Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi foli për aksionin e opozitës në parlament. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bardhi u shpreh se “Rama mund të dojë një opozitë që ha byrekë në shtëpi, siç po bënte Lulzim Basha sot, por ata janë mandatuar për problemet e popullit”. Bardhi tha se Basha duhej të ishte në parlament për të bërë betejë së bashku me kolegët e tij.
“Nuk jemi ne PD? Nuk e cakton zoti Basha këtë. Po ta caktonte zoti Basha e zoti Rama ne nuk ishim as opozitë, as PD. Do ishim në shtëpi, siç kanë vendosur një pjesë e kolegëve përfshirë zotin Basha që sot në vend se të vinte të bënte betejë me ne për komisionin hetimor të sterilizimit, check-up se i kemi bërë beteja në PD prej vitesh...
Po. Ai ishte duke ngrënë byrek dhe ishte në shtëpi. Rama mund të dojë një opozitë që ha byrekë, por ne nuk na kanë mandatuar qytetarët që të hamë byrek. Na kanë mandatuar qytetarët që të kryejmë detyrën tonë, misionin kushtetues, të kontrollojmë mazhorancën” – tha Bardhi.
Ai foli edhe për tensionet që ndodhën në Kuvendin e Shqipërisë. “Mazhoranca po e shtyn opozitën në skenarë ekstreme. Sa kohë opozitës do t’i mohohet çdo e drejtë nuk do të ketë asnjë seancë normale. Nëse nuk arrihet kështu do të dalim në rrugë”, - tha Bardhi.
Ai paralajmëroi se nuk do të ketë më humbje kohe. Duke ftuar edhe grupin e Bashës që t’ju bashkohet.
“Ata nuk na lejojnë të bëjmë punën tonë, ne nuk i lejojmë të bëjnë punën e tyre. Grupi i Bashës është i ftuar të bashkohet, edhe sot duhet të ishin aty” – tha Bardhi. ©LAPSI.al