Sikur Interpol Abu Dhabi të mos e dorëzonte të fortin e Shkodrës, Denis Brajoviqin të paketuar në Rinas, fleta e arrestit e SPAK do të mbetej e pluhurosur në arkivat e gjykatës, pasi i ishte një nga njerëzit që u arratis në Dubai kur forcat speciale po ekzekutonin operacionin e dosjes "Metamorfoza" për vrasje me pagesë, trafik droge, korrupsion etj.
Gjithsesi, dështimi i para ca viteve nuk i pengoi forcat speciale të rreshtohen, të armatosur deri në dhëmbë, për një filmim në Rinas, ku Denis Brajoviq duket me pranga në duar dhe me pantofla në këmbë.
Dorëzimi nga Interpol Abu Dhabi pranë Drejtorisë së Burgjeve lokale shkoi qetësisht, i pagëzuar me emrin e bujshëm “The Wanted”.
Për të kuptuar rrezikshmërinë e Denis Brajoviqit, që gjykata e la në burg këtë javë shërbejnë mesazhet e shkëmbyera në SKY ECC mes tij dhe antarëve të tjerë të grupit Bajri për vrasjen e Gjin Ndojit i njohur ndryshe si Gjin Boriçit që ndodhi më 9 gusht 2020 në zonën e Shkodrës/Vau Dejës.
Denis Brajoviq, ekzekutori i Bajrave
Dosja "Metamorfoza" zbuloi se vrasja e Gjin Boriçit u porosit nga Ervis Martinaj, i cili i kërkoi biznesmenit Pëllumb Gjoka që në këmbëim, do të ekzekutonte një person tjetër në Tiranë, me të cilin vetë Gjoka kishte pasur probleme. Vrasjet me ndërrim janë një mënyrë me të cilën ndërveprojnë bandat për të humbur gjurmët nga hetimet e prokurorisë dhe Pëllumb Gjoka ngarkoi grupin Bajri për atentatin.
Bajrat ia lanë detyrën Denis Brajoviqit, i cili e kryen ekzekutimin diku midis orës 1.00 dhe 2.00 të mëngjesit të datës 9 gusht. Në mesazhin e parë në SKY ECC, pasi ka mbaruar punë, ai shkruan shkurt: “Kryvi! Jemi në Bushat dhe të na presi aty ai, se jemi afër".
Pra. ‘Kryvi’, do të thotë se Gjin Boriçi, tashmë është ekzekutuar.
Pasi kanë kaluar disa orë dhe është larguar nga vendi i krimit, ai përshkruan shkurt momentet e fundit të vrasjes “Gjoks e kry kapedan (i referohet Behar Bajrit), mu blloku se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka”.
Mesazhi tregon se plumbat e kanë qëlluar viktimën në gjoks dhe në kokë dhe në momentet e fundit viktima duhet të ketë sharë, një fakt që e ka acaruar më tej vrasësin. Analiza e SKY ECC zbuluan se për vrasjen ishte dhënë porosi nga Pëllumb Gjoka, i cili financoi ekzekutimin, në këmbim të eliminimit të një ish-polici burgu, Kleanth Musabelliun në Tiranë.
Zgjedhjet lokale 2023: Denis Brajoviq ruan votat e PS
Denis Brajoviq është vetëm një nga personazhet e grupit “Bajri” në Shkodër, të cilët pikërisht për reputacionin kriminal që kishin, u përzgjodhën nga Partia Socialiste për të monitoruar votimet e datës 14 Maj në vitin 2023. Në këto zgjedhje për herë të parë në tranzicion, Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e Shkodrës.
Prova kryesore është një material filmik që u publikua nga opozita dhe që përbën një nga momentet më tronditëse të proceseve zgjedhore në vitet e fundit: videoja e grupimit të Bajrave që qarkullonin me një autokolonë makinash të blinduara, duke “inspektuar” qendrat e votimit, dhe duke shoqëruar zyrtarë të Partisë Socialiste, mes tyre Erald Bushin nga kryesia e PS në Shkodër .
Në një nga këto filmime, shihet qartë edhe Denis Brajoviq, njeriu që shërben si ekzekutor i Bajrave, duke qeshur lirshëm gjatë inspektimit të qendrave të votimit, pranë Enver Bajrit, që njihej si koka operative e grupit kriminal .
Në bazë të këtyre filmimeve, Partia Demokratike ka denoncuar presionet ndaj qytetarëve nga grupet kriminale, që në bashkëpunim me zyrtarë të Partisë Socialiste i siguruan fitoren e Benet Becit.
Kjo skemë e përdorimit të influencës kriminale për presione ndaj procesit zgjedhor është provë filmike e faktit se pushteti real në Shqipëri nuk buron nga vota e lirë e qytetarëve por nga kontrolli kriminal që ushtrohet nga elementë si Denis Brajoviq, Enver Bajri, Pëllumb Gjoka etj.
Prandaj edhe ekstradimi i tij nga Dubai dhe izolimi në qelitë e burgut duhet marrë me rezerva, sepse zgjedhjet vijnë shpejt dhe njerëzve si Denis Brajoviq, pushtetarët i kanë borxhe të mëdha./Lapsi.al
https://lapsi.al/2023/10/30/bajrat/