Flash

Celibashi: Votimi nga jashtë duhet ligjëruar brenda janarit nga Kuvendi

Lapsi.al 15 November 2023
Celibashi: Votimi nga jashtë duhet ligjëruar brenda janarit nga

Votimi i emigrantëve dhe diasporës shqiptare në zgjedhjet e përgjithshme do të jetë i mundur, vetëm nëse Kuvendi do të kryejë plotësimet ligjore brenda janarit të ardhshëm.

Kështu deklaroi sot Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një takim të shoqërisë civile me partitë politike, ku u diskutua shqetësim për vonesat e reformës zgjedhore.

Ai theksoi që, nëse Kuvendi nuk do ta kryejë këtë detyrë brenda janarit, atëherë nuk do të ketë votim nga jashtë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot në Tiranë se brenda muajit janar Kuvendi duhet të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të mundësuar votimin e shqiptarëve nga jashtë atdheut në zgjedhjet e ardhshme.

Komisioneri Celibashi i bëri këto komente në një tryezë të partive politike me shoqërinë civile dhe donatorë ndërkombëtarë.

Ai tha se votimi i shqiptarëve nga jashtë është në krye të shqetësimeve për KQZ-në, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që brenda janarit të vitit të ardhshëm Kuvendi të bëjë plotësimet në ligjin zgjedhor për ta mundësuar votimin nga jashtë.

“Do të duhet që Kuvendi i Shqipërisë teorikisht brenda janarit të vitit që vjen, të bëjë plotësimet në ligjin zgjedhor për ta mundësuar votimin nga jashtë. Përndryshe do të duhet ta pranojmë që nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk do të bëjë plotësimet e Kodit Zgjedhor sipas asaj çfarë orienton dhe rekomandon Gjykata Kushtetuese në lidhje me votimin nga jashtë, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2025 nuk do të ketë votim nga jashtë”, tha zoti Celibashi.

Rregullat e garës zgjedhore do të duhet të dihen minimalisht një vit para mbajtjes së zgjedhjeve, theksoi zoti Celibashi, duke shtuar se shpresonte që reforma zgjedhore të kruhej brenda 6 muajve të parë të vitit të ardhshëm.

Por komisioni parlamentar dypalësh i reformës zgjedhore nuk është mbledhur më qysh prej 14 dhjetorit 2022, u tha në tryezën e sotme, pra nuk mblidhet prej 11 muajsh, ndonëse u zgjat edhe mandati i veprimtarisë së tij.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit të reformës zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, kujtoi se në mbledhjen e fundit të 14 dhjetorit shumica rrëzoi të gjithë propozimet e opozitës, ndaj vullneti politik mungon plotësisht sipas tij, vetëm nga ana e Partisë Socialiste, ndërsa Partia Demokratike ka paraqitur mendimet e veta në formën e projektligjit.

“Ka zero dëshirë nga shumica për të ndryshuar Kodin Zgjedhor dhe për të kryer reformën zgjedhore. Sipas tyre, është shumë mirë, edhe me bazën ligjore, sidomos me praktikat antiligjore, që tashmë i ka kristalizuar dhe i ka ngritur në art madje”, tha zoti Alibeaj.

Ndërsa anëtarja socialiste e komisionit të reformës zgjedhore, Blerina Gjylameti, konfirmoi vullnetin politik të shumicës, duke theksuar se shkak për vonesat është bërë opozita me problemet e saj të brendshme të përfaqësimit.

“Të thuash se shumicës i mungon vullneti politik, nuk është e saktë. Ne mund të kemi qëndrimet tona, por mungesë dëshire apo vullneti nuk ka. Nëse do të ishte kështu, ne nuk do të kishim votuar, kërkuar dhe punuar për të gjetur një zgjidhje, edhe pse në palën tjetër ka problematika reale në funksionimin e tyre të brendshëm”, tha zonja Gjylameti.

Edhe pse zgjedhjet e ardhshme duken larg, çdo ditë që kalon afatet ngushtohen, ndërsa reforma zgjedhore mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nuk po lëviz përpara prej shumë muajsh.

Instituti i Studimeve Politike dhe Akademia e Studimeve Politike, dy organizata të njohura shoqërisë civile, sollën në këtë tryezë anketa me qytetarët mbi cilësinë e proceseve zgjedhore si dhe një raport mbi përdorimin e burimeve shtetërore nga socialistët në zgjedhjet vendore të majit përmes punësimeve në administratë, rritje të pagave për nëpunësit dhe pensionistët, si dhe veprime me fondet e rindërtimeve nga tërmeti.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve kërkojnë votimin dhe numërimin elektronik në gjithë vendin, pjesëmarrjen në votim të emigrantëve dhe diasporës, uljen e pragut zgjedhor, si dhe konkurrimin e partive me kandidatë nga lista plotësisht të hapura./VOA

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI