Në sentencën e prokurorëve amerikanë ku kërkohet dënim me 30 muaj burg dhe 95 mijë dollarë gjobë, ish-shefi i FBI-së Charles McGonigal ka rënë dakort të pranojë akuzat që i bëhen, për të shmangur hetime të mëtejshme që mund t'ia shtojnë vitet e burgut.
McGonigal ka pranuar se hetimi për financimin rus të Partisë Demokratike të Shqipërisë, praktikisht ishte një "qokë" për qeverinë shqiptare pasi ai mori paratë nga Agron Neza. Në materialin e përgatitur nga prokurorët amerikanë, McGonigal cilësohet një zyrtar i korruptuar. Aty bëhet natyrshëm lidhja shkak-pasojë me 225 mijë dollarët që Charles McGonigal mori nga Agron Neza dhe urdhri që ai dha për të nisur hetimet ndaj Nik Muzin, lobistit të Lulzim Bashës në Shtetet e bashkuara të Amerikës.
Në të njëjtën dosje konfirmohet se vartësit e McGonigal e mbyllën hetimin, sapo McGonigal doli në pension, sepse aty nuk kishte fakte për të ngritur një çështje të financimit rus.
Me mbylljen e hetimeve, konfirmohet se dosja e famshme e "financimit rus" të Partisë Demokratike ishte një fiasko e prodhuar nëpërmjet korruptimit të Charles McGonigal.
Ai ka pranuar se i duheshin para për të paguar kolegjin e fëmijëve, pasi shumë shpejt do të dilte në pension.
Lexo edhe: Zëri i Amerikës: Basha, shpjegime të ndryshme për paratë e lobimit në SHBA
Lexo edhe: Debati që mbyllën prokurorët e McGonigal
Lexo edhe: Prokuroria amerikane: McGonigal, “vegla” e shqiptarëve në SHBA
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Në anën tjetër qëndron kryeministri Rama që shfrytëzoi shansin për ta futur kryetarin e partisë më të madhe të opozitës në një kurth hetimi të FBI-së, me dyshimet se kishte injektuar në politikën amerikane para me origjinë nga Rusia.
Dhe pasi vuri në lëvizje FBI-në, Rama nisi fushatën propagandistike sikur rusët ishin infiltruar në PD dhe po sulmonin qeverisjen e tij properëndimore, duke e akuzuar për trafikun e drogës dhe lidhjet me krimin.
Këtu nuk duhet lënë jashtë vëmëndjes edhe fakti se Lulzim Basha fshehu deklarimin dhe nuk justifikoi dot 650 mijë dollarët që pagoi për fotografinë me Trump, madje dha disa versione të origjinës së tyre.
Pikërisht duke shfrytëzuar ngërçin e Bashës për të thënë të vërtetën, u thur në fshehtësi intriga me McGonigal. Dhe sapo dolën lajmet e para në media, në Tiranë filloi portretizimi i Lulzim Bashës si njeri i rusëve dhe përndjekja e tij ligjore.
Videot propagandistike
Në muajt e parë, kur çështja sapo doli në media, Rama e sulmoi Bashën me disa filmime të mbledhura nga prononcimet kontradiktore për origjinën e parave të paguara në SHBA. Interesante është se si Rama luan me idenë e "forcave malinje" që kishin kapur opozitën, gjasme për të sulmuar qeverinë e tij properëndimore, duke i përmendur lidhjet me krimin.
Video më lart është bashkimi i deklaratave të Lulzim Bashës në Opinion, kur ai flet për paratë që pagoi për lobimin në SHBA. Filmimi u shpërnda nga kryeministri Rama në Facebook në mars 2018, pasi ishte botuar shkrimi i medias amerikane Mother Jones, që zbuloi se kompania offshore, që transferoi paratë kishte disa pronarë rusë.
Po ta dëgjosh videon që zgjat pak minuta, Basha ka disa kontradikta në shpjegimet e tij. Ai e ka të pamundur të justifikojë origjinën e parave dhe nxjerr dy versione për shumat prej qindra mijëra dollarësh që pagoi në SHBA.
Basha ka kundërthënie në raport me lobistin e tij Nik Muzin dhe herë pranon e herë mohon marrëdhënien me Biniata Trade, kompania offshore me të cilën kaloi paratë nga Skocia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por në anën tjetër, Edi Rama që kishte angazhuar mikun e tij Charles McGonigal për nisjen e hetimit të FBI-së, sillet sikur ishte i shqetësuar për ndikimin rus, që medemek e sulmonte atë për të penguar procesin e integrimit europian.
"Kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme" shkruante Rama në mesazhin e tij.
Vini re se në mënyrën se si shprehet në rrjetet sociale, Rama duket sikur e përdor rrezikun e "interferencave malinje të forcave të huaja" më shumë për të ngacmuar frikën e ndërkombëtarëve se në në ndonjë zyrë të selisë së PD-së fshihen rusët, se sa atë të shqiptarëve.
E rëndësishme është të kujtohet se sipas dosjes së prokurorëve amerikanë në periudhën kur shpërndante këtë mesazh, kryeministri i Shqipërisë darkonte me shefin e FBI-së Charles McGonigal në restorantet e shtrenjta të Neë York duke e nxitur të fabrikonte hetimin kundër Bashës.
Propaganda për ta nxjerrë Lulzim Bashën si njeriun e rusëve në Tiranë ka vazhduar edhe në ditët në vazhdim. Filmimi më lart është publikuar nga Rama po në mars të vitit 2018.
McGonigal kishte marrë ndërkohë 225 mijë dollarët nga Agron Neza dhe kishte urdhëruar vartësit e tij në FBI fillimin e hetimit për lobistin e Lulzim Bashës.
Ky i fundit duket në filmime se si belbëzon dhe djersin në studion e Opinion duke folur për paratë që kishte paguar lobistin e tij në SHBA, ndërsa Rama ngrinte pyetjen: "Ç'janë këta rusë që të paguajnë pa të pyetur fare?".
Në fund të videos, kryeministri e udhëzon shefin e opozitës: "Është koha për t'u rrëfyer në prokurori sepse në mes është interesi i Shqipërisë dhe rruga e saj drejt BE-së".
Hetimi i Bashës nga prokuroria e Tiranës
Prokuroria e Tiranës i nisi hetimet për Lulzim Bashën në qershor të 2019, duke marrë për bazë deklarimet e Partisë Demokratike në KQZ dhe duke kërkuar nga FBI deklarimet e lobistit amerikan Nik Muzin.
Ishte afërmendsh, që njeriu që nxiti nisjen e hetimeve nga FBI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte dorë edhe në fillimin e hetimit nga prokuroria në Tiranë.
Por Edi Rama luajti rolin e naivit në media. Siç duket në videon më poshtë, Rama u shfaq me disa deputetë për një kafe në Laprakë dhe aty bëri si i habitur kur mësoi gjoja rastësisht se Lulzim Basha ishte marrë i pandehur nga prokuroria.
[video width="784" height="480" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2024/01/Basha-i-pandehur.mp4"][/video]
"Ai është pastrim parash i pastër, minimumi pastrim parash" dëgjohet të thotë Rama në bisedë me deputetët e Partisë Socialiste, teksa bënte sikur sapo e kishte mësuar lajmin.
Një muaj më pas, u dha lajmi se FBI po heton origjinën e parave që pagoi Lulzim Basha në SHBA.
Ish kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla bëri një deklaratë në korrik të vitit 2019. Edhe Balla në mesazhin e gjatë në rrjetet sociale, shprehej me indinjatë dhe si shqetësuar se si Lulzim Basha na paskësh marrë para nga rusët, duke fryrë kështu fabulën që Rama e kishte "kopsitur" më herët me Charles McGonigal.
"Tashmë kjo çështje po hetohet zyrtarisht në SHBA nga Departamenti i Drejtësisë. Edhe në Shqipëri prokurorët janë duke hetuar këtë lobim të PD" shprehej Taulant Balla, duke ngritur pyetjet:
"Çfarë interesi kanë biznesmenët me lidhje që të çojnë në Rusi, të paguajnë faturat e Partisë Demokratike?Çfarë u ka premtuar Lulzim Basha rusëve, për të fituar mbështetjen e tyre financiare dhe politike?"
Për ta shtuar misterin, Balla shkruante se heshtja e Lulzim Bashës tregonte se "thellësia e këtij skandali qenka më e madhe sesa e kemi imagjinuar".
Hetimi për Bashën në Tiranë, i kombinuar me vënien në lëvizje të FBI-së, shtuar edhe propagandën intensive të qeverisë së Ramës e vendosi kreun e opozitës në një presion të fortë.
Përdorimi i fabulës së "financimit rus" nga Rama
Kuptohet se vënia në lëvizje e FBI-së kundër Lulzim Bashës përmes të korruptuarit Charles McGonigal, ishte një sipërmarrje që duhej shfrytëzuar në momentet më të vështira të Ramës. I tillë ishte për të skandali i përgjimeve të publikuara nga gjermania Bild.
I kapur në përgjime me një person që blinte vota dhe të cilit i kërkonte arritjen e objektivin për zgjedhjet në Dibër, Rama paralajmëroi padi për gazetarin gjerman. Ndërsa për akuzat dhe sulmet që i vinin nga Partia Demokratike, përgjigjia kishte të bënte me "financimin rus".
“Je i pandehur për qindramijëra euro ruse a dreqi e di ç’janë,të cilat po dreqi e di sa versione do sajosh deri në gjyq për t’i justifikuar dhe del e bilbilon për krimin që do paguaka avokatin gjerman" ishte përgjigjia që i jepte Lulzim Bashës, duke i dhënë leksione për për politikën "Se kuptove kurrë o njish që është shah politika, jo kukamçefthi" shprehej Rama.
Edhe pas shpalljes së Sali Berishës non grata, kryeministri Rama e shfrytëzoi sërish fabulën e financimit rus të Partisë Demokratike për të mos lënë jashtë akuzave Foltoren që dukej se po merrte drejtimin e opozitës në vend. Në tetor të 2022, Rama shprehej "Financimet ruse janë fakt. Duhet të ishin zbardhur dhe duhet të ishin ndëshkuar me kohë. Financimet ruse nuk janë bërë thjesht nga një person. Janë bërë bashkë dhe të jeni të sigurt që do të dëgjoni akoma gjëra të tjera".
Momentet e mësipërme janë vetëm disa nga rastet kur kryeministri e shfrytëzoi hetimin që stisi me zyrtarin e korruptuar të FBI-së Charles McGonigal. Nga viti 2018 deri në fund të vitit 2022, Rama e kishte në majë të gjuhës çështjen e financimit rus, sa herë opozita e akuzonte për trukimin e zgjedhjeve, për korrupsionin, apo për lidhjet me krimin. Fabula nuk përmendet, që kur Charles McGonigal u arrestua nga kolegët e tij të FBI-së që zbuluan se shefi i tyre ishte vetë i lidhur me rusët./Lapsi.al