Flash

Bullizimi në Tik Tok/ Nëna e 4 fëmijëve kërkoi ndihmë në polici, Balla lan gojën

Lapsi.al 5 January 2024
Bullizimi në Tik Tok/ Nëna e 4 fëmijëve kërkoi

Vetëvrasja e Bedrie Lokës, nënë e 4 fëmijëve që denigrohej nga profile false në Tik Tok është historia e radhës e një fatkeqësie që ndodh prej indiferencës së organeve shtetërore ndaj kërkesës për ndihmë të qytetarëve të thjeshtë. Gruaja, nga fshati Vadardhë e Sukthit kaloi në tronditje të fortë psiqike që e çoi në vetëvrasje, pasi fillimisht kishte shpresuar se do ta ndihmonin në polici.

Por edhe pse i ishte drejtuar organeve të rendit për ndihmë, videot e krijuara me fotot e saj në Tik Tok, të shoqëruara me mesazhe denigruese kanë mbetur në rrjetet sociale duke çuar në përkeqësimin e raporteve brenda familjes. Këto ditë, bashkëshorti i saj sapo ishte kthyer nga emigrimi për të kaluar festat e fundvitit në familje.

Mendohet se viktima nuk e ka përballuar dot presionin psikologjik nga materialet e shpërndara në rrjetet sociale, ndaj më 2 janar, ditën kur kishte ditëlindjen njëra nga vajzat e viktimës, ka pirë fotoksinë duke i dhënë fund jetës.

Nga rrëfimet e familjarëve mësohet se ndër fjalët e fundit që i kishte thënë të birit ishte edhe shprehja "Unë për nder rroj...". Dyshimet se kush i përgatiste filmimet denigruese në Tik Tok janë përqëndruar tek punëtoret e tjera në fabrikën ku punonte Bedrie Loka, me të cilat ajo kishte pasur një konflikt. Hetimet janë përshpejtuar pas vetëvrasjes, por tashmë është vonë.

Policia dhe prokuroria duhet të kishte vepruar më herët për të shmangur fatkeqësinë, por në një njoftim për mediat, policia e Durrësit ka nisur lojën e ping-pongut me prokurorinë.

"Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj. Për kallzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori. Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast" thuhet në një njoftimin e policisë që ka për qëllim heqjen e përgjegjësisë.

Si për t'i vënë kapak ngjarjes vjen edhe qëndrimi prej shejtan-budallai nga Taulant Balla. Ministri i Brendshëm që sapo ka dalë nga skeçet e Portokallisë bën një reagim qesharak në përpjekje për ta kaluar historinë e vetëvrasjes si një ngjarje që shkaktohet nga rrjetet sociale.

"Ka tani elementë të rinj të mediave dhe unë të paktën në këtë aspekt jam shumë i qartë për rolin shkatërrues të TikTokut, si shpërndarës i pa kontrolluar i dhunës dhe i dëmit që i krijon shoqërisë" është shprehur ai.

Në fakt, mungesa e kontrollit në rrjetet sociale është një problem, por indiferenca e policisë ndaj qytetarëve të thjeshtë që kërkojnë ndihmë për një padrejtësi është një problem tjetër. Dhe ky është rasti i Bedrie Lokës nga Sukthi që  sot nuk jeton më.

Hetimet pas mediatizimit të historisë së Bedrie Lokës

Ashtu siç pritej, pas zhurmës që shkaktoi vetëvrasja e 41-vjeçares, nënë e 4 fëmijëve në Sukth, policia u vu në lëvizje për të zbuluar fajtorët e ngjarjes së rëndë. I pari që ra në pranga ishte bashkëshorti i viktimës, Xhemal Loka, që akuzohet nga familjarët se e ka dhunuar dhe kërcënuar gruan.

Një prej fëmijëve ka treguar në polici se sherret e prindërve ishin të vazhdueshëm dhe se i ati e kishte kërcënuar gruan me një thikë duke e paralajmëruar se do ta vriste. Vajza e saj tregoi se e ëma i kishte treguar edhe shenjat e dhunës në trup, por duke qenë se sherret vazhdonin prej vitesh, familja nuk ka reaguar.

Vëllai i Bedrie Lokës tha se e motra i ishte ankuar për të shoqin, por ai nuk kishte pasur mundësi të fliste me të duke qenë se jetonte në emigracion. Por ai tregoi se gruaja ishte varrosur me shenja në trup dhe se mjeku që i kishte bërë ekspertizën nuk i kishte deklaruar ato.

“Motrën tonë nuk e vrau Tik Tok e vrau bashkëshorti! Ne jemi të mendimit që bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike. Ja thamë policisë që bashkëshorti e ka çuar deri në vetëvrasje. Sot kemi hapur dyert e mortit presim ngushëllime”, tha Mahmut Bushi.

“23 vjet, 23 minuta të bardha nuk i ka parë asnjëherë. Bënte nga një fëmijë dhe ikte. Një fjalë të dobët për atë vajzë nuk e kemi dëgjuar. Ka qenë një vajzë që nuk kishte fjalë. Isha në Greqi. Më mori nusja në telefon dhe ajo më tregoi. Mbesat dhe nipat, nuk i lë. Fëmijët i kam të rritur dhe do i mbaj unë. Do i lutem shtetit, që të zbardhi çështjen. Spitali thotë se nuk është rrahur, por ajo ka shkuar me plagë në kurriz. Ajo ka pasur shenjë në krahun e majtë" tha ai.

Policia ka intensifikuar hetimet edhe për profilet false në Tik Tok, të cilat duket se kanë qenë në origjinë të presionit dhe dhunës që i bëhej gruas.  Në emër të Bedrie Lokës u hapën profile, kryesisht në Tik-Tok, që denigronin figurën e saj si grua, me etiketime si e pamoralshme. 41-vjeçarja nuk i ka rezistuar presionit shoqëror në një komunitet të vogël dhe më pas edhe në familje. Në kushte të rënduara psikologjike ka pirë fostoksinë, më 2 janar. Familjarët e kanë çuar me urgjencë në spital në Tiranë, por gruaja ndërroi jetë. Nëna e 4 fëmijëve, 3 djemve dhe 1 vajze, përkatësisht 21 vjeç, 18 vjeç, 16 vjeç dhe 10 vjeç, punonte në një fabrikë fasonerie në zonën e Fllakës./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

Flamingot duhet t'i injorojnë hijet e së djeshmes

Strategjia e një pjese të madhe të mbrojtësve oligarko-mediatikë të autokratit është të bëjnë kamikazin duke thithur mbi vete debate shterpë që largojnë vëmendjen nga thirrja: “Rama jeeeepe dorëheqjeeeeeen”

08:25 Andi Bushati

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.62

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI