Ilir Beqaj duket sikur është me një këmbë në burg për shkak të ashpërsisë me të cilën SPAK ka ndëshkuar ish-zyrtarë të lartë të qeverisë, por në rastin e tij situata ka disa ndryshime thelbësore. Si nga drejtësia, ashtu dhe nga qeveria për Beqajn ka një trajtim më të butë nga ai i kokave të tjera të prera nga SPAK.
Për këdo që ka ndjekur historitë e Saimir Tahirit, Lefter Kokës, Vangjush Dakos apo Arben Ahmetajt dihet se arrestimit i ka paraprirë distancimi i Ramës dhe mënjanimi nga detyrat shtetërore, para se këta të marrin goditjen nga SPAK.
Janë po ato gurë kilometrikë që shenjojnë rënien e Saimir Tahirit, të Lefter Kokës, të Vangjush Dakos apo të Arben Ahmetajt në marrëdhëniet me liderin e organizatës, Edi Ramën.
Mënjanimi që i bëri Rama "viktimave" të SPAK
Kur u dënua me burg, Saimir Tahiri nuk mbante asnjë funksion në Partinë Socialiste. Nuk ishte as ministër, as deputet. Rama ishte distancuar ndaj tij duke e shkarkuar nga Ministria e Brendshme dhe drejtimi i PS-së së Tiranës. Më pas nuk e përfshiu në listat e kandidatëve në zgjedhjet e vitit 2021, megjithëse më parë e kishte mbrojtur nga kërkesa e prokurorisë për ta arrestuar.
Lefter Koka nuk ishte deputet kur u arrestua në dhjetor të vitit 2021. Ai dorëzoi mandatin e deputetit pas fitores së zgjedhjeve nga Partia Socialiste. Dorëheqja e tij nuk bënte asnjë sens politik. Koka kishte pasur një kontribut të rëndësishëm në Durrës dhe ishte një nga njerëzit më të afërt të Ramës.
Vangjush Dako nuk kishte asnjë funksion në Partinë Socialiste të Durrësit dhe nuk ishte as kryetar bashkie, kur u arrestua. Ai ndihmoi PS në zgjedhjet e 14 Majit dhe u vu në pranga, pasi socialistët fituan bashkinë. Dako ishte mënjanuar pasi u shpall non grata nga SHBA, megjithëse kryeministri nuk e mohoi asnjëherë miqësinë me të.
Arben Ahmetajn e paraprinë të njëjtat ngjarje. Në fillim Rama e shkarkoi si zv.kryeministër. Pastaj si drejtues politik të Vlorës. Para se t'i pritej fletë-arresti ishte lënë pa asnjë funksion shtetëror dhe partiak. Vetë Ahmetaj ka treguar se për arrestimin e tij flitej hapur në mbledhjet e partisë.
Dobësia e Ramës për Ilir Beqajn
Me Ilir Beqajn ka ndodhur e kundërta. Deri pak orë para se të dilte njoftimi në media për sekuestrimin e pasaportës së tij dhe ngritjen e akuzës për shpërdorim detyre, Beqaj ishte në detyrë si Drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e njohur edhe si State Agency for Strategic Programming and Aid Coordination, (SASPAC).
Pozicioni i Beqajt ishte direkt në varësi të Kryeministrit.
Lexo edhe: Shullazi: Ilir Beqja do të më jepte tenderin në Ministrinë e Shëndetësisë
Lexo edhe: Del VIDEO/ Ish-ministri Ilir Beqja filmohet me kreun e KLP-së
Sterilizimi ka nisur të hetohet që nga viti 2020, por nuk e ka penguar angazhimin e Beqajt në radhët e Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e vitit 2021 ai ishte kandidat për deputet në Shkodër, megjithëse nuk arriti të fitojë mandatin për shkak të rezultatit të dobët në këtë qark.
Së fundmi, Rama i besoi një post që shumëkush do t’ia kishte zili. Në 26 tetor të këtij viti, Beqaj u emërua pjesë e grupit negociator për negociatat e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke zëvendësuar numrin 2 të Ministrisë së Brendshme, Romina Kukon.
Pra, ndryshe nga ish-bashkëpuntorët e tjerë, që i ka mënjanuar para arrestimit, Rama e afroi Ilir Beqajn duke i dhënë një zyrë në kryeministri.
Dobësia e SPAK për Ilir Beqjn
Prokurorët e SPAK kanë qenë të ashpër me të akuzuarit për shpërdorim detyre. Për Lefter Kokën, për Alqi Bllakon, për Vangjush Dakon dhe për Arben Ahmetajn ata kanë kërkuar masë sigurie ekstreme, arrest me burg.
Për Ilir Beqajn, masa e kërkuar është “detyrim paraqitje”. SPAK është mjaftuar me sekuestrimin e pasaportës, njësoj si për rastin e Sali Berishës, për të cilin kjo masë u justifikua për shkak të moshës.
Lexo edhe: SPAK e fali/ Si e gënjeu Ilir Beqja gazetarin për njohjen me Ilir Rrapajn
Lexo edhe: Reagimi/ Ku fut ujë alibia e Beqajt për udhëtimet me Ilir Rrapajn
Lexo edhe: “Amnistia” për Beqajn nxjerr përplasjen e brendshme në SPAK
Trajtimi preferencial për Beqajn u provua edhe në fazën e parë të hetimeve, kur prokurorët e amnistuan dhe zgjodhën të mos e hetojnë. Ishte ndërhyrja e kreut të SPAK, Altin Dumanit dhe vigjilenca e gjykatësit Erjon Bano që i detyroi prokurorët e çështjes të merrnin në hetim Beqajn, hetim që konkludoi me akuzën e shpërdorimit të detyre.
Për çfarë akuzohet ish-ministri i shëndetësisë
Ilir Beqaj akuzohet për shpërdorim të detyrës të kryer në bashkëpunim për dosjen e tenderit të Sterilizimit. Në gusht të këtij viti pati edhe 8 masa arresti, mes tyre ish-zv ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Për koncesionin 100 milionë dollarësh të Sterilizimit është arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni i sterilizimeve spitalore nën akuzat “mashtrim”, “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.
Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj kanë udhëtuar së bashku me avion nga Italia në qershorin e 2014, periudhë që sipas hetimeve përkon me veprimet përgatitore të koncensionit.
Ish zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj janë në burg./Lapsi.al