Flash

Parlamenti turk pritet të ratifikojë kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO

Lapsi.al 23 January 2024
Parlamenti turk pritet të ratifikojë kërkesën e Suedisë

Pas një vonese mbi një vjeçare, parlamenti turk pritet të miratojë të martën anëtarësimin e Suedisë në NATO. Vendimi pason miratimin nga Komisioni i Parlamentit turk për Marrëdhëniet me Jashtë të kërkesës së Stokholmit për anëtarësim në aleancën perëndimore muajin e kaluar. Në vitin 2022, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO. Ndonëse Finlanda përfundimisht u bë anëtare e NATO-s në prill të vitit 2023, Turqia nuk pranoi të ratifikonte kandidaturën e Suedisë, një vendim që zemëroi aleatët e saj perëndimorë.

Fillimisht, Turqia refuzoi të miratonte anëtarësimin e Suedisë me pretendimin se vendi nordik po mbronte anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Që atëherë, Suedia ka paraqitur një projekt-ligj kundër terrorizmit që e bën të paligjshëm anëtarësimin në një organizatë terroriste. Suedia, Kanadaja, Finlanda dhe Holanda gjithashtu kanë zbutur politikat e eksportit të armëve për Turqinë. Megjithatë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka lidhur ratifikimin e ardhshëm me miratimin e vonuar të shitjes së avionëve luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara për Turqinë. Shtëpia e Bardhë mbështet shitjen e këtyre avionëve, por afati kohor për miratimin e këtij vendimi nga Kongresi nuk është i qartë.

Pavarësisht kësaj pengese, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan këtë muaj se Turqia ka të ngjarë të ratifikojë së shpejti kërkesën e Suedisë për anëtarësim, duke e lënë Hungarinë pengesë të vetme për hyrjen e Suedisë në NATO. Pavarësisht nga miratimi i mundshëm i Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO, Hungaria ka vonuar marrjen e një vendimi mbi hyrjen e vendit nordik në aleancën perëndimore. Hungaria thotë se Suedia ka patur një “qëndrim haptazi armiqësor” ndaj Budapestit prej vitesh dhe është e zemëruar për kritikat e Suedisë ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orban mbi erozionin e perceptuar të shtetit ligjor. Kryeministri Orban i ka mohuar akuzat e qeverisë suedeze.

Shefi i personelit të zyrës së Kryeministrit Orban, Gergely Gulyas, vuri në dukje të enjten e kaluar mungesën e “hapave të ndërtimit të besimit” nga Stokholmi për të përmirësuar marrëdhëniet me Budapestin, që do të mund të ndihmonin në ratifikimin e kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO./VOA

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI