Flash

Ndryshimet/ Afrimi i Gonxhes pas 2 dekadash. Ikja e Margaritit dhe zvogëlimi i Metes

Lapsi.al 8 January 2024
Ndryshimet/ Afrimi i Gonxhes pas 2 dekadash. Ikja e Margaritit dhe

Ngritja e papritur e Blendi Gonxhes ka nxjerrë jashtë qeverisë, ministren e Kulturës që prej vitit 2019, Elva Margariti, dhe ka reduktuar ndjeshëm peshën e institucionit të drejtuar nga Ervin Mete, që tani do të jetë vetëm ministër i Financave.

Kryeministri Rama ka njoftuar ndryshime në kabinetin qeveritar duke bërë me dije formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me ministër Blendi Gonxhen, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Nëpërmjet një postimi në ‘X’ (ish-Twitter), kryeministri theksoi në fazën e re të zhvillimit ku ka hyrë vendi, duhet një koordinim ndërsektorial ku Kultura nuk mund të mbetet më një ministri e ndarë.

Rama ka publikuar propozimin e dërguar për dekretim te Presidenti Bajram Begaj. Me këtë vendim, shkrihet ministria e Kulturës, me Elva Margaritin që largohet nga kabineti.

"Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën..." - e argumentoi Rama këtë lëvizje.

Por ky vendim do i përgjysmojë ministrinë Ervin Metes, i cili në shtator, kur mori detyrën, ishte edhe ministëri i ekonomisë, ndërsa tashmë do të jetë vetëm i Financave. Gjithashtu me ndryshimin e fundit, Rama rikthen Inovacionin, sektori i cili gjatë mandatit 2013-2017 të qeverisë Rama ka qenë ministri më vete që drejtohej nga Milena Harito.

Por gjithësesi, surpriza e kësaj lëvizjeje është afrimi i Blendi Gonxhes në rrethin e ngushtë të Ramës. Ish-studenti i tij në Akademinë e Arteve, pastaj numri 2 i institucioneve, kur Rama drejtoi Ministrinë e Kulturës në 1998 dhe Bashkinë e Tiranës në 2000, ai u nda nga shefi i tij në mënyrë jo fort të lumtur. Shkak u bë një nga skandalet më të mëdhenj të kësaj bashkie, në fillim të viteve 2000, kur në Tiranë shpërtheu diga e Liqenit që shkaktoi një përmbytje katastrofale. Kjo ngjarje u bë shkak që si Nano dhe Berisha, atë kohë shumë pranë, të kërkonin kokën e Ramës. Ky i fundit i hodhi si kompensim kokën e Gonxhes. Bashkëpunëtori i përhershëm u detyrua të dorëhiqej nga bashkia. Me një gur, sipas një stili që e ka çuar në perfeksion, Rama tentoi të vrasë dy zogj. Ai u dha në prapaskenë, jehonë zërave që kishin filluar ta krahasonin Gonxhen me personazhin e komedisë "Prefekti", Mon Kukaleshi. Atë kohë sapo patën filluar zërat e parë me biznesin e lejeve të ndërtimit. Po ta përkthejmë sipas termave të filozofisë së sotme, Gonxhja akuzohej se kishte ngrënë kumbulla dhe dardha, pas shpinës së shefit. Ashtu si tani askush nuk e kapërdiu këtë fabul, por fakti është se i lënë në rrugë, i tradhtuar nga miqtë, po aq sa i frikësuar nga rikthimi i Berishës në pushtet në 2005, Gonxhe u detyrua të emigrojë në Greqi.

Ai u rikthye tre vite më pas, por ndonëse dha disa sinjale publike pro Rama, nuk u afrua më nga ish-miku, që tashmë qe bërë shefi i opozitës. Ai do ta harronte edhe pas fitores së pushtetit deri sa Erion Veliaj në 2015 do t'i ofronte si lëmoshë drejtorinë e parqeve në Bashki, natyrisht jo pa bekimin e shefit. Vetëm pasi e rikaloi provën e besueshmërisë me përkujdesjen për barin dhe lulet, Blendi Gonxhe, u shpërblye me drejtorinë e madhe dhe fitimprurëse të patentave. Dhe tashmë, pas më shumë se dy dekadash ndarjeje, Rama e ka futur sërish në rrjetin e afërt duke e graduar ministër të  Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke nxjerrë jashtë loje Elva Margaritin dhe reduktuar pushtetin e Ervin Metes. LAPSI.AL

Të këshilluara

ide

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.62

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI