Flash

Politikat e reja industriale do ta bëjnë botën më të pabarabartë

Lapsi.al 11 November 2023
Politikat e reja industriale do ta bëjnë botën më të

Përveç frenimit të Kinës, forcimit të zinxhirëve të furnizimit dhe shpëtimit të planetit, politikanët tashmë thonë se ekonomia “izolacioniste” do të ulë edhe pabarazinë.

Si të majtët, ashtu edhe të djathtët në politikë, fajësojnë globalizimin e viteve 1990 dhe 2000 për rritjen e pabarazive në të ardhura dhe pasuri, ndërsa vendet e punës në prodhim janë pakësuar nga “goditja kineze”.

Të dyja palët duan të rikthejnë këto vende pune dhe të rivendosin klasën punëtore industriale. Demokratët shpresojnë se kjo mund t’i shkurajojë njerëzit që të votojnë për herë të dytë për Donald Trump. Të dyja palët ka të ngjarë të zhgënjehen.

Në dekadat e fundit, janë zhdukur shumë punë të stilit të vjetër. Në vitin 1990, rreth 30% e punëtorëve në vendet e pasura, kryenin punë industriale. Tani, kjo shifër është ulur në 20%. Gjatë së njëjtës periudhë, pabarazia e të ardhurave para taksave u rrit ndjeshëm.

Rreth viteve 1990, filloi të rritet edhe numri i të ashtuquajturave “vdekje dëshpërimi”, si shkak i mbidozave nga opioidet, shumë më tepër në Amerikë, por edhe në vende të tjera. Përmirësimet në nivelin e jetesës u ngadalësuan. U shtua numri i vendeve të banimit që konsideroheshin “pa perspektivë” nga banorët.

Shumë ekonomistë mendojnë se, të paktën pjesërisht, kjo është shkaktuar nga rritja e madhe e tregtisë, veçanërisht me Kinën. Në dekadën deri në vitin 2008, eksportet nga Kina në vendet e pasura, u rritën me një normë mesatare vjetore prej 17%.

Disa vende përjetuan tronditje në ekonomi, sepse importet shumë të lira nga ekonomia e dytë më e madhe në botë shkatërruan bazën e prodhimit në një sërë pikash lokale.

David Autor dhe kolegët e tij në Universitetin MIT, hulumtuan Amerikën midis viteve 1990 dhe 2007 dhe zbuluan se rritja e importeve nga Kina “shkaktoi papunësi më të lartë, pjesëmarrje më të ulët të fuqisë punëtore dhe ulje të pagave në tregjet lokale të punës”.

João Paulo Pessoa nga Shkolla Ekonomike në São Paulo, zbuloi se punëtorët britanikë në industritë e cenuara nga nivelet e larta të konkurrencës së importit nga Kina mbeteshin të papunë për një kohë më të gjatë se ata në industri të tjera.

A mund të zhbëhet globalizimi

Ky hulumtim ka shërbyer si një argument i fortë për politikëbërësit që kërkojnë të zhbëjnë globalizimin. Por kjo është e gabuar. Megjithëse tronditja nga rritja e Kinës është e njëmendtë, ekonomistët e kanë fryrë atë.

Siç tregon zoti Autor dhe kolegët e tij, shumë zona që u cenuan nga rritja e importeve të lira nga Kina në vitet 1990 dhe 2000, ishin qytete të lulëzuara ekonomikisht, si Boston, Dallas dhe Los Angeles. Në krye të listës ishte San Jose, që ndodhet pikërisht në mes të Silicon Valley.

Nuk mund të themi se në këto zona mungojnë vendet e punës. San Francisko mund të mos ketë më një fabrikë që prodhon xhinse Levi’s (sepse konkurrenca kineze e importit e detyroi të mbyllej në vitin 2002), por a është kjo vërtet e rëndësishme?

Edhe në aspektin makroekonomik, tronditja nga rritja e tregtisë me Kinën nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Numri i vendeve të punës në Amerikë që mund të jenë humbur për këtë shkak, nga viti 2000 deri në vitin 2015, është maksimumi rreth 2 milionë.

Kjo është një pjesë shumë e vogël e madhësisë së fuqisë punëtore (130 milionë në vitin 2000). Gjatë asaj periudhe, njerëzit u larguan nga punët rreth 900 milionë herë (shumë njerëz më shumë se një herë). Shumica dërrmuese gjetën përsëri punë shpejt.

Dhe ka shumë të ngjarë që tronditja e shkaktuar nga Kina të ketë krijuar madje edhe disa vende pune, pasi kostot e prodhimit në industri të tjera kanë rënë. Në të gjitha vendet e OECD-së, shkalla e punësimit të personave në moshë pune është tani rreth 70%, ndoshta niveli më i lartë në histori.

Kjo shifër nuk e mbështet teorinë e humbjeve të mëdha në punësim, për shkak të konkurrencës së importeve nga Kina. “Pavarësisht disa vështirësive të rastit, tronditja nga Kina për fuqinë punëtore amerikane është një dukuri e fryrë përtej përmasave të vërteta”, thotë Adam Posen nga Instituti Peterson.

 

Ende mbrapa

“Zgjerimi tregtar i Kinës nuk duket se është shkaku kryesor i rënies së punësimit në prodhimtarinë tonë”, përfundon një punim i ri nga Lorenzo Caliendo në Universitetin Yale dhe Fernando Parro nga Universiteti i Pensilvanisë. Rënia afatgjatë e punësimit në prodhim, ka të bëjë kryesisht me përmirësimet teknologjike, jo me tregtinë.

Për shkak se makineritë janë më të mira se më parë, ato mund të bëjnë më shumë punë, me më pak njerëz. Pra, nuk është për t’u habitur që, pavarësisht rritjes së ndërtimit të fabrikave, vendet e punës në prodhim nuk po rikthehen.

Nga studimi i 11 shteteve, ne vlerësojmë se punësimi në prodhim në vendet e pasura, mbetet 2 milionë nën kulmin para pandemisë. Ndërkohë në Indi, e cila po mbështet me fonde të mëdha zhvillimin e prodhimit, vlerësimet më të mira tregojnë se deri tani, këto skema shtetërore kanë sjellë vetëm 20% të punësimit shtesë që ishte premtuar.

Është e vërtetë se në një numër të vogël shtetesh të pasura, duke përfshirë Kanadanë dhe Francën, numri i vendeve të punës në sektorin e prodhimit, tani ka kaluar shifrën para pandemisë Covid-19.

Por hulumtimi tregon se këto vende të reja pune, vlejnë për punëtorët me aftësi shumë të larta, si ata që modelojnë dhe vëzhgojnë makineritë e ndërlikuara, ose që u shërbejnë kërkesave të klientëve, jo anëtarëve të klasës punëtore.

Punëtorët në sektorin e prodhimit në Amerikë ka shumë më tepër gjasa të kenë një diplomë, sesa mesatarja e përgjithshme në vend. Ose marrim si shembull rajonin holandez Utrecht, i njohur për sektorin e prodhimit të teknologjisë së lartë.

Dy të tretat e punëtorëve të moshës 25 deri në 34 vjeç atje kanë arsim të lartë, një përqindje më e lartë se pothuajse në çdo rajon tjetër të BE-së.

Zgjerimi i sektorit të prodhimit me mbështetje nga shteti do të kishte efekte negative në këtë rajon.

Ndërkohë që për punëtorët në vendet e pasura nuk janë të sigurta përfitimet nga ekonomia “izolacioniste”, për ata në vendet e varfra, janë më të sigurta humbjet. Gjatë epokës së artë të globalizimit, varfëria dhe pabarazia globale ranë ndjeshëm.

Sipas një studimi të fundit nga Pinelopi Goldberg nga Universiteti Yale dhe Tristan Reed nga Banka Botërore, “ekonomistët pajtohen se hapja e kufijve të mbyllur prej kohësh, rritja e tregtisë midis vendeve dhe krijimi i sistemit modern tregtar global, luajti rol të rëndësishëm” në pasurimin e këtyre vendeve.

Gjatë viteve 1990 dhe 2000, kompanitë perëndimore që hapën fabrika në vendet e pasura, shpesh u kritikuan. Megjithatë, këto punë zakonisht paguhen me paga mbi mesataren dhe me kushte më të mira.

Është e vërtetë se disa aspekte të ekonomisë “izolacioniste” mund të ndihmojnë të varfrit. Në një samit në Hiroshima në maj, anëtarët e grupit G7 shprehën edhe një herë zotimin në Partneritetin për Infrastrukturën dhe Investimet Globale, një investim prej 600 miliardë dollarësh.

Kjo në të vërtetë është një kundërpërgjigje ndaj nismës së Kinës “Rruga e Mëndafshit”, një program infrastrukturor që po përpiqet të tërheqë shtetet e varfra në orbitën ekonomike kineze.

Të tjerë theksojnë se duhet të nxitohet për të siguruar zinxhirë furnizimi dhe për të përkrahur energjinë e pastër, që të rritet kërkesa për mallra, gjë që do të ndihmonte eksportuesit.

Dhe në të vërtetë, në vitin 2022, eksportet nga vendet më të varfra të botës ishin rreth 35% më të larta se në vitin 2019, një rritje më e shpejtë se mesatarja globale.

Sidoqoftë, kostot e një sistemi tregtar më të mbyllur do të jenë më të mëdha se këto shpërblime. Të varfrit në Kinë mund të vuajnë. Integrimi i vendit në tregjet globale e ndihmoi atë që deri në vitin 2021, të nxirrte 800 milionë njerëz nga varfëria e skajshme.

Por tani, politikanët në Perëndim po përpiqen të pengojnë rritjen ekonomike të vendit.

Nuk është e vështirë të përfytyrohet se si pasojë, varfëria në Kinë mund të ndalojë rënien, ose madje edhe të rritet. Sigurisht, një zyrtari të lartë në Bruksel apo në Uashington nuk do t’i bëhej shumë vonë për këtë.

Edhe të varfrit gjetiu ka të ngjarë të vuajnë. Përpjekjet e vendeve të pasura për të prodhuar më shumë në atdhe do të pengojnë ekonomitë në zhvillim për të tërhequr punëdhënës fitimprurës.

Kjo do të ulë kalimin e praktikave dhe teknologjive më efikase të menaxhimit, nga vendet e pasura tek ato të varfra, që ka qenë një burim i rëndësishëm i rritjes së të ardhurave në të kaluarën.

Një shqetësim tjetër është se vendet e varfra mund të detyrohen të zgjedhin midis furnizimit nga Perëndimi dhe furnizimit nga Kina, që do të thotë se ato do të humbasin një partner tregtar.

Një dokument i botuar nga OBT-ja tregon se mund të ketë humbje të PBB-së deri në 12% për vendet më të prekura nga shkëputja e plotë midis Perëndimit dhe Lindjes. Dhe këto nuk janë të vetmet probleme. Qeveritë e varfra nuk kanë fuqinë fiskale për të ofruar subvencione sa Amerika ose Bashkimi Europian, kështu që ato mund të humbasin tregtinë dhe investimet.

Një studim i fundit, i publikuar nga Banka Botërore, zbulon se “një zhvendosje drejt ripërtëritjes ekonomisë izolacioniste… mund të çojë 52 milionë njerëz shtesë në varfëri të skajshme, deri në vitin 2030”. Shumica e këtyre njerëzve ndoshta do të ndodheshin në Afrikën Nënsahariane.

Në një drejtim, ekonomia izolacioniste mund të sjellë përfitime për të gjithë. Politikanët thonë se investimet e reja në teknologjitë e pastra do ta sjellin botën më pranë një të ardhmeje me mbetje neto zero.

Të këshilluara

ide

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI