Mesazh i fortë i Ramës ndaj Veliajt/ Çon Bela Ballukun t’i dalë për zot punëve të Tiranës
Ajo shfaqet me të njëjtën frekuencë në kronikat e lajmeve që më shumë sesa pasqyrimi i një informacioni me interes publik janë marketim i një produkti të bëshëm politik. Lapsi.al e ka ndjekur ditë pas dite, javën e fundit, ku Balluku nuk lë rast pa u shfaqur në ekran. Këtë të premte në Klan dhe Top Channel (poshtë) u transmetua një kronikë pothuajse identike nga qendra operacionale për mbrojtjen kibernetike.
Nëse redaksitë e lajmeve të dy TV nacionale do të kishin qenë të interesuara të informonin publikun për këtë temë, kjo nuk mund të koincidonte në të njëjtën ditë. Kuptohet lehtë se kronika ka qenë e servirur nga zv kryeministrja. Pastaj, po ta shoheësh atë me detaje, vëren se edhe Balluku edhe shoqëruesi i saj ishin të paisur me mikrofonë në trup, gjë që tregon se ata nuk kishin shkuar për punë reale, por për të xhiruar një spot publicitar.
E njëjta fabul u përsërit edhe të mërkurën (poshtë), kur Belinda Balluku aktronte në një shkollë të rindërtuar në Durrës, madje duke marrë edhe rolin e zyshës (ndonëse vetë po hetohet për falcifikim diplome).
Kronika të ngjashme janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Deri këtu nuk ka ndonjë risi. Prej kohësh propaganda e rilindjes na ka mësuar më shfaqe të tilla, duke i përdorur televizionet e shndëruara në kioska numërimi parash, si shpëlarëse të imazhit të atyre që "hanë kumbulla dhe dardha". E reja është se nga një film me dy aktorë kryesorë, pra me shefin dhe pasardhësin, skenari i tanishëm po shkruhet me skena treshe. Në lojë nuk janë më vetëm Rama dhe Veliaj, por ata kanë formuar një trekëndësh dominimi informativ, ku është shtuar edhe Belinda Balluku, e cila duket se u përgatit për këtë rol, që kur i'u përvesh ndryshimeve drastike estetike. Asnjë herë më parë, asnjë ish zv kryeministër, jo Senida Mesi apo Niko Peleshi, por as Erion Brace që kishte një peshë politike, apo Arben Ahmetaj që kishte mundësi financiare, nuk kanë pasur këtë zemërgjerësi me kohën televizive. Prandaj kuptohet se Balluku bën dalje me leje.