Flash

Rama operacion joshjeje ndaj Vjosa Osmanit, kundër Kurtit?

Lapsi.al 23 November 2023
Rama operacion joshjeje ndaj Vjosa Osmanit, kundër Kurtit?

"Unë e dëgjoj Presidentin për veten time”. Kushdo që e ka ndjekur sot kryeministrin Rama, të shqiptonte këtë frazë, gjatë samitit të diasporës, me siguri që e ka shtuar atë mes batuatave të shumta që ai përdor me cinizëm për njerëzit që është i bindur se ka nën vete.

Por, sado ironike dhe injoruese të duket ndaj presidentit Bajram Begaj, shprehja e Ramës, nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me të. Kryeministri i binte pragut që të dëgjonte dera. Pra, ai përmendte Begajn për t'i çuar mesazh presidentes së Kosovës. Sepse duke përdorur një fabul banale,  propozimin për të shpallur ditën e alfabetit si ftesë kombëtare, ai bëri një aludim se edhe Albin Kurti duhet ta dëgjonte Vjosa Osmanin, për të njëjtën gjë, ashtu si vetë Rama i është bindur kreut shqiptar të shtetit.

"Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh të jetë një dite feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do ia japë këtë sugjerim kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj Presidentin për veten time”- tha Rama.

Kjo batutë, që në pamje të parë dukej pa lidhje me kontekstin, ose në rastin më të keq si një tallje me presidentin, të cilin dihet botërisht që kryeministri as e ka në refene, është në fakt pjesë e një loje tjetër.

Burime të Lapsi.al bëjnë me dije se që prej verës së këtij viti, Edi Rama është angazhuar në një operacion joshjeje dhe miklimi të Vjosa Osmanit, në rastin më minimal, për të pasur në Prishtinë një derë të hapur, pasi Albin Kurti ia ka përplasur atë në fytyrë dhe me objektiv maksimal, për të përçarë mes tyre, dy drejtuesit e shtetit të Kosovës.

Lexo më tej:

Goditja e Vjosa Osmanit/ “Mashtrues, tinzar, marksist”, të gjitha epitetet me të cilat Rama ka tallur liderët e Kosovës 

Për të arritur këtë qëllim Rama ka ndryshuar krejtësisht qasje ndaj Osmanit. Atë që dikur e përbuzte në rrethe të ngushta, për paaftësinë për ta kuptuar politikën, po aq sa dhe për aspektin fizik, tani e paraqet si një personalitet që duhet të ndikojë mbi liderin e fortë të Vetëvendosjes. Në funksion të këtij qëllimi, Edi Rama ka vënë në punë aftësitë që di të përdorë më mirë, ledhatimin, komplimentat dhe dhuntinë që ka për ti bërë të ndihen të rëndësishëm ata që kërkon të përdorë.

Ai i bëri një kthesë të beftë raportit me Osmanin këtë qershor, pasi ai anulloi një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive dhe shpalli se kishte një projekt sekret për një asociacion të komunave me shumicë serbe. Ai pretendoi t'ia tregonte atë në Prishtinë Albin Kurtit, por ky i fundit refuzoi ta takonte.

Ajo qe e priti ishte presidentja Osmani. Por ndonëse takimi i parë ishte në kuadër të kortezisë, dy javë më pas dy politikanët u panë së bashku në një lokal në Ulqin (poshte), ku kishin shkuar për të ndjekur një koncerti të tenorit Ramë Lahaj.

A po zbuten raportet Rama - Osmani? - SHQIP.com

Nga ndenja e përbashkët, ish kryeministri Dritan Abazoviç publikoi edhe një foto. Akulli ishte thyer.

Në qëndrimet e kryeministrit shqiptar nuk kishte më asgjë të ngjashme me sjelljen përbuzëse që ai kishte treguar ndaj Osmanit tre vite më parë. Vizita e premierë e Osmanit në Tiranë pati shkaktuar një tërmet të vërtetë.

Ajo nisi një fushatë ndaj qëndrimit të Edi Ramës për të penguar një rezolutë kundër krimeve serbe në Kosovë. Ajo u shpreh hapur kundër aventurës së ndryshimit të kufijve dhe nuk humbi rastin për të theksuar se mini-shengeni (më pas Ballkani i Hapur) është një favor që u bëhet interesave të Serbisë.

Sikur këto të mos mjaftonin, ajo foli për heqjen e traut të Rrugës së Kombit dhe përmendi demonstratat dhe pakënaqësinë e të rinjve që kanë lidhje me modelet oligarkike të rrënjosura në Shqipëri dhe Kosovë.

Në këmbim, Rama nuk pati ofruar pritje me protokoll zyrtar për të dhe e pati bojkotuar fjalën e presidentes para parlamentit shqiptar (poshte).

Pasi vizita e saj tre ditore në vendin tonë mbaroi, ai i kishte konsideruar qëndrimet e Osmanit si “një qasje nacional- folklorike” që “bën deklarata në Shqipëri për të fituar vota në Kosovë”.

Me stilin që Ramës i ngre nervat më shumë Vjosa Osmani qe përgjigjur: "Raporti që kam me zotin Rama në baza personale është tërësisht i pa rëndësishëm. Unë nuk kam përfaqësuar veten time si Vjosa Osmani, por dy institucionet më të larta të Kosovës dhe qytetarët e Kosovës".

Vetëvendosje tregon me gisht gazetarët që sulmuan Vjosa Osmanin për llogari të Ramës

Saga e fërkimeve vazhdoi madje edhe me goditje nën brez. Pas një takimi të liderëve ballkanikë në Athinë në qershor 2022, me kancelarin Gjerman Scholz, shtypi shqiptar u mbush me një titull standart: "Luftë fotosh mes Ramës dhe Osmanit". Presidentja e Kosovës e kishte prerë Ramën në një imazh në botimin e saj Facebook, ndërsa ky i fundit kishte zgjedhur një foto ku të dy rrinin më larg se kurrë.

“Luftë” fotosh mes Vjosa Osmanit dhe Edi Ramës, që

Edhe gjatë pelegrinazhit të përvitshëm në OKB, në po në të njëjtin vit, Rama dhe Osmani e injoruan njëri tjetrin. Ata nuk u panë të shtrëngojnë minimalisht as duart. Kur u pyet për këtë nga Zëri i Amerikës presidentja e Kosovës fshikulloi ata politikanë shqiptarë që janë kthyer në "apologjetikë të Beogradit". Kaq u desh që mediat pranë qeverisë të fillonin një fushatë të re kundër Osmanit, në Tiranë. Pas fjalimit të Ramës në mbrojtje të Hashim Thaçit në OKB, disa gazeta shkruan kundër pasardhëses së tij:“E ka përjetuar personalisht, si një urrejtëse e Edi Ramës dhe Shqipërisë, e ka përjetuar si një e ftuar e papërfillur e Asamblesë dhe mbi të gjitha, si një fjalim që ajo nuk di as ta lexojë, dhe jo më ta shkruajë” theksonte një artikull i botuar në disa media në Tiranë që vazhdonte:

Përplasja/ Osmani nuk pohon nëse takoi Ramën në Nju Jork

“Duket qartë se ajo nuk e duron dot Shqipërinë as kur e mbron Kosovën. Dhe për të justifikuar sikletin e saj në sallë, kur vendin e saj e mbronte kryeministri i Shqipërisë, ndërsa ajo i kërkonte foto presidentit të SHBA me Dua Lipën, shpërtheu tek Zëri i Amerikës, duke akuzuar Edi Ramën se po ja shpëton fytyrën Serbisë”.

Por tani gjërat duket se kanë ndryshuar radikalisht. Dhe për të shpallur faqen e re përdoren të njëjtat simbole që përshkruanin armiqësinë e lënë pas. Të dy bëjnë çmos që të nxjerrin foto nga takime apo darka mes tyre dhe OKB-ja përdoret si arenë e miqësisë së rilindur.

Shtatorin e fundit në Kombet e Bashkauara mediat pranë Ramës raportuan se kryeministri i Shqipërisë ka lobuar që Osmani të bënte takime të nivelit të lartë. Pra ajo nuk qe më një politikane që përdorte Dua Lipën për të arritur tek presidenti Biden, siç e tallnin dikur, por një aktore që bashkëpunonte me zyrtarët amerikanë për një draft asociacioni. Me një lëvizje që disa e shihninin si të bashkërenduar me Albin Kurtin, ndërsa dsisa të  tjerë si një distancim timid prej tij, Osmani i propozoi amerikanëve që të prodhonin një draft asociacioni në favor të Kosovës. 

Me aureolën e këtij ndryshimi të ri Vjosa Osmani zbarkoi për vizitë në Tiranë këtë shtator, ku u prit me ngrohtësi nga Rama, madje të dy drekuan edhe së bashku. Në ndyshim me deklaratat që nxitën keqkuptime tre vite më parë, ajo adoptoi në Shqipëri një qasje konstruktive. Ajo i etiketoi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, si “të shkëlqyeshme dhe shtoi: “Si presidente angazhohem që të tejkalojmë çdo lloj mospajtimi të momentit që ekziston, por nuk e shoh as si tragjike, as diçka që na pengon të ecim para për qëllime të përbashkëta”.

Aq i sigurtë ndihej kryeministri shqiptar për marëdhënien që kishte ngritur me Osmanin, saqë tentoi ta përdorë presidenten si mburoi për gafën që bëri kur kërkoi marrjen e Veriut në kontrollin e KFOR-it, pas sulmit terrorrist në Banjskë, në 24 shtator. Kjo tezë ngjalli reagime të forta, sepse disa muaj më parë Rama kishte thënë krejt të kundërtën dhe së fundi kishte ndryshuar version duke propozuar të njëjtën gjë që propozonte dhe Vuçiçi. "Unë e thashë qartë dje se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë" u justifikua Rama pa dashur t'ia dijë se Osmani nuk kishte kërkuar të njëjtën gjë, por thjeshtë prezencë më të rritur të forcave ndërkombëtare. Në kushte të tjera Osmani do kishte reaguar shumë më ashpër për këtë manipulim, por ajo u mjaftua vetëm të saktësonte pozicionin e saj.

Duket qartë se një pjesë të bastit Edi Rama tashmë e ka fituar. Ai e ka gjetur një derë ku të trokasë në Prishtinë. Por ai me sa duket nuk është kënaqur me kaq. Pasi miklimi, përkëdhelka dhe kthesa në qëndrimin ndaj Osmanit i dhanë rezultat, ai duket se po tenton për më shumë. T i'a kundërvërë atë Albinit. Ndoshta ky qe dhe qëllimi i deklaratës së sotme, krejtësisht jashtë kontekstit, kur në një samit diaspore aludoi se Kurti duhet ta dëgjojë presidenten e vet, ashtu sikurse ai bën me atë të tijin. 

©Lapsi.al

 

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI