Një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë në veri të Kosovës, gjatë një sulmi terrorist që ndodhi në fshatin Banjskë në Zveçan. Nga sulmi mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku, ndërsa i plagosur mbeti polici Alban Reshiti.
Të dielën, autoritetet kosovare thanë se tre terrorriste u vranë gjatë sulmit, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, u arrestuan.
të hënën Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar se gjeti edhe trupin e pajetë të një sulmuesi të dyshuar në veri të vendit, duke e çuar në katër numrin e të vrarëve.
Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 kilometra larg "vendit të incidentit", një ditë pasi një grup prej dhjetëra personave të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës.
[caption id="attachment_857167" align="alignnone" width="295"]
Polici i vrare ne Kosove, Afrim Bunjaku[/caption]
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, bëri të dielën një reagim fillestar lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës, duke i cilësuar ato vetëm si “akt të shëmtuar të një bande të armatosur kundër policëve të Kosovës”. Megjithatë në një njoftim të lëshuar nga zyra e tij pak kohë më vonë, Borell e ashpërsoi gjuhën dhe Bashkimi Evropian e ka emëruar ngjarjen në veri edhe si “sulm qyqar terrorist kundër Policisë së Kosovës”.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Ai ka thënë se autorët e krimit duhet të mbahen përgjegjës nëpërmjet një procesi hetimor transparent.
Ndryshe nga udhëheqësit perendimorë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndonëse e dënoi vrasjen e policit kosovar tha se incidenti ishte shkaktuar nga rebelimi i serbëve të Kosovës, pasi ata “nuk donin të vuanin më nën terrorin e Kurtit” dhe se ishte çështje kohe se kur do të ndodhte diçka e tillë.
Sipas tij, i vetmi fajtor për atë që po ndodh në veri, “është Albin Kurti”.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe tha se në veri të Kosovës, policët duhet të jenë serbë.
Vuçiç tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën “as formalisht, as joformalisht”, por shtoi se është i gatshëm të bisedojë.
Personat që sulmuan policët e Kosovës mendohet se janë një skuadër prej 30 vetash, profesionistë ushtarakë, të armatosur rëndë. në orët e para të së dielës, ata tentuan të ngrinin barrikada dhe kur policët e Kosovës tentuan ti pengonin ata qëlluan me armë. Ata u strehuan brenda oborrit të Manastirit të Banjskës, që normalisht ka një lloj eskstrateritorialiteti nga ku janë dëgjuar herë pas here të shtëna armësh.

Dioqeza Rashkë-Prizren ka konfirmuar për mediat e Kosovës se brenda Manastirit të Banjskës u mbyllën një grup besimtarësh nga Novi Sadi dhe igumeni Danilo. Por ata thanë se njerëzit e arrmatosur ishin futur forcërisht në manastir.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se sulmi në fshatin Banjska të Zveçanit përfshinte "profesionistë" që përdorin armë të rënda. Në një konference për mediat, Kurti shfaqi disa foto të personave që kanë vepruar në veri. Ata duket që janë të armatosur dhe të veshur me uniforma kamuflazh.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, që ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe që i ftoj të dorëzohen te organet tona të sigurisë. Ata janë që po i sulmojnë policinë tonë, edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun e e kanë plagosur Alban Rashitin”, tha Kurti gjatë konferencës.
Duke përshkruar pamjet, Kurti tha se ata janë vendosur pranë Manastirit në Banjskë të Zveçanit.
“Organet e sigurisë dhe prokuroria do të zhvillojnë hetimet për t’i kuptuar këto uniforma të cilat siç shihet përveç xhipave, kanë edhe një autoblindë aty. E vëreni se ka një gjoksore që është tipike për uniformën dhe pajisjet në vendluftime. Është paraqitur një formacion i organizuar që ka ardhur të luftojë në Kosovë”, është shprehur ai.
Ndërkohë gazetarët janë interesuar nëse ka dyshime se personat që kanë hyrë të armatosur në Kosovë janë pjestarë të grupit Vagner dhe për këtë është përgjigjur zv.drejtori i policisë, Fehmi Hoti.
"Kemi pas informacione se individë të grupit Vagner mund të jenë përfshirë, por nuk e kemi të faktuar se janë aty. Si informacion jemi duke e trajtuar. Jemi në koordinim të vazhdueshëm me KFOR" tha Hoti.

Ndërsa sot autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiqin, për organizim dhe pjesëmarrje në sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.
Gjatë një konference për media, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator. Ai argumentoi se sulmi nuk ishte ad-hoc, por ishte planifikuar për muaj të tërë.
Ai tha se në bazë të dokumenteve që kanë gjetur Radoiçiq, është i lidhur me sulmin.
“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radoiçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media në kampin e njësive speciale policore në Mitrovicë të Jugut, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.
Sipas tij, në bazë të armëve që kanë gjetur, besohet se ka pasur plan që në sulm të përfshiheshin “qindra persona për destabilizimin e vendit tonë”.
Sveçla tha se, sipas informatave të deritashme, “gjashtë terroristë po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit [qytet në Serbi]”, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës. Ai tha se përveç tyre, edhe pjesëtarë të tjerë të grupit që mund të kenë ikur për në Serbi, duhet t’i dorëzohen Kosovës që të përballen me drejtësinë.
Ai tha se në bazë të informatave, disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, që Kosova i ka shpallur si organizata terroriste më herët gjatë vitit.
Sulmi ndaj policisë së Kosovës vjen pas dështimit të dialogut politik në lidhje me zbatimin e planit franko-gjerman. Bashkësia ndërkombëtare fajëson Albin Kurtin që nuk pranon asosacionin e komunave serbe në veri të Kosovës dhe për këtë ka mbajtur qëndrime më të zbutura ndaj Serbisë.
Për pasojë, kur serbët sulmuan ushtarët e KFOR gjatë përleshjeve të dhunshme në veri, reagimi ishte i mekur. Kur serbët rrëmbyen tre policë të Kosovës, reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ishte i vonuar dhe i paqartë, duke lënë hapësira për ndërhyrje të natyrës terroriste në veri të Kosovës që e destabilizojnë situatën.
NATO ka dislokuar 700 trupa shtesë për t'u marrë me trazirat në veri të Kosovës, që pas përleshjeve të dhunshme që ndodhën atje pas zgjedhjeve./Lapsi.al
