Dalin detaje të reja nga operacioni i SPAK që çoi në pranga 11 persona mes të cilëve edhe ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djalin e tij, Eralbi Breçanin. Lapsi.al mëson se mes të arrestuarve në kuadër të operacionit të gjerë të Prokurorisë së Posaçme është edhe një zyrtare e Policisë së Shtetit.
Në pranga ka përfunduar Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit.
[caption id="" align="alignnone" width="640"]
Jonida Babameto[/caption]
Një tjetër polic i arrestuar është edhe Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6. Sipas asaj që raportohet ka edhe efektivë të tjerë të arrestuar në këtë operacion.
[caption id="" align="alignnone" width="718"]
Dedan Gjoni[/caption]
Të njëjtat burime thanë se arrestimet kanë ardhur pas zbërthimit të aplikacionit “Sky ECC” të njohur si operacioni “Metamorfoza”. Ndaj tyre rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.
Një masë arresti është lëshuar edhe për Ervin Matën, një emër i njohur për drejtësinë. Mata u përfshi në një përplasje me armë në zonën e ish-Bllokut në 2018-ën me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha një nga shoqëruesit e këtij të fundit. Ai u qëllua nga ish-komandoja Merviol Bilo. Mata është prej vitesh në kërkim nga policia.
Raportohet se Breçani dhe Mata kanë edhe lidhje krushqie me njëri-tjetrin pasi djali i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës.
Operacioni “Metamorfoza” i SPAK ka zbardhur një sërë ngjarjesh kriminale ku u vunë në pranga disa efektivë policisë, biznesmenë, si dhe drejtues të policisë së shtetit. ©LAPSI.al