Eksperienca e hidhur e prokurorisë me Arben Ahmetajn dhe Alqi Bllakon duket se kanë ndikuar që gjykata speciale të pranojë një praktikë të re nga SPAK për të izoluar deputetët në rast dyshimi për një vepër penale. Në vendimin e gjykatës për Sali Berishën, trupi gjykues pranoi arsyetimin e prokurorisë speciale se sekuestrimi i pasaportës nuk është heqje e lirisë siç e koncepton Neni 73 i Kushtetutësm pika 2 ku thuhet: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.
Për gjykatën speciale, sekuestrimi i pasaportës në këtë rast është thjesht kufizim i lirisë.
“Masa e sigurimit personal e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit të dhëna ndaj personit nën hetim Sali Berisha, nuk përbëjnë heqje të lirisë personale, por një kufizim të lirisë për të lëvizur jashtë shtetit”, thuhet në vendim.
Arsyetimi vazhdon duke konceptuar si "heqje të lirisë" veprime të tilla si ndalimi, burgosja, arrestimi, marrja me forcë dhe mbyllja në një vend, apo mbyllja në vendin ku ndodhet duke mos e lejuar të dalë etj.
Rasti "Bllako"
Për të kuptuar se përse prokurorët e SPAK kanë bërë një manovrim të tillë me procedurat vlen të kujtohet rasti i Alqi Bllakos, kur megjithëse ai kishte dorëzuar mandatin e deputetit, pati kohën e mjaftueshme t’i shpëtonte arrestimit. Në 30 mars të vitit 2022 SPAK kishte nxjerrë urdhrin e arrestit dhe mori miratimin nga parlamenti, por arrestimi i Bllakos u vonua deri të nesërmen, në mëngjesin e 31 marsit. Fillimisht Bllako tha se do të pranonte verdiktin e drejtësisë, por ai u zhduk për gati 24 orë. Në atë kohë u spekulua për një arratisje të deputetit, apo për negociata të mundshme që Bllako zhvilloi në fshehtësi. Hamendësimet e arratisje u shtuan kur avokati i tij publikoi foton nga një avion në fluturim. Gjithsesi Bllako iu dorëzua drejtësisë në orët e para të mëngjesit dhe policia mundi ta arrestojë.
Rasti "Ahmetaj"
Procedurat e marrjes së miratimit nga parlamenti çuan në dështimin e arrestimit të Arben Ahmetajt. Ish-zv.kryeministri përfitoi nga vonesa që i dha miratimi i arrestimit nga parlamenti dhe mundi të arratiset. Atë e ndihmoi edhe fakti se kërkesa e arrestimit të tij u dorëzua në kuvend të premten pasdite. Meqënëse e shtuna dhe e diela ishin pushim, parlamenti u mblodh të hënën. Por kur parlamenti i hapi rrugën arrestimit, Ahmetaj tashmë kishte kaluar kufirin dhe gjendej jashtë vendit. Për disa ditë vazhduan dilemat nëse Ahmetaj ishte arratisur apo jo. Në fund, prokurorëve të SPAK u mbeti në dorë fletë-arresti.
Pretendimi i Berishës
Sekuestrimi i pasaportës së ish-kryeministrit Sali Berisha është anatemuar fort nga avokatët e tij, si shkelje e Kushtetutës, që garanton se deputetit nuk mund t’i hiqet liria para se parlamenti të japë miratim. Avokatët kërkuan në gjykatë ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, por procesi vazhdoi gjithsesi. Duke e konsideruar procesin antikushtetues, ata u tërhoqën nga mbrojtja.
Vetë Berisha ka refuzuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe e fton Ramën të ndryshojë Kushtetutën që ai t’i bindet gjykatës. “Sali Berisha garanton çdo qytetar se unë po mbroj qytetarët, duke mbrojtur Kushtetutën, përndryshe unë 100 herë shkoj” është shprehur ai.
Precedenti për ndjekjen penale të politikanëve
Pakkush ka menduar se Sali Berisha do të arratiset, aq më tepër që në procesin gjyqësor, ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë. Por precedenti për ta izoluar brenda Shqipërisë politikanin, nëpërmjet sekuestrimit të pasaportës, i bën më vulnerabël deputetët përballë hetimeve të SPAK duke eleminuar mundësinë e arratisjes. Fuqizimi i prokurorisë në njërën anë mund të jetë pozitiv, pasi shton më shumë frikën e ndëshkimit mes të korruptuarve. Por në anën tjetër shton presionin tek deputetët e opozitës, të cilët janë përballë një sistemi gjyqësor gjithnjë e më të kontrolluar nga mazhoranca./Lapsi.al