Ministri i Brendshëm Taulant Balla është pyetur në emisionin “Opinion” për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj i cili u shpall i zhdukur nga familja më shumë se një vit më parë. Balla tha se së fundmi policia ka gjetur prova të reja dhe se ka tashmë një pistë për fatin e “bosit të lojërave të fatit”. Balla tha se nuk mund të japë më shumë detaje për ngjarjen dhe vendin ku sipas tij mund të jetë kryer një vepër penale duke lënë të kuptohet për vrasje.
“Policia e shtetit e ka këtë një detyrë prioritare këtë çështje dhe mund t’ju them se ka shumë informacion të ri, por do t’ju kërkoja që deri në konkludimin, qoftë për vendin ku është kryer... nëse është kryer një vepër penale, unë të mos jap detaje. Policia ka një pistë të rëndësishme dhe të besueshme, por unë e kam të pamundur t’ju jap më shumë. Mendoj se policia është në rrugën e duhur për të zbardhur këtë ngjarje” – tha Balla.
Ministri i Brendshëm tha se qytetet me më shumë problematike mbi krimin janë Shkodra, Durrësi, Elbasani dhe Vlora. Ai tha se policia ka nisur një aksion kundër shpërndarësve të drogës dhe personave të shpallur në kërkim. Sipas tij në 15 ditë janë arrestuar 3315 persona. Balla u pyet edhe për akuzat e opozitës se ai vetë ka pasur një telefon të enkriptuar, Sky ECC. Ministri i Brendshëm e mohoi këtë.
“Kam kërkuar që çdo punonjës policie të bëjë një deklaratë nëse ka qenë përdorues i këtyre telefonave. Nëse unë këtë gjë po ia kërkoj çdo punonjësi policie. Nëse do ta kisha nuk do isha këtu me ju. E kam marrë vesh këtë gjë vetëm kur ai u zbërthye nga 2021 dhe kur në Europë pati qindra arrestime. Tani di shumë gjëra, për shkak se jam ministër, por atëherë nuk kisha idenë” – tha Taulant Balla. ©LAPSI.al