Flash

Thellohet me 12.8% rënia tek eksportet në shtator, tekstilet e këpucët në vështirësi

Lapsi.al 17 October 2023
Thellohet me 12.8% rënia tek eksportet në shtator, tekstilet e

Eksportet kane vijuar tendencën e tyre rënëse për të tetin muaj radhazi, duke reflektuar si një rënie të cmimeve të produkteve në bursat ndërkombëtare ashtu dhe pasojat që po jep rënia e euros në të ardhurat e eksportuesve.

Sipas INSTAT, Në Shtator 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 34 mld lekë, duke u ulur me -12,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Që nga marsi eksportet nuk po arrijnë ta marrin veten, duke shënuar ecurinë më të keqe që nga periudha e pandemisë. Në janar shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për tu ngadalësuar në korrik në -4%, duke kërcyer në gusht me -21.9% për të vijuar në shtator me -12.8%.

Dy grupet që kanë shënuar tkurrjen më të madhe në shtator janë “minerale lëndë djegëse e energji”, me 27,5% dhe tekstile e këpucë me 9.5%. Në rënie ishin dhe të gjitha grupet e tjera kryesore, me përjashtim të dy grupeve me peshë më të ulët si lëkurë dhe produkte kimike. “Ushqimet pije dhe duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë, shënoi rënien më të thellë të këtij viti, me 13.9%.

Sipas INSTAT, Gjatë muajit Shtator 2023, në uljen e eksporteve prej -12,8 %, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -2,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,7 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,1 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,02 pikë përqindje.

Thellimi i rënies në shtator, ka përkeqësuar ecurinë për gjithë 9 mujorin. Sipas INSTAT, Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 333 mld lekë, duke u ulur me -9,0 % krahasuar me një vit më pare, nga 8.6% që ishte tkurrja për 8 mujorin.

Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -7,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,9 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +1,4 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,4 pikë përqindje.

Fasoni nuk ndal rënien

Për të katërtin muaj radhazi eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar tendencën tkurrëse. Në shtator ky grup u tkurr me 9.5%, ndërsa për gjithë 9 mujorin reduktimi arriti në 3.5%.

Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e ndjeshme të euros që ul të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në lekë. Faktorë të tjerë që kanë ndikuar janë rritja e pagës minimale që ka shtuar kostot e punës, tkurrja e kërkesës nga jashtë sidomos për këpucë (nga ndryshimi i motit, shitësit e pakicës kanë krijuar stoqe të mëdha), kriza ekonomike në Europë që ka ulur kërkesën si dhe zhvendosja e prodhuesve në Indi e vende të tjera të Azisë për shkak të kostove më të ulëta.

Eksportuesit janë ankuar vazhdimisht te Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për pasojat që po jep në aktivitetin e tyre zhvlerësimi i fortë i euros, që aktualisht këmbehet me rreth 106 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.

Së fundmi shoqata e eksportuesve tha se pasojat kanë filluar të ndihen dhe në punësim, teksa kompanitë po detyrohen të shkurtojnë punonjës, pas rënies së të ardhurave.

Mineralet e lëndët djegëse vijojnë rënien

“Mineralet dhe lëndët djegëse” shënuan një rënie të thellë me 27.5% në shtator për të dytin muaj radhazi, pasi u rritën ndjeshëm me 39% në korrik. Ecuria e eksporteve të këtij grupi varet nga energjia si dhe nga numri i anijeve që arrin të dërgojë në një muaj Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend. Për 9 mujorin, grupi ka shënuar një tkurrje prej 6.8%.

Materialet e ndërtimit dhe metalet frenojnë tkurrjen

Materialet e ndërtimit dhe metalet ngadalësuan ndjeshëm rënien në shtator (-8.6%), pasi ishin tkurrur me ritme të larta dyshifrore përgjatë 8 muajve të këtij viti. Sipas burimeve nga Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, tendenca lidhet me disa faktorë, si rënia e çmimeve, por dhe frenimi i kërkesës.

Për 9 mujorin, ky grup u tkurr me 31%, duke dhënë ndikimin më negativ në ecurinë e eksporteve.

Ushqimet, pijet dhe duhani, me rënien më të fortë të këtij viti

“Ushqimet, pijet dhe duhani” janë sektori që kanë pasur ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve këtë vit. Në korrik ky grup i rriti eksportet me gati 20%. Megjithatë në gusht, ky grup shënoi një rënie relativisht të fortë me 9.7% me bazë vjetore, si rrjedhojë e motit të pafavorshëm që ndikoi në reduktimin e prodhimit. Tendenca rënëse u përkeqësua më tej në shtator, me gati 14% tkurrje të produkteve të shitura, që është ecuria më negative e këtij viti.

Gjithsesi për 9 mujorin, ky grup është zgjeruar me 14%, duke pasur ecurinë më të mire nga të gjitha grupet e tjera.

Edhe Industria automotive me rënie, nga kursi

Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive. Por, në prill, edhe ky grup shënoi rënie të eksporteve me 5.9% me bazë vjetore. Megjithatë në maj, grupi iu rikthye rritjes, duke u zgjeruar me 10.5%. por, në qershor grupi shënoi sërish rënie, me 4.8%. Tkurrja vijoi dhe në korrik me -3% dhe u thellua në gusht, në 14.3.  Tendenca rënëse vijoi dhe në shtator, ndonëse me ritme më të ngadalësuara prej -1.3%.  Sipas përfaqësuesve të kompanive, ecuria negative lidhet me pasojat që po jep zhvlerësimi i euros në aktivitetin e fabrikave që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimit për industrinë automotive. Për 9 mujorin grupi është rritur me rreth 5.6.

Ulet deficiti

Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 333 mld lekë, duke u ulur me -9,0 % krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 650 mld lekë, duke u ulur me -6,5 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 317 mld lekë, duke u ulur me -3,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Bien eksportet me italinë, Gjermaninë e Spanjën

Sipas INSTAT, në muajin Shtator 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shtator 2022 janë: Italia (1,5 %), Gjermania (48,4 %), Spanja (56,9 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (29,4 %), Greqia (13,9 %), Kina (135,6 %), etj.

Gjatë këtij nëntëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,0 %), Gjermania (31,1 %), SHBA (71,3 %), etj. Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Kosova (12,0 %), Greqia (16,8 %), Maqedonia (4,9 %), etj.

Në muajin Shtator 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (5,7 %), Turqia (58,7 %), Greqia (40,1) %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Shtator 2022 janë: Kina (1,8 %), SHBA (100,7 %), Zvicra (129,7 %), etj.

Gjatë këtij nëntëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (4,1 %), Turqia (26,1 %), Greqia (25,1 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (27,6 %), Gjermania (3,8 %), SHBA (31,9 %), etj./ Monitor

Të këshilluara

Sulm me armë në Bruksel, 2 të vrarë

Dy persona janë qëlluar për vdekje në kryeqytetin belg, Bruksel, mbrëmjen e kësaj të hëne. Agjencia e lajmeve AFP raporton se sulmuesi është ende i lirë. Një zë...

21:17

Macron mbërrin në Shqipëri

Emanuel Macron mbërrin në Tiranë në atë që shënohet si vizita e parë zyrtare e një presidenti francez në Shqipëri. Ai është pritur në Rinas nga zv.kryeministrja...

20:05

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI