Flash

Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza, dhjetëra palestinezë të vdekur

Lapsi.al 19 December 2023
Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza, dhjetëra palestinezë

Forcat izraelite bastisën të martën një nga spitalet e fundit që ende funksiononte në veri të Gazës dhe bombarduan pjesën jugore të saj me sulme ajrore që shkaktuan vdekjen e të paktën 28 palestinezëve.

Izraeli po vazhdon ofensivën pasi Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan mbështetjen ndaj tij, megjithë alarmin ndërkombëtar në rritje.

Lufta që filloi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ka shkaktuar vdekjen e 20,000 palestinezëve dhe zhvendosjen e rreth 1.9 milionë të tjerëve, ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës veriore.

Që nga fillimi i saj janë vënë gjithashtu në shënjestër objektiva të SHBA-së dhe Izraelit në të gjithë rajonin. Sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani kanë bërë që kompanitë kryesore të transportit detar, si dhe gjiganti i naftës dhe gazit BP, të pezullojnë tregtinë përmes atij korridori jetik ujor, duke nxitur SHBA-në dhe aleatët e tyre të ndërmarrin një mision të ri kundër këtij kërcënimi.

Por gjatë vizitës në Izrael të hënën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se nuk ishte atje për të diktuar afate kohore për përfundimin e luftimeve. Komentet e tij sinjalizuan se SHBA do të vazhdojë ta mbështesë Izraelin përballë thirrjeve ndërkombëtare në rritje për armëpushim dhe do të vazhdojë t’i ofrojë ndihmë jetike ushtarake.

Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po mban të martën një tjetër votim për një rezolutë të propozuar nga vendet arabe që bën thirrje për ndaljen e luftimeve dhe furnizimin me ndihma humanitare të Gazës. Takimi ishte parashikuar për të hënën por u shty.

Diplomatët thanë se po bëhen negociata për të bindur SHBA-në që të abstenojë ose të votojë “pro” rezolutës, pasi i vuri veton një thirrjeje të mëparshme nga Këshilli i Sigurimit për një armëpushim.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, ndër aleatët më të ngushtë të Izraelit – iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës. Në Izrael, protestuesit kanë bërë thirrje për negociata me Hamasin për të lehtësuar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga grupi.

Ndërkohë Drejtori i CIA-s, William Burns, u takua në Varshavë me kreun e agjencisë së izraelite të zbulimit Mossad dhe kryeministrin e Katarit të hënën. Mesa dihet ky është takimi i parë mes tyre që nga armëpushimi i përkohshëm dhe lirimi i rreth 100 pengjeve në një marrëveshje që ata ndihmuan ta ndërmjetësonin.

Por zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se bisedimet nuk ishin në pikën ku mund të flitej për një marrëveshje tjetër së afërmi.

Rreth 129 persona vazhdojnë të jenë peng i Hamasit dhe militantëve të tjerë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza, të asgjësojë aftësitë e tij ushtarake dhe të lirojë të gjithë pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit. Të paktën për momentin, ai duket se ka mbështetjen e plotë të SHBA-së për një fushatë që mund të zgjasë me muaj apo vite.

Të këshilluara

BE vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Bashkimi Europian tha se ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës, duke goditur industrinë fitimprurëse të diamanteve, më ...

09:10

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet protesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI