"Nuk të shpëton dot Altin Dumani, përkundrazi do ndani fatin bashkë! Të njëjtin fat!". Me këto fjalë, Sali Berisha iu drejtua Edi Ramës nga dritarja e shtëpisë së tij në katin e fundit të pallatit në rrugën "Mustafa Matohiti". Ka kaluar një muaj që kur gjykata vendosi ta izolojë në shtëpi. Opozita e ka ndjerë goditjen, por pak ka ndryshuar tek kreu i saj.
Të shumtë ishin ata që vinin bast se Berisha nuk do të tërhiqej dhe koha u dha të drejtë. Mesazhi për elektoratin ka mbetur i njëjtë. Madje akuzat janë ashpërsuar. Rrethanat sigurisht nuk janë të njëjtat. Në vend të sfondit të thatë në sallën e konferencave, fjalimet mbahen lart në dritaren e shtëpisë. Në rrugë, militantët mbajnë edhe ata fjalime dhe e brohorasin. Por e ardhmja e betejës me Ramën është bërë akoma më e paqartë.
Si arriti SPAK tek arrestimi i Berishës

Për përfshirjen e Berishës në çështjen e privatizimit të kompleksit "Partizani" nuk ka asnjë akuzë. Berisha është thjesht person nën hetim. Prokurorët kanë vetëm dyshime se dhëndri i tij Jamarbër Malltezi u favorizua nga vendimet që ka marrë qeveria, gjatë kohës që Berisha ishte kryeministër.
Në 21 Tetor, Malltezi u arrestua ndërsa priste bashkëshorten në Rinas. Për Sali Berishën, prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai kishin kërkuar masë sigurie "detyrim paraqitje" dhe sekuestrimin e pasaportës. Që në fillim, masën ndaj Berishës e mori një gjykatëse e dyshuar për konflikt interesi si Irena Gjoka, që ishte shkarkuar me firmën personale të ish-presidentit (1992 -1997). Pretendimi për largimin e saj u refuzua.
Pas kësaj, Berishës iu caktuan avokatë kryesisht, dy persona që ishin deklaruar publikisht si kundërshtarë të tij. Madje njëra shkruante tekste publike pro arrestimit të tij.
Vendimin e gjykatës që e detyronte të paraqitej tek oficerët e BKH-së, Berisha e refuzoi. Ai arsyetoi se, më së pari, prokurorët e SPAK duhej t'i drejtoheshin parlamentit, për të marrë autorizim për kufizimin e lirisë së tij.
Masa e kërkuar nga SPAK u përshkallëzua. Nga detyrim paraqitje, prokurorët kaluan tek arrestimi. Shkak, sipas tyre ishte refuzimi i Berishës për t'u paraqitur tek oficerët e BKH-së.
Por kësaj radhe iu drejtuan parlamentit për të marrë autorizim. Socialistët nuk pritën gjatë. Menjëherë u dhanë leje prokurorëve të arrestonin Berishën. As gjykata nuk priti gjatë dhe konfirmoi arrestimin.
Kështu kreu i opozitës përfundoi i izoluar në arrest shtëpie.
Si e ndryshoi opozitën goditja e SPAK për Berishën

Për Sali Berishën situata ishte e vështirë edhe para goditjes nga SPAK.
I shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe i mbetur pa parti, izolimi në shtëpi e ka shtuar amullinë në radhët e opozitës. Pikëpyetjet shtohen për mundësinë e krijimit të një formacioni të madh politik kundër Edi Ramës për zgjedhjet e vitit 2015.
Lulzim Basha e priti me nënqeshje arrestimin e Berishës. Ishte një rast tjetër që të kujtonte paralajmërimet e hershme për pasojat që do të binin mbi Berishën, që kur SHBA e shpalli non grata dhe ai e përcolli jashtë grupit parlamentar.
Gazment Bardhi ka tentuar të mbushë vakuumin me përpjekjet për ta mbajtur gjallë protestën ose përmes akuzave të forta kundër qeverisë. Megjithatë, diferencat me Berishën janë aty, që nga roli i SPAK dhe deri tek raportet me ambasadën amerikane.
Ilir Meta ka një distancim të dukshëm nga lideri i demokratëve. Ndryshe nga protestat para parlamentit, Ilir Meta nuk është shfaqur në asnjë nga protestat poshtë shtëpisë së Berishës.
Lexo edhe: Arrestimi i Berishës/ Si po e politizon SPAK një dosje korrupsioni
Lexo edhe: BILD për arrestimin e Berishës: Rama ka frikë nga 79-vjeçari?
Lexo edhe: Kushtetuesja hesht/ Berisha në dorë të SPAK
Në protestë nuk janë dukur as të ashtuquajturit "aleatë të vegjël" Duka, Mediu, Dule apo Shehi.
Kush po përfiton "drejtësia e re"

Presioni i qëndrimit mbyllur në shtëpi vetëm sa e ka ashpërsuar fjalorin politik të Berishës kundër SPAK. Altin Dumanin e quan një ndër njerëzit më të korruptuar në vend, madje një vrasës.
"Dumani është një vrasës si ata. Fsheh krimin e tyre dhe del përgjërohet në publik. Unë ju ia jap fjalën ju se atë fytyrë siç e ka do ua nxjerr para shqiptarëve” ishte thirrja e Berishës në një nga fjalimet që mban nga shtëpia.
Disa ditë më parë, kur u thirr për t'u marrë në pyetje, Berisha doli nga SPAK duke u tallur. "Në një karrige bosh qëndronte McGonigal. Në karrigen tjetër ishte ulur Edi Rama. Dhe unë, në emrin tuaj dhe të PD-së u deklarova sa vijon: Pasi i pyeta: Pse jetoni në këtë terror kaq të madh këtu ju? Të hysh aty, hyn si në një, nuk mund ta imagjinoni se çfarë masash sigurie, a thua se ka kush kohë të merret me ta..."
Pavarësisht këtyre deklaratave, SPAK ka vijuar ta godasë me të gjitha fuqitë. Së fundmi, duke i refuzuar paraqitjen në parlament dhe duke i vënë në rrezik mandatin e deputetit.
Dhuratë më mirë se kjo për Edi Ramën nuk mund të kishte. Kur flet për SPAK, kryeministri Rama thotë se SPAK po jep "prova inkurajuese që drejtësia në këtë vend është e mundur"./Lapsi.al