Ngjarja tragjike e vdekjes së 3-vjeçarit, Brian Spahiu po shndërrohet në një xhalo të vërtetë, mes prindërve që akuzojnë mjekun se i mori jetën dhe anestezistit Roland Xhaxho, që mbrohet, se Briani i vogël doli mirë nga klinika dhe se humbja e jetës ka ardhur nga shkaqe të tjera.
Tani është prokuroria e Tiranës ajo që do duhet të vendosë lidhur me atë që ka ndodhur, në 28 shtator në klinikën Splendent, që gjendet brenda ambjenteve të një spitali privat të zemrës.
Babai i viktimës, Bledar Spahiu këmbëngul se pasi e ka nxjerrë fëmijën nga klinika për trajtimin e 14 dhëmbëve, prej mjekes Ina Xhaxho, 3-vjeçari ishte shumë rëndë.
Sipas tij mjekët i garantuan se nuk do t’i ndodhte asgjë fëmijës dhe ndërhyrja është bërë për rreth tre orë, nga ora 10.00 deri në orën 15.20. Më pas, mjeku i ka thënë se gjendja e djalit është normale, por duhet të presin sa t’i dalë anarkoza.
“Ndërkohë që po vonohej për të dalë ne i kemi kërkuar doktorit se si është gjendja e djalit dhe ai na është përgjigjur se gjendja është stabile gjë qe te cilën e bëmë për dy-tre here dhe doktori vazhdonte na thoshte se gjendja e djalit ishte normale brenda parametrave”, thuhet në kallëzim që Bledar Spahiu ka bërë në prokurori.
Por, ndryshe nga versioni i prindërve mjeku anestezist Roland Xhaxho, në një reagim publik pretendon se fëmija nuk ka dalë në koma, por në të kundërt, i përmirësuar nga mjediset ku iu bë ndërhyrja. "Fëmija ka dalë nga klinika i zgjuar, ndërhyrja ka zgjatur 4 orë, 4 orë e pak. Madje ka kërkuar edhe vëllanë e tij. Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para. Ajo që ndodhi nuk ka të bëjë fare me narkozën, Sipas analizave, niveli i glukozës ishte 0, kur digjen yndyrat lënë gjurmët në gjak, për mua besoj se do të jetë një sindromë metabolike nga mungesa e ndonjë enzime, të shikojmë se si do të dalin ekzaminimet”, mbrojti versionin e tij Xhaxho.
Por ky rrëfim nuk pranohet nga babai i Brianit. " E pavërtetë që ka kërkuar të vëllain. Në atë përgjumje, jo ai që është i vogël, por as ne s’mbajmë mend. Nuk kishte filluar ende të fliste. Djali s’ka folur asnjë fjalë pas operacionit. E kam telefonuar unë, kunati mjekun por ai mbylli telefonin dve njk përgjigjej më.
Më pas i kam dërguar njerëz atje. Ai e di 100% se çfarë ka bërë ndaj nuk e hapte telefonin. Mjeku erdhi vetëm ditën e nesërme, atë ditë s’ka ardhur. Mjekët e pediatrisë ku e çuam na thanë se djali është në gjendje të rënduar nga narkoza", akuzoi ai.
Pra një nga pistat ku do të përqëndrohet hetimi është dhe mbledhja dhe ekzaminimi i pamjeve filmike nga kamerat brenda klinikës (nëse ka pasur) dhe jashtë mjediseve të saj, për të vërtetuar se cili version qëndron: ai i mjekut që pretendon se gjendja e vogëlushit ka qenë e mirë, apo e kundërta.
Prokuroria ka urdhëruar policinë të sekuestrojë kamerat jashtë dhe brenda klinikës që drejtohet nga mjeku në hetim, Roland Xhaxho. Ky i fundit tha se brenda klinikës nuk ka kamera. Por raportimet e mediave tregojnë se ekzistojnë kamera që shikojnë në drejtimin e daljes së pacientëve nga godina.
Gjyshi i Brianit në emisionin “Me zemër të Hapur”. përveçse e akuzoi mjekun për neglizhencë e akuzoi atë se po kërkin të fshehë dhe provat. "Ai na e vdiq djalin, na e mori djalin. Ka pasur kamera në klinikë, por i ka hequr. I kemi kërkuar Prokurorit të marrë provat", shfryu ai.
Por nderkohe qe familjaret e 3 vjeçarit pretendojnë se nderhyrja ka zgjatur 9 ore dhe se djalit te tyre i eshte demtuar melçia nga anestezia e tepert, kolegët e Xhaxhos bëjnë thirrje për ndalimin e gjygjeve popullore ndaj mjekëve. Deputeti Tritan Shehu, njëherësh edhe president i shoqatës së anestezistëve e ka marrë në mbrojtje Xhaxhon. "Si koleg i Prof Xhaxhos, qe kam punuar ngushtesisht me ate qe prej fillimit te viteve 80-te, e ndjej per detyre te ve ne evidence tiparet e tij.
Prof Xhaxho pa asnjë lëkundje është nje nga anesteziste-reanimatoret me te mire te Shqipërisë, me një eksperience e kontribute gjigande, me njohuri e aftësi shume te gjera, te niveleve me te mira europiane. Është një mjek me nje ndjenje te larte pergjegjeshmerie e impenjimi ne punen e tij profesionale. Fale ketyre cilesive jane shpetuar shume e shume paciente", ka shkruar Shehu, duke vënë në dukje: "...nga ato me te cilat jam njohur deri me sot, mund te them se jane zbatuar normalisht linjat e procesit te anestezise ne kete rast. Fatkeqësisht edhe komplikacionet jane pjese e ketij aktiviteti mjekësor shume kompleks, te ralla e te shume llojeshme keto, per aresye nga me te ndryshmet. Megjithate eshte heret per te bere konkluzione mbi shkaqet e humbjes se jetes".
Edhe mjeku anestezist Artur Hatia, e ka mbrojtur kolegun e tij duke pretenduar se lloji i anestezisë i përdorur në këtë rast është ndër më të lehtët. "Unë besoj që prof. Xhaxho nuk ka gabuar. Që duhej aplikuar anestezia totale kjo është absolute në atë situatë" ka thënë ai.
E megithëatë ngjarja tragjike e vekjes së 3-vjeçarit, Brian Spahiu, ende mbetet e mbuluar me mister, nëse ajo u shkaktua nga papërgjegjshmëria e bluzave të bardha. Mes ekzaminimeve të shumta për të hedhur dritë në këtë hetim kompleks, do të vlejnë dhe pamjet filmike. Sepse kjo është një nga pikat ku të vërtetat e palëve ndahen: prindërit pretendojnë se djali ka dalë nga aty në krah dhe pa ndjenja mjeku Xhaxho se ai qe në gjendje të ndërgjegjshme.Policia akoma nuk ka administruar pamje të kamerave të sigurisë në Spitalin e Zemrës të mjekut Roland Xhaxho, për të kuptuar nëse 3-vjeçari Brian Spahia ka dalë nga aty në krah dhe pa ndjenja siç pretendojnë familjarët, apo në gjendje të ndërgjegjshme siç pretendon mjeku Xhaxho. Të enjten, me vendim të prokurorisë së Tiranës i është dhënë urdhri policisë për t'u rikthyer sërish në klinikë dhe zonën përreth për të sekuestruar pamje filmike.
©Lapsi.al