Flash

Nga protesta e Himarës te ankesat në Bruksel, si lëvizi presioni grek për Belerin

Lapsi.al 27 November 2023
Nga protesta e Himarës te ankesat në Bruksel, si lëvizi presioni

Që pas arrestimit dy ditë para zgjedhjeve të kaluara, Fredi Beleri, kryetar i zgjedhur i Himarës nuk po arrin të betohet para Këshillit Bashkiak, sepse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i jep leje të dalë nga qelia. Arrestimi i tij provokoi reagimin e fortë të Greqisë që pas natës së parë të arrestimit, por strategjia e tyre në ndihmë të kryebashkiakut ka ndryshuar me kalimin e muajve.

Protesta në Himarë dhe darka në Athinë

Presioni në fillim ishte i përqëndruar ndaj kryeministrit Rama. Kërkesa e parë ishte për lirimin e Belerit. Nisi me deklaratat e forta të kryeministrit grek, Kijakos Micotakis që i kombinoi kërkesat e tij me fushatën për zgjedhjet në Greqi.

“Nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë se ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Shqipërisë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për ata me kombësi greke. Është e njëjta drejtësi. Nuk ka dy drejtësi. Me të metat dhe me barrën e tyre. Kështu që kam dëgjuar shumë dhe praktikisht kam preferuar të mos flasë, deri në mbarimin e zgjedhjeve të Greqi” tha Rama.

Grekët e shtuan presionin me një protestë në Himarë ku morën pjesë dy kryebashkiakë grekë, ai i Athinës dhe ai i Selanikut. Për shumëkënd kjo ishte një shfaqje e tepërt, por që kaloi pa incidente.

Pas kësaj, në Athinë u mblodh një samit me liderët e Ballkanit Perëndimor, por për shkak të Belerit, nuk pati ftesë për Edi Ramën. Që nga dita e parë, ambasadorë, ministra dhe të dërguar të qeverisë greke kanë ndjekur në mënyrë rigoroze gjyqin në Tiranë dhe në Vlorë. Presioni grek ka ardhur në kontrast me braktisjen që shteti shqiptar i ka bërë qindra, në mos mijëra shtetasve të tij që përballen me drejtësinë në Greqi dhe ku asnjëherë një qeveri shqiptare nuk e ka ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Gjithsesi ky presion nuk dha rezultat. Madje për t’i treguar grekëve se arrestimi i Belerit nuk frymëzohej nga ndonjë ndjenjë nacionaliste, Rama dha një shfaqje në kufijtë e servilizmit në Derviçan, kur inauguroi bustin e babait të kryeministrit Micotakis. Gjatë ceremonisë në Derviçan, Rama u foli të pranishmëve në greqisht dhe mbajti një fjalim ku vlerësonte kryeministrat grekë ndër vite. Por Fredi Beleri mbeti në burg.

Ankesat në BE për Belerin

Duke parë se presioni i drejtpërdrejtë nuk funksionoi, strategjia në ndihmë të Belerit ka ndryshuar. Nga imponimi i drejtpërdrejtë ndaj Ramës, kërkesat e Greqisë u përqëndruan në kancelaritë perëndimore dhe në kushtëzimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Në Samitin e Berlinit, Micotakis e bëri të qartë se Greqia do ta pengojë hapjen e kapitujve për Shqipërinë, nëse kreu i bashkisë së Himarës nuk lejohet të betohet.

"Është e rëndësishme që Beleri të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës që të largohet kjo hije që ndikon mbi marrëdhëniet greko-shqiptare. Zgjidhja e kësaj teme është një kusht i domosdoshëm që Greqia të bije dakord për nisjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shpresoj dhe lutem që ky problem të zgjidhet në vazhdën e frymës së mirë të bashkëpunimit që të mos ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve” tha Micotakis në Tiranë.

Por edhe kjo strategji e grekëve duket se nuk ka gjetur mbështetje. Media greke Ta Nea ka publikuar sot një reagim të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë që thotë se "bilateralizimi i procesit të anëtarësimit nuk është i pranueshëm"

“Për rastin e kandidatit për kryebashkiak në Himarë, Fredi Beleri , aktualisht po kryhen hetime nga autoritetet shqiptare. Duhet të presim procesin aktual në Shqipëri. Përcaktues për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është ekskluzivisht plotësimi i kritereve të anëtarësimit, përfshirë edhe “acquis”-në e BE-së. Është e rëndësishme që kjo të jetë gjithashtu pikë referimi për të gjitha shtetet anëtare në vendimet e tyre për hapat individualë në procesin e anëtarësimit. Bilateralizimi i procesit të anëtarësimit nuk është i pranueshëm” citohet në lajmin e Ta Nea.

Me pak fjalë, Gjermania thotë se nuk do të lejojë që tekat apo përplasjet mes ballkanasve të pengojnë politikat e zgjerimit. Pasi i ndryshoi emrin Maqedonisë për hapjen e negociatave, nxjerrja e një problemi tjetër me Shqipërinë e tregon Greqinë si një shtet tekanjoz, që bëhet pengesë për integrimin e fqinjëve.

Prandaj dhe pak ditë më parë, ministri i jashtëm i Greqisë, Papastavrou e mohoi këtë këndvështrim të ngjarjeve: “Ka shtete anëtare që thonë se çështja është dypalëshe. Dhe jo vetëm e thonë këtë, por pretendojnë se është i papranueshëm bilateralizimi i hyrjes së Shqipërisë në Evropë. Unë them se kjo është një qasje e gabuar [...] çështja Beleri është thellësisht evropiane, nuk është dypalëshe. Ka të bëjë me respektimin e shtetit ligjor”,- tha ai.

Në progres-raportin për vitin 2023, çështja Beleri ishte përshkruar si një burim tensionesh dhe që ngrinte shqetësime serioze, por edhe aty i lihej drejtësisë për ta zgjidhur. Në këtë pikë, kryeministri Rama tregohet i kujdesshëm, por herën e fundit që komentoi mundësinë e betimit të Belerit, tha se shpresonte që gjykata të merrte vendim, para se të merrej vendim për negociatat në dhjetor. /Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI