Deri tani brenda qelive të burgut ishte gjetur ndonjë sasi droge, ndonjë celular apo mjete të mprehta, por përplasja e fundit me protagonist Sokol Mjacajn nga Dukagjini tregon se në qelitë e burgjeve mund të arrijë edhe pistoleta. Arben Lleshi, i dënuar me burg të përjetshëm ka mbetur i vrarë nga Sokol Mjacaj, i cili ka pranuar se armën e siguroi me ndihmën e gardianëve. Nga konflikti ka mbetur i plagosur Indrit Shaqja, një tjetër i dënuar me burg të përjetshëm, që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Ende nuk dihen shkaqet e vrasjes por nga raportimet e para, mendohet se vrasja e Arben Lleshit është porositur nga jashtë dhe Sokol Mjacaj duke qenë i dënuar me burg të përjetshëm ka marrë përsipër ta kryejë atë. Dyshimet e para ishin se pistoleta u hodh në burg nëpërmjet një droni gjatë kohës kur të burgosurit dalin në ajrim.
Lexo edhe: U vra sot në burgun e Peqinit, saga e frikshme e ekzekutimeve në famijen Lleshi
Megjithatë ky version mbeti i pakonfirmuar, dhe një ditë më pas dyshimet e prokurorisë janë se Mjacaj e siguroi pistoletën me ndihmën e rojeve të burgut.
Prokuroria e Elbasanit urdhëroi arrestimin e drejtorit të burgut Kamber Hoxha dhe 11 punonjës pjesë e zinxhirit komandues, të cilët akuzohen se nuk kanë ushtruar kontroll ndaj të burgosurit.
Mësohet se rreth orës 13: 52 minuta të 15 dhjetor 2023 në ambientet e burgut të Peqinit, Sokol Mjacaj doli nga qelia e tij dhe iu afrua dritares së qelisë së Arben Lleshit. Aty e ka thirrur në emër viktimën dhe e ka qëlluar me plumbat e pistoletës. Shoku i tij i qelisë Indrit Shaqja mbeti i plagosur.
"I dënuar me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate siguri e lartë, Sokol Mjaca me armë zjarri pistoletë ka gjuajtur në drejtim të shtetasit (të dënuar) Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, duke lënë të vdekur në vend viktimën Arben Lleshi dhe plagosur viktimën Indrit Shaqja. Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambjentet e takimeve me familjarët në këtë burg" thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Vetëm në orët e pasdites, kur ndërhynë forcat speciale, Mjacaj është dorëzuar dhe ka pranuar të dorëzojë armën. Dyshimet se pistoleta u fut në burg me ndihmën e gardianëve përforcohen pasi një pjesë e kamerave të sigurisë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Peqin nuk punonin. E po ashtu edhe skaneri prej kohësh nuk ka punuar por është rregulluar ditët e fundit.
Kush është Sokol Mjacaj

Sokol Mjacaj u dënua me burg të përjetshëm pasi vrau dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, në korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti dy turistët e më pas qëlloi ndaj tyre me armë zjarri. Pasi i ekzekutoi kryerjes së krimit, Mjacaj shkoi dhe u ul në një lokal të fshatit dhe i ofroi kamarierit shitjen e një aparati fotografik që i përkiste dy turistëve. Pasi e shiti vetëm 500 lekë, Mjacaj u largua në drejtim të paditur.
Sokol Mjacaj u arrestua dy ditë më pas m2 5 korrik 2015.
Kush është i burgosuri që u vra, Arben Lleshi

Arben Lleshi mbeti i vrarë në përleshjen që ka ndodhur në burgun e Peqinit. Ai është dënuar për vrasjen e bashkëkombësit të tij Agim Hoxha në Sauthempton. Ngjarja ka ndodhur më 10 prill 2013 kur Arben Lleshi 27 vjeç, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Agim Hoxhën 29 vjeç në Sauthempton të Anglisë.
Kush është i plagosuri Indrit Shaqja

Indrit Shaqja mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në burgun e Peqinit. Ai rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen makabre të dy kunatave në qytetin e Durrësit me qëllim grabitjen e tyre.
Përveç tij, me burg të përjetshëm u dënuan edhe Vilson Elmazi dhe Artur Kaçanolli. Indrit Shaqja i ekstraduar nga Spanja ka marrë përsipër krimin dhe ka thënë se Vilson Elmazi dhe nipi i të moshuarave Artur Kacanoli nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e tyre. Më 2 shtator të vitit 2014, tre të dënuarit torturuan e vranë dy kunatat, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç.