Ka mbërritur në vendin tonë një avion me shqiptarë të gjendur në mes të konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Pasditen e kësaj të diele, në aeroportin e Rinasit është ulur avioni i një kompanie shqiptare. Ky avion charter ishte nisur nga aeroporti Tel Avivit, “Ben Gurion”.
"Sot në mbrëmje ka mbërritur avioni i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kanë kërkuar të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës. Avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pak më parë.


Pasagjerët janë pritur dhe përshëndetur nga Ministri Igli Hasani. Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre" - thuhet në njoftimin e MEPJ.
Fluturimi është kryer në koordinim me ambasadën shqiptare në Izrael dhe autoritetet vendase. Fluturimi ishte shumë kompleks për shkak se shumë kompani kanë nisur anulimet e udhëtimeve drejt Izraelit apo nga aeroportet e këtij vendi.

Më herët, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe njoftoi se prej 48 orësh, ka qenë në kontakt me shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë në Izrael për t’i ndihmuar në largimin nga vendi.
“Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut.
Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë” – tha ambasadorja që apeloi për anulim të fluturimeve të atyre që kanë planifikuar të shkojnë në këtë vend. ©LAPSI.al