimi i Bankës Qëndrore për të ndalur importin e dinarit serb dhe moslejimin e llogarive në dinarë në banka. Kjo lëvizje vështirëson ndihmat financiare që Beogradi u jep serbëve të Kosovës. Deri më tani, pagat, pensionet dhe ndihmat sociale nga Serbia kanë ardhur në dinarë.
Veprimi kryhej përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviç, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Tani Banka Qëndrore e ka ndaluar këtë veprimtari dhe kërkon që në të gjithë territorin e Kosovës të instalohet euro.
Së dyti, policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione për bllokimin e institucioneve paralele që u shërbejnë vetëm serbëve. Bëhet fjalë për komuna, për kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financoheshin nga Beogradi dhe që gjendeshin në qytetet dhe zonat ku jeton komuniteti serb.
Pasi mbylli disa komuna të serbëve në Pejë, Istog dhe Klinë, ministri i brendshëm Xhelal Zveçla u shpreh “Institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
Ankesat e serbëve për pastrim etnik
Serbia pretendon se qëllimi i qeverisë Kurti është t'ia bëjë më të vështirë jetën serbëve të Kosovës në mënyrë që ata të largohen nga shtëpitë e tyre. Vuçiçi foli për "spastrim etnik", ndërsa ka lajmëruar se do të vazhdojë të furnizojë serbët e Kosovës me dinarë ashtu siç ka bërë deri tani.
“Serbët në Kosovë duhet ta dinë se vendi do të bëjë gjithçka që ata të mund të marrin pagesat e tyre”, tha Vuçiç, duke shtuar. “Nuk do të doja t'ju prezantoj me detajet teknike, sepse nuk më shkon në mendje t'u them atyre që po persekutojnë serbët dhe po kryejnë spastrim etnik, atë që kemi përgatitur dhe gjithçka mund të bëjmë,” vazhdoi ai.
Ai tha gjithashtu se Serbia do të paraqesë një kërkesë për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën dhe tashmë u kishte dërguar një letër përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së, institucioneve të BE-së, si dhe presidentëve dhe kryeministrave të të gjithë anëtarëve të BE-së. Këshilli i Sigurimit, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën, “të cilët i informuam në konsultimet e brendshme se sa të shqetësuar jemi”.
Edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ishin në sinkron me Vuçiçin për veprimet e qeverisë së Albin Kurtit. Kreu i Listës Serbe, Zlatan Elek tha se largimi i dinarit paralajmëron "spastrimin etnik" të popullit serb nga Kosova.
Reagimet e SHBA dhe BE
Vendimet e Kurtit edhe kësaj radhe kanë provokuar një furtunë kundërshtimi nga aleatët perëndimorë. Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të enjten se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e BQK-së ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, theksoi DASH.
Një nga reagimet më të ashpra kundër vendimeve të qeverisë së Albin Kurtit erdhi nga ambasadori amerikan në Beograd Xhef Huvenier. “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara rreth veprimeve të fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në pjesëtarët e pakicës serbe dhe pakicave të tjera në Kosovë”, u shpreh ai.
Njësoj edhe Bashkimi Europian është shprehur kundër mbylljes së institucioneve paralele të Serbisë. “Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme dhe kushtet jetësore të komuniteteve serbe në Kosovë, sepse do ta kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave në këtë moment” thuhet në një reagim të BE këtë të dielë.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e mbështeti reagimin e BE-së dhe tha se "masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit", dhe se ato janë "e kundërta e uljes së tensioneve"./Lapsi.al